Kryeministri i papërmbajtur dhe provokimi i Veselit

Politika

Kryeministri i papërmbajtur dhe provokimi i Veselit

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 17 qershor 2018 Në ora: 01:02
Valdete Deralla dhe Ramush Haradinaj

Incidenti i kryeministrit Ramush Haradinaj me zonjën Valdete Deralla në seancën solemne për nderë të 140 vjetorit të lidhjes së Prizrenit, tregon brishtësinë e koalicionit qeverisës.

Të paktën, kështu mendojnë njohësit e çështjeve politik në vend në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot”.

Ata thonë se gjatë këtij manifestime ndodhën veprime të kundërta mes kryeministrit, Ramush Haradinaj dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli që ngrisin dyshime për ftohje të raporteve mes tyre.

Fillimisht, ishte kryetari Veseli ai që e mbylli seancën solemne, por menjëherë doli në foltore kryeministri dhe e vazhdoi seancën, duke i dhënë fjalën presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Veprimi tjetër, është largimi me forcë i zonjës Valdete Deralla nga kryeministri Haradinaj.

Para se kryeministri të largonte atë duke e kapur për dore, ishte kryetari i Kuvendit ai që shkoi te foltorja dhe ia lëshoi mikrofonin Derallës për të mbajtur fjalimin e saj për të cilën nuk ishte paraparë me protokoll.

Kryeministri po kupton se fundin e ka nga Thaçi e Veseli

Gazeta ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të Qeverisë dhe të Kuvendit për të marr një qëndrim lidhur me këto veprime të kundërta, por askush nuk është përgjigjur.

 Nga ana tjetër, në një konferencë për media, i pari i ekzekutivit ka përjashtuar mundësinë se Veseli mund të ketë bërë diçka kundër tij.

"Janë do virusa këtu. Ne e dimë kush e shtin. Jo nuk është e Kadrisë. Gjesti i Kadrisë ka qenë korrekt, ka shpresuar që i thotë dy fjalë edhe largohet. Ajo nuk dike mu ndalë”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri i papërmbajtur

Image
Faton Abdullahu

Por, publicisti Faton Abdullahu duke komentuar incidentin në fjalë thotë sa më shumë që po i ngushtohet rrethi qeverisës, kryeministrit aktual aq më i papërmbajtur po bëhet ai.

“Sa më shumë po kuptohet nga qytetarët se ai nuk pyetet për shumë gjëra në këtë vend, aq më nervoze e më të papërmbajtura i ka paraqitjet. Mund ta vëreni këtë nga gjestikulimet e tij, nga reagimet shpesh pa sens dhe agresive, nga shfaqja e muskujve, nga përvjelja e mëngëve të këmishës e të tjera”, thotë Abdullahu për “Bota sot”.

Sipas tij, të gjitha këto Haradinaj po i bën që të lë përshtypje se, ai është i vendosur, burrë i fortë, ai vendos shpejtë e drejtë, e që shtynë punë përpara.

“Të gjitha këto ai po i bënë sepse nuk po mund të qeverisë sa duhet dhe si duhet si një kryeministër i zakonshëm”.

Abdullahu mendon se i pari i qeverisë do të ketë një  fund nga kreu i Kuvendit, Kadri Veseli dhe i pari i shtetit, Hashim Thaçi.

“Ai po e kupton se fundin e ka nga Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli. Haradinaj nuk është i pamençur por është i papërmbajtur. Thënë figurativisht ai ‘po kafshon çfarë nuk ja bëjnë nofullat’. Do të kemi edhe më tutje veprime të kësaj natyre në të ardhmen e afërt bile edhe më të papërmbajtura. Në të vërtetë sa më shumë që do t’i ngushtohet rrethi aq më shumë do të gjindoset kryeministri”, potencon ai.

Sipas tij, gjëja më e mire do të ishte sikurse qeveria të shkonte me përmbushjen e 100 ditëshit.

“Do të ishim me fat ne dhe ai sikur edhe këtë mandat ta përfundonte për 100 ditë, por jo, ai shtrëngohet t’i shtyjë punët me ‘gjoks’ dhe në fund do ta pësoj nga Thaçi e Veseli të cilët do t’ia kurdisin një fund jo fort të mirë”, shtoi ai.

Gazeta ka provuar të marr një qëndrim edhe nga presidenca lidhur me deklaratat e analistëve se Haradinaj do të pësojë nga kreu i shtetit, por askush nuk është përgjigjur.

Mehmeti thotë se Veseli ia lëshoi Haradinaj autogol

Image
Faton Mehmeti

Nga ana tjetër, analisti Faton Mehmeti thotë së incidenti në fjalë tregon papjekurinë e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ai madje hedh dyshime se ai incident është përgatitur nga Veseli për ta provokuar Haradinajn dhe për ta qitur atë në pozitë të keqe.

“Kadri Veseli e ka nuhatur faktin se Ramushi do të bëhet rezil, edhe ia lëshoi topin për të shënuar autogol. Sigurisht se incidenti në fjale tregon shumë për papjekurinë politike të Ramushit”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

“Një veprim i tillë nga ana e një kryeministri do të pasonte me dorëheqje, por tek ne i forti triumfon dhe jo i drejti. Besoj se Kadriu me qëllim ia lëshoi mikrofonin gruas në fjalë, që të nxiste Ramushin për të bërë veprimin që e bëri, aspak të hijshëm dhe krejt jo njerëzor. Në këtë sens e vlerësoj jo të dinjitetshme një sjellje të tillë”.

Sipas tij, kryeministri, çdo ditë e më tepër po shfaqet me veprime kontroverse.

“Fatkeqësia e jonë është fakti se njerëzit nuk janë në pozita që duhet të jenë. Çdo ditë e më tepër Ramushi po shfaqet me veprime kontroverse, krejt jo të duhura duke zbehur imazhin e tij prej heroi të luftës në atë të turpit të paqes”, shtoi ai.

Deralla nuk është dashur të provokojë

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërkaq, profesori universitar Muhamet Kelmendi, thotë se zonja Deralla nuk është dashur të dal në foltore për të mbajtur fjalime pa pasur leje nga protokolli.

“Institucionet në kuadër të qeverisë dhe të pushtetit shtetëror, ato kanë një plan program se për mbarëvajtjen e ceremonisë shtetërore. Nuk është desh së pari ajo gruaja që të dal pa leje në foltore”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Sipas tij, zonja në fjalë është dashur paraprakisht të bënte kërkesë për t’iu dhënë e drejta për fjalim

“Nëse me të vërtetë ajo është e familjes Deralla, sepse ai ka qenë një personalitet i shquar i kombit shqiptar. Por. Për mendimin tim ajo është dashur t’i drejtohet Qeverisë apo Kuvendit për t’ia dhënë të drejtën asaj për të folur në seancën solemne”.

Sipas Kelmendit, në manifestime të tilla nuk lejohet të dal në foltore pa pyetur askënd dhe të flas për gjërat që nuk i njeh.

“Ajo në formën e tillë nuk është dashur të provokojë një manifestim të tillë dhe është dashur të largohet nga bina, por nga organizatoret, e jo drejtë për së drejti nga kryetari i Kuvendit, presidenti, kryeministri. Por thjesht nga organizatorët që merren me ruajtjen dhe mbarëvajtjen e manifestimit”, shtoi Kelmendi.

Kryeministri Haradinaj largimin e zonjës Deralla me forcë e ka arsyetuar me faktin se në atë manifestim, ishte ai i zoti i shtëpisë.

“Aty kenë dy zgjidhje: Ja policia, ja unë. Zot shpie kam qenë”, ka thënë Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat