Zgjedhje të reja, “LDK të qartësojë vetën, nuk është ende e gatshme”

Politika

Zgjedhje të reja, “LDK të qartësojë vetën, nuk është ende e gatshme”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 17 qershor 2018 Në ora: 22:59
LDK

Partitë e koalicionit qeverisës në Kosovë e përjashtojnë çdo mundësi që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, ndërsa në një linjë me ta nuk janë edhe opozita, ku sipas tyre vendi duhet të shkojë sa më parë të jetë e mundur.

 E lidhur me këtë çështje, ka folur edhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Rexhep Shahu.

Analisti Shahu, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, konsideron se duhet të pastrohet skena politike dhe duhet të pengohet biznesi i votave, e pastaj sipas tij, Kosova do të ishte më e lirë nga pushteti.

Image
Rexhep Shahu

“Unë besoj se për momentin, edhe po te shkohet në zgjedhje të reja të parakohshme, nuk do të delte nga ato zgjedhje një qeveri me e qëndrueshme ose më shumë e qëndrueshme e me më shumë bazë se kjo. Duhet të pastrohet njëherë politika në një mënyrë, duhet të pengohet biznesi i votave dhe pushteti i të fortëve e pastaj Kosova do të ishte më e lirë nga pushteti i haracisteve. Në këto momente, po të shkohej në zgjedhje do të prodhohej e njëjta skenë politike e paqëndrueshme”, shprehet Shahu.

Tutje, Shahu potencon se LDK nuk është e gatshme të mbajë mbi supet e veta besimin e shumicës se popullit.

“Pastaj mendoj se ende LDK nuk është e gatshme të mbajë mbi supet e veta besimin e shumicës se popullit, ende nuk ngjall atë besim historik që ka mbajt mbi supet e saj, edhe ajo duhet të qartësojë vetën. Nëse vjen momenti që nuk thirret kush më në luftën e pabërë, në meritat e pamerituara, atëherë do të vinte një klasë politike jo gjobvenese për njerëzit. Sot bota dhe shoqëria shqiptare vuajnë dramën e rëndë të përpjekjes së politikaneve e zyrtarëve për të fshehë e për të ruajt pasurinë dhe askush nuk e ka mendjen tek qytetarët”, përfundoi Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat