Politologu Xhenur Iseni, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se dita e sotme mund të quhet dita e diplomacisë së sinqertë.
"Dita e sotit ndryshe mund të quhet dita e diplomacisë së sinqertë, dita e dy liderëve që të pamundurën e bënë të mundur. Dy kryeministrat Zaev dhe Cipras po shkruajnë një pjesë të historisë bashkëkohore", ka deklaruar ai.
Për më tepër, ai ka thënë ditëve të kaluara nuk kanë protestuar shumë qytetarë dhe kjo tregon se qytetarët janë lodhur nga ky kontest shumëvjeçar.
"Sa i përket opozitës maqedonase kjo është mjeti i tyre i fundit që kanë për te fituar diçka sipas tyre, por do të dështojnë edhe pse do ta rrisin me të madhe dozën e nacionalizmit. Por edhe nga protestat e ditëve të kaluara nuk kanë protestuar shumë qytetar dhe kjo tregon se qytetarët janë lodhur nga ky kontest shumëvjeçar. Opozita mund ti nxitë ca kuazipatriot maqedonas që të bëjnë trazira me qëllim pengimin e marrëveshjes, por tani ato nuk kanë aparatin shtetërorë nën kontroll si më parë dhe nuk besoj se do të kenë guxim të bejnë budallallëqe të mëdha", ka shtuar ai për "Bota sot".
Ndërkaq, të hënën pritet që ligji për ratifikimin e marrëveshjes, të kalojë në Qeveri, ndërsa i njëjti do të dërgohet në Kuvend për miratim.
Iseni vlerëson se Presidenti Gjorge Ivanov mund të mbetet pengesë për këtë marrëveshje.
"Në Kuvend pritet të ratifikohet marrëveshja, por pengesa mbetet te Presidenti Ivanov", ka përfunduar Iseni për "Bota sot".