Limaj në Skenderaj “thumbon” PDK-në, Burjani: NISMA dëshiron elektoratin e PDK-së

Politika

Limaj në Skenderaj “thumbon” PDK-në, Burjani: NISMA dëshiron elektoratin e PDK-së

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 qershor 2018 Në ora: 22:44
Fatmir Limaj, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli

Nisma Socialdemokrate sot ka hapur punimet e Kuvendit në Skenderaj, ndërkaq nga aty kryetari i saj ka hedhur “komente thumbuese”, kundrejt Partisë Demokratike të Kosovës.

Fatmir Limaj kryetar i Nismës Socialdemokrate dhe ish-ministër i trasportit nga radhët e PDK-së në Qeverinë e vitit 2007, ka thënë se ishte ai që me punën e tij kishte larguar 97 për qind të fshatrave në Skenderaj nga balta, duke shtruar rrugët.

Të tjerët sipas tij kanë bërë fushatë dhe kanë marrë vota me punën e  tij.

“Unë ndihem mirë që jam në Skenderaj në një qytet dhe një komunë, që kur kam ardh në qeverisje në 2007-en, si ministër i Transportit, 97 për qind e fshatrave të Skenderajt kanë qenë në lloq. Dhe kur kam dalë në 2008-en, 98 për qind të fshatrave të Skenderajt kanë qenë të asfaltuara. Ka shumë që kanë marrë vota me këto punët e rrugëve masanej…s’ka gajle. Po jemi ardh sepse kemi pasur një vizion të zhvillimit të vendit tonë, jo për vetë, po për Kosovën.  Këtu kam qindra bashkëluftëtarë, shokë, që kemi nda pjesët më të vështira të jetës tonë dhe jemi krenarë. Nuk ka fshat dhe pjesë të kësaj ane në të cilën nuk kemi vepruar e bashkëvepruar me shokë të tanë, vizioni ynë atëherë ka qenë çlirimi i Kosovës, zhvillimi i Kosovës, dhe jo i një komunë dhe i një fshati, jo një krahine”, ka thënë Limaj.

Këto komente të Limajt, sipas analistëve politikë, vijnë sepse NISMA dëshiron të përfitojë nga elektorati i PDK-së.

Analisti politik, Blerim Burjani, thotë se lideri i NISMA-së është produkt i PDK-së dhe ai nuk dallon asgjë nga PDK-ja.

Image
Blerim Burjani

“Lideri i Nismës Socialdemokrate është produkt i PDK-së, ai asgjë nuk dallon nga PDK përveç se kishte probleme serioze me Gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë, gjykatat vendore,  për çështje të keqpërdorimeve. Tash në shumë situata nuk është ditur, as sot nuk dihet kush çka ka përfituar në Drenicë dhe prej kujt. Por, partitë, e dalë nga shokët PDK dhe NISMA janë përfitues më të madh se sa qytetarët e Skenderajit”, pohon Burjani në “Bota sot”.

Burjani shton se NISMA është duke tentuar të përfitojë nga elektorati i PDK-së dhe sipas tij, partitë nuk dallojnë përveç që janë të ndarë nga krahu i luftës.

“Sidoqoftë NISMA tenton të përfitojë nga elektorati i PDK. NISMA, PDK dhe AAK nuk kanë dallime në kurrgjë përveç se se janë ndarë krahu i luftës, pra individët këta nuk janë politikanë asnjë, por ish- luftëtarë të cilët, pasi që përfundoi lufta filluan të merren me politikë”, thekson Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat