Qeveria po vazhdon të dështojë

Politika

Qeveria po vazhdon të dështojë

Faton Mehmeti Nga Faton Mehmeti Më 19 qershor 2018 Në ora: 13:02
Qeveria e Kosovës, foto arkiv

Vitet po i kin shpejt, vazhdojmë të shpresojmë  se e nesërmja do të jetë më e mirë, por realiteti nuk ndryshon. Fatkeqësisht, Kosova veç formalisht është shtet, mekanizmat e saj shtetërorë nuk funksionojnë, për më tepër sovraniteti i saj çdo ditë e më tepër po pëson degradim. Si rezultat i keqqeverisjes vendi ynë po pëson çdo ditë e më tepër dështime, si në fushën e jashtme ashtu edhe atë të brendshme.

Kosova lëngon nga institucione të paqëndrueshme, gjyqësor të korruptuar, pasurime të paligjshme të elitave të qeverisjes, partizim të skajshëm të shoqërisë, mos diferencim të partisë nga shteti, shpërndarje ekstremisht të pabarabartë të zhvillimit dhe të ardhurave, krijimit të “kapitalizmit politik”, si dhe sistem të ekonomisë jofunksionale, ku as për së afërmi nuk sigurohen shanse të barabarta për të gjithë. Limitimi i konkurrencës së mirëfilltë në të gjitha fushat e jetës për një pakicë ekstreme krijon nivele më të larta të çmimeve mesatare në regjion, e përfitime monopole dhe për shumicën e gjerë krijon shtresa në nevojë. Ky fragmentim socio-ekonomik si në epokën e një kapitalizmi të egër bëhet gjithnjë e më i padurueshëm dhe shkakton pakënaqësi dhe tensione të vazhdueshme sociale. Në pak shtete mund të gjenden “modele” ku për më pak se një dekadë në mënyrë marramendëse u shumëfishua pasuria e individëve politikanë ose të afërt me ata që humbin kuptimin për përgjegjësi shoqërore dhe solidaritet minimal në shoqëri. Shumë të pakta janë rastet e pasurimit të afaristëve me meritë përmes një sistemi konkurrent të një ekonomie të lirë tregu, siç definohet normativisht sistemi.

Politika e jashtme ka pësuar dështime të njëpasnjëshme, pa vizion të qartë dhe me njerëz të inkriminuar në krim, nuk pritej diçka tjetër. Liberalizim i vizave ka ngecur pasi institucionet nuk e luftojnë korrupsionin, pasi edhe vetë janë të korruptuar.

Korrupsioni po vret të ardhmen e këtij populli. Indeksi i perceptimit të korrupsionit në Kosovë sipas Amnesty International është 2.9, dhe klasifikohet si nivel i korrupsionit të “shfrenuar”. Organizata për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik, ka raportuar gjithashtu se “Kosova mbetet tolerante ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet, që nënkupton se rrezikun i të qenurit (apo edhe është aktualisht) ”shtet i kapur” është i lartë.

Liria e shprehjes është e kufizuar ndonëse shumica e mendjeve të hapura dhe popujve të civilizuar kanë ecur përpara përmes të vërtetës. Kur e vërteta nuk thuhet, kur fshihet dhe deformohet, popujt nuk ecin përpara. E vërteta është busulla e popujve.

Si duket në realitet nuk po dimë të bëjmë shtet, mallkim po na ndjek si hije pas. Pa ndryshim të mentalitetit nuk do të arrijmë të ecim tutje, duke ngecur aty ku nuk e meritojmë për shkak të lashtësisë. Mallkimi i Kosovës ka qene dhe mbetet politika, posaçërisht kjo e sotme e cila po vjedh  në pikë të ditës, duke ia vjedhur ëndrrat të rinjve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat