Skenarët e fazës finale të dialogut dhe roli thelbësor i SHBA-së

Politika

Skenarët e fazës finale të dialogut dhe roli thelbësor i SHBA-së

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 19 qershor 2018 Në ora: 21:14
Bruksel

“Roli i SHBA-ve është jo vetëm evident por thelbësor. Janë diplomatët amerikan ata, të cilët e kanë bërë të qartë se normalizimi i raporteve ndërmjet dy shteteve duhet të merr formë përfundimisht në vitin 2019. Pa kërkesat dhe presionet pozitive të diplomatëve amerikan, ky proces do të vonohej edhe disa vite”, ka thënë politologu Mentor Tahiri për “Bota sot”.

Kohë më parë është raportuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë pjesë e dialogut të Kosovë –Serbi.

Të njëjtën e kanë konfirmuar edhe Qeveria e Kosovës, po ashtu edhe ajo e Serbisë.

Nga ShBA dhe nga BE është demantuar një gjë e tillë.

Ambasador i Amerikës në Serbi, Kyle Scott, ka deklaruar se Bashkimi Evropian duhet ta vazhdojë udhëheqjen e dialogut, kurse marrëveshja finale është diçka që i takon Prishtinës dhe Beogradit.

“BE-ja po e udhëheq dialogun dhe jemi të kënaqur me formatin, mendoj se duhet të vazhdojë kështu. Dialogu është në ndërmjetësim nga BE-ja dhe nuk ka kërkesë për ta ndryshuar formatin. Ne do të vazhdojmë të jemi pjesëmarrës në bisedime”, ka thënë Scott.

Lidhur me këtë çështje, Enver Bytyçi, drejtori i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore (ISEJ) dhe profesori në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ka thënë për “Bota sot” se çështja e pjesëmarrjes në dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit ka qenë gjithnjë një temë e preferuar për diskutim në Kosovë edhe në Serbi.

Image
Enver Bytyçi

“Sipas orekseve është trajtuar dhe si e tillë ka pasur ndikim në opinion. Ndërsa Kosova e ka dëshiruar dhe e dëshiron një gjë të tillë, që SHBA-të të bëhen pjesë e këtij dialogu, Serbia ka vënë kushtin, sipas të cilit, “Nëse SHBA-të bëhen pjesë e këtij dialogu, atëherë edhe Rusia duhet ta ketë këtë të drejtë”. Kësisoj shihet se vihet një paralelizëm midis SHBA-ve dhe Rusisë. Por SHBA-të nuk duan që të bëhen pjesë e dialogut. Ato e ndihmojnë Prishtinën me ekspertizë dhe këshilla, por nuk kanë dëshirë të bëhen palë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Bytyqi: BE është në konflikt me vetveten, me shtetet me peshë anëtare të saj

 

Sipas , ky hezitim i Uashingtonit për të qenë pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd ka disa arsye, e para është administrate e sotme e SHBA-ve nuk ka besim në këtë dialog

"Së pari, administrata e sotme e SHBA-ve nuk ka besim në këtë dialog. E vërteta është se edhe vetë Kosova, madje edhe Serbia nuk janë të bindur në rezultatet pozitive të këtij dialogu. Besimin për sukses e venit përçarja në radhët e vendeve të BE-së. Sidomos Spanja është kundërshtuese po aq sa Serbia në pohimin e realitetit të ri në Kosovë. Kjo dëshmon se BE është në konflikt me vetveten, me shtetet me peshë anëtare të saj. Janë pesë shtete, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Këto pesë shtete ruajnë të drejtën e vetos në çdo rast sa i përket kulaçit që mund t’i afrohet palëve, në rastin konkret Kosovës. Prandaj dhe rezultati I bisedimeve është i dyshimtë, i kompromentuar”, ka deklaruar profesori.

Ndërsa, e dyta sipas tij, SHBA-të nuk kanë besim te vetë Bashkimi Europian, duke u bazuar në thirrjet e presidentit amerikan Donald Trump në samitin e G7-ës.

“Së dyti, SHBA-të nuk kanë besim te vetë Bashkimi Europian. Thirrja që bëri Trump në samitin e G7-ës për të pranuar rikthimin e Rusisë në këtë grup vendesh më të fuqishme të botës është një paralajmërim për Europën. Unë e lexoj këtë qëndrim të amerikanëve si pajtim me dëshirën ruse për t’u rikthyer te bashkekzistenca, rivaliteti dhe vendimmarrja e përbashkët me Rusinë, ashtu siç bëhej para vitit 1990. Kjo do të thotë shpërfillje e Europës, ky mund të jetë një sinjal paralajmërues: “Diskutoni ju, dialogoni, por vendimet nuk i merrni ju”! Nuk e di se ka apo jo këtë kuptim edhe deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd, kur thoshte se janë Kosova dhe Serbia ato që në fund duhet të marrin vendimet. D.m.th. edhe pse BE merr pjesë në dialog, asaj sipas kësaj deklarate i hiqet e drejta të marrë vendime”, ka thënë Bytyçi.

“Në fund të fundit janë SHBA-të dhe Rusia ato që do të vendosin për Kosovën dhe Serbinë”

Kurse, e treta sipas tij është besueshmëria e këtyre bisedimeve dhe dialogut është kompromentuar nga paaftësia e shefes për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së, Frederika Mogherini dhe se në fund të fundit janë SHBA-të dhe Rusia ato që do të vendosin për Kosovën dhe Serbinë.

“Së treti, besueshmëria e këtyre bisedimeve dhe dialogut është komprementuar nga paaftësia e shefes për Siguri dhe Politikë të Jashtme të BE-së, Frederika Mogherini. Ajo nuk ka dëshmuar as dhjetë përqind të autoritetit dhe aftësive diplomatike të Baroneshës Eshton. Nëse keni vënë re procesin e zhvilluar nën Mogherinin, atëherë do të shihni se të gjitha ngërçet, problematikat, konfliktet e kanë burimin në marrëveshjet e nënshkruara nën kujdestarinë e saj. Për këtë arsye mund të besohet se procesi i dialogut është i dështuar, ende pa nis. Në fund të fundit janë SHBA-të dhe Rusia ato që do të vendosin për Kosovën dhe Serbinë. Nuk është e nuk do të jetë Bashkimi Europian. Kjo sepse këto dy Fuqi të Mëdha janë pjesë e Këshillit të Sigurimi”, ka shpjeguar ai për “Bota sot”.

Ndërsa, ai beson se nga pikëpamja gjeopolitike dialogu do të dështojë edhe se Rusia dëshiron që pas dështimit ajo të bëhet pjesë e zgjidhjes, por duke përdorur si karmë Krimenë, Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë.

“Kosova ka shërbyer gjithmonë si kasus i Kremlinit për ndërhyrjet e veta në këto tri rajone. Kështu që është dhënë me kohë mesazhi, sipas të cilit “Lëshoni ju në këto tri rajone, të bëj unë lëshimin për Kosovën”! Në këtë rast Uashingtoni dhe Moska llogarisin dështimin e dialogut me kujdestarinë e Bashkimit Europian të Mogherinit.  Prandaj dhe SHBA-të nuk duan të jenë pjesë e këtij dialogu, të cilin nuk e besojnë si fer dhe e konsiderojnë të dështuar. Të udhëheqë Mogherini një dialog kaq serioz e të besosh se ai do të ketë sukses, duhet të jesh miop. Pa llogarit këtu problemet e brendshme të vetë BE-së, sidomos në raportet me Kosovën”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Leon Duhanaj

Duhanaj: Në dialog të përfshihet edhe Gjermania

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Leon Duhanaj, ka thënë për “Bota sot” se pjesë e dialogut të Kosovës me Serbinë duhet të jetë edhe Gjermania, pasi që kjo e fundit që nga fillimi ka qenë një lloji garantuesi dhe shtytëse e  këtij procesi.

“Zhvendosja e dialogut nga ombrella e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendosja nën ombrellën e Unionit Europian (UE), ishte hapi më i rëndësishëm dhe me pozitiv në ketë aspekt, duke ndikuar që të anashkalohet ndikimi rus. Tani, vetë procesi si i tillë, ishte shumë i stërzgjatur, pa ndonjë platformë të çartë dhe pa ndonjë përkufizim të përafërt kohorë. Kërkesat  e qeverisë së Kosovës për inkuadrimin amerikan në ketë proces janë me shumë se legjitime dhe për mendimin tim shumë me vend. Përpos amerikanëve patjetër duhet të kenë të përfshirë edhe gjermanët. Mendoj se Gjermania, që nga fillimi ka qenë një lloji garantuesi dhe shtytëse e  këtij procesi. Ndoshta zyrtarisht nuk do të jenë pjesë e këtij procesi, por besoj fortë se si amerikanët, ashtu dhe gjermanët, do ta përcjellin rrjedhën e procesit dhe do të kenë qasje aktive në të”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar se mund të ndodhë që si shkallë presioni, përmes organizimit të ndonjë konference speciale të tipit të Rambujesë, t'i shtyjnë palët deri në nënshkrimin e ndonjë marrëveshjeje përfundimtare.

“Mund të ndodhë që, nëse palët kanë dhënë premtime për kompromise të ndryshme dhe, gjerë me tani kanë qenë jo transparent kundrejt qytetarëve respektiv. Mund të ndodhë që si shkallë presioni dhe për t'ua bërë me të lehtë kompromiset, t'i obligojnë përmes organizimit të ndonjë konference speciale të tipit të Rambujesë, t'i shtyjnë palët deri në nënshkrimin e ndonjë marrëveshje përfundimtare. Kjo mund dhe besoj që do të ndodhë tek në përmbyllje të procesit, ku akti i nënshkrimit të jetë ceremonial dhe, të promovohet në skenën e marrëdhënieve ndërkombëtare si akt i realizimit të paqes së përhershme. Nuk është larg mendsh që nënshkruesit të shpërblehen me ndonjë çmim të tipit Nobel për Paqe, me çka edhe mund të kuptohet insistimi i Presidentit Thaçi, që me çdo kusht të jetë bartës i këtij dialogu”, ka përfunduar, Duhanaj për "Bota sot".

Image
Mentor Tahiri

Tahiri: Roli i SHBA-së thelbësor

Politologu Mentor Tahiri ka thënë për “Bota sot” se, në kuadër të “procesit” të Brukselit, SHBA-të nuk kanë qenë asnjëherë zyrtarisht të përfshira, por sipas tij, roli i tyre është thelbësorë në bisedime.

“Angazhimet diplomatike nuk janë diçka krejtësisht transparente, ndryshe palët e përfshira do të humbnin shumë nga hapësira e veprimit. Në kuptimin formal, në kuadër të “procesit” të Brukselit, SHBA-të nuk kanë qenë asnjëherë zyrtarisht të përfshira. Pavarësisht kësaj, roli i SHBA-ve është jo vetëm evident por thelbësor. Janë diplomatët amerikan ata, të cilët e kanë bërë të qartë se normalizimi i raporteve ndërmjet dy shteteve duhet të merr formë përfundimisht në vitin 2019. Pa kërkesat dhe presionet pozitive të diplomatëve amerikan, ky proces do të vonohej edhe disa vite”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka thënë se mund të bëhet Organizimi i një “Rambujeje” të dytë por në një formë tjetër, dhe se bohet të përqendrohemi tek një kompromis të mundshëm.

“Organizimi i një “Rambujeje” të dytë mund edhe të bëhet në një formë apo tjetër, por është pikëpyetje hedhja e një paraleleje me Konferencën e Rambujesë të vitit 1999. Statusi i Kosovës më nuk diskutohet dhe në këtë drejtim angazhimet diplomatike kanë si temë në të cilën përqendrohen një kompromis të mundshëm që Beogradit zyrtar do t’i mundësojë që të mos paraqitet si humbës total para opinionit serb, kurse Kosovës do t’i mundësojë rrumbullakimin e plotë të subjektivitetit ndërkombëtar si shtet i pavarur”, ka potencuar Tahiri për “Bota sot”

Gjithashtu, ai ka thënë Rusa deri tani nuk ka bërë të qartë se me çfarë kushtesh mund të mos përdorë të drejtën e vetos në rastin e Kosovës.

“Ajo që tani për tani mbetet për tu parë, është angazhimi rus. Federata Ruse ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Për anëtarësim të plotë në OKB, duhet kaluar nëpër Këshillin e Sigurimit. Federata Ruse deri tani nuk ka bërë të qartë se me çfarë kushtesh mund të mos përdorë të drejtën e vetos në rastin e Kosovës, por është e pritshme që ajo të ketë kërkesat e saj të cilat nuk kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me interesat e Serbisë”, ka përfunduar Tahiri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat