Qeveria do të vetë-rrëzohet

Politika

Qeveria do të vetë-rrëzohet

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 18 qershor 2018 Në ora: 11:57
Qeveria e Kosovës

Ditë më parë është kërkuar nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj të kërkojë mocion të votëbesimit në Kuvendin e Kosovës, për të verifikuar legjitimitetin e Qeverisë së tij.

Por, sipas analistëve, një gjë e tilllë nuk do të kërkohet nga kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, sipas tyre, opozita është e pafuqishme në këtë drejtim pasi që nuk i ka votat e mjaftushme për të rrëzuar qeverin Haradinaj. 

Politologu Gurakuç Kuçi, ka shpjeguar për “Bota sot”, se kryeministri mund të kërkojë mocion të votëbesimit vetëm në tri raste.

Image
Gurakuç Kuçi

“Një kryeministër i bënë mocion votëbesimi vetvetes në tri raste: kur ai ka nevojë për legjitimitet për të vazhduar një proces të rëndësishëm përpara, kur ka nevojë dhe e ndjen veten të fuqishëm që të ia vërtetojë opozitës se ka fuqi dhe legjitimitet e ligjshmëri, dhe në rastin e tretë kur është mjaft i fuqishëm në elektorat dhe dëshiron ta dërgoj vendin në zgjedhje për ta rifituar një legjitimitet më absolut. Rasti i tretë madje në Kosovë është provuar nga Hashim Thaçi, ndërsa në Serbi nga Aleksandër Vuçiç, por bëhen edhe në vende të ndryshme të botës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Kuçi ka shtuar se kërkesa e opozitës për Haradinajn, tregon pafuqinë e saj për të rrëzuar qeverinë.

“Zakonisht kërkesa që Haradinaj të bëjë mocion votëbesimi për vetveten që vijnë nga opozita, tregon pafuqinë e opozitës për të rrëzuar qeverinë dhe provokim për ulje të moralit dhe legjitimitetit në publik të qeverisjes”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, ai ka thënë se një mocion i tillë nga Haradinaj nuk do të bëhet dhe se  nuk e sheh si një mundësi për kalimin  e kaosit poltik që është krijuar në vend.

“Dhe ky mocion për vetveten nga Haradinaj nuk do të bëhet dhe as nuk është një mundësi për kalimin e kaosit politikë, sepse klasa politike si tërësi është pa legjitimitet, e përçarë së pari brenda vetë grupeve të tyre e pastaj në tërësi dhe që iu ka skaduar afati”, ka përfunduar Kuçi për “Bota sot”.

Edhe analisti politik, Faik Krasniqi nuk beson se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj mund të kërkojë mocion të votëbesimit në Kuvend. Por, sipas tij, opozita duhet të bëjë një gjë të tillë.

Image
Faik Krasniqi

"Nuk besoj që kryeministri Haradinaj do të kërkojë mocion të votëbesimit në Kuvend për të verifikuar legjitimitetin. Mirëpo, opozita është ajo që duhet ta bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot".

Por, per këtë çështje, Krasniqi është shprehur skeptik se opozita nuk i ka votat.

"Por, jam skeptik që opozita i ka votat për rrëzimin e qeverisë, sepse në të kundërtën do ta kishte bërë shumë kohë më parë. Një gjë të tillë e kanë pranuar edhe përfaqësuesit e opozitës”, ka përfunudar Krasniqi për “Bota sot".

Një gjë të tillë nuk e beson as analisti poltik, Faton Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

“Nuk besoj se qeveria kërkon mocion, por nëse i ka numrat dhe kërkon mocion dhe fiton atëherë forcohet pozicioni i qeverisë karshi opozitë. Ndërkohë, që opozita duhet të fitojë, ndonjë votë nga qeveria për të rrëzuar qeverinë”, ka thënë ai.

Sipas tij, opozita nuk e ka guxuimin për të marrë veprime të tilla,  por, ai mendon se qeveria do të vetërrëzohet.

“Ndryshe nuk guxon opozita të futet në manovra që mund të forcojë qeverinë, prandaj duhet të ketë kujdes. Gjithsesi kjo qeveri do vetë-rrëzohet, pasi nuk është i qendrueshëm në sensin se është e brishtë. Kosova mund të dalë nga kjo gjendje falë vendosmërisë së opozitës, e cila duhet t'i bëjë presion kësaj qeverie në çdo formë për të rrëzuar sa më parë”, ka theksuar Mehemti për “Bota sot”.

Ndërsa, në fund, Mehmeti e cilëson qeverinë Haradinaj si më të dobëtën dhe më të dëmshmen që Kosova ka pasur ndonjëherë, duke rrezikuar të shtojë varfërinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat