Qytetarët duan SHBA-në në dialogun Kosovë-Serbi, pse mund të përfshihen edhe Rusia e Kina

Politika

Qytetarët duan SHBA-në në dialogun Kosovë-Serbi, pse mund të përfshihen edhe Rusia e Kina

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 qershor 2018 Në ora: 13:29
Ilustrim

Prej kohësh është përmendur mundësia e përfshires së SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi.

E nëse ndodh një gjë e tillë, nga Serbia ka pasur deklarata se kërkojnë përfshirjen në dialog të Rusisë dhe Kinës.

E për këtë, hulumtuesja nga KDI, Violeta Haxholli, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se SHBA duhet të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi, derisa shton se Serbisë i konvenon që dialogu të udhëhiqet nga BE për shkak se është neutrale ndaj statusit të Kosovës.

“Duhet të ketë përfshirje të SHBA-së në dialogun Kosovë - Serbi pasi që deri më tani BE-ja ka luajtur vetëm rolin e lehtësuesit të dialogut duke refuzuar të marrë anë edhe atëherë kur një gjë e tillë ka qenë e nevojshme. Serbisë natyrisht se i konvenon që BE të vazhdojë të udhëheq këtë proces pasi që BE është neutrale ndaj statusit të Kosovës për shkak të 5 shteteve anëtare që nuk e njohin Kosovën. E njëjta gjë në këtë rast nuk është me SHBA-në, e cila është aleate dhe përkrahëse e fuqishme e Kosovës”, është shprehur ajo.

Image
Violeta Haxholli

Haxholli ka treguar se sipas një sondazhi të KDI-së, 50 për qind e qytetarëve janë shprehur se në dialog duhet të përfshihet SHBA-ja.

“Që SHBA të përfshihet në dialog është edhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës, të cilët në një sondazh të organizuar nga KDI, 50% e tyre janë shprehur se dialogu nuk duhet të vazhdojë pa përfshirje direkte të SHBA-ve në këtë proces”, shpjegon ajo për “Bota sot”.

Ndërsa, sa i përket mundësisë që në dialog të përfshihen Rusia dhe Kina si kërkesa nga Rusia, ajo thotë se kjo mund ta ndodh nëse në dialog është edhe çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB.

“Sa i përket përfshirjes së Rusisë dhe Kinës kjo ka gjasa të ndodhë nëse pjesë e dialogut do të jetë edhe çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB. Duke qenë se anëtarësimi i Kosovës varet edhe nga vendimi i këtyre dy shteteve atëherë me siguri se do të ketë një marrëveshje paraprake mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës rreth kësaj çështjeje”, është shprehur Haxholli.

Lidhur me ndikim që mund të ketë përfshirja e këtyre dy shteteve mike të Serbisë në dialog, ajo vlerëson se ato më shumë do të kenë qëllim që të shtyejnë kërkesat e tyre shtetërore në raport me SHBA-në.

“Se a do të ketë ndikim negativ përfshirja e Rusisë dhe Kinës për Kosovën, mendoj se këto dy shtete si qëllim primar do të kenë shtyrjen e kërkesave të tyre shtetërore në raport me SHBA-në, më shumë se sa që do të përpiqen në favor të Serbisë ose në dëm të Kosovës”, ka deklaruar hulumtuesja nga KDI, Violeta Haxholli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat