Zhvillime në prapaskenë për platformën e bisedimeve me Serbinë?

Politika

Zhvillime në prapaskenë për platformën e bisedimeve me Serbinë?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 21 qershor 2018 Në ora: 07:08
Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi në bisedimet në Bruksel me Frederica Mogherini

“Ne kemi qëndrimin zyrtar të lidershipit të partisë se platforma aktuale është me mjaft mangësi dhe bie ndesh me parimet kushtetuese.  Ne do e vlerësojmë përmbajtjen e platformës, interesin nacional, arritjen e konsensusit politik dhe nuk merremi me emra individësh”, ka nënvizuar Deputeti i LDK-së Naser Rugova.

Ka disa ditë që Qeveria ka tërhequr nga Kuvendi i Kosovës, platformën për bisedimet me Serbinë.

Partitë opozitare e kanë vlerësuar si të mangët këtë platformë dhe nuk kanë pranuar që udhëheqës i fazës finale të bisedimeve të jetë Presidenti Hashim Thaçi.

Tryezat politike të mbajtura kohëve të fundit kanë pasur për qëllim edhe gjetjen e një marrëveshje lidhur me dialogun, mirëpo ende nuk është gjetur një zgjidhje adekuate.

Në anën tjetër, është vlerësuar se Qeveria aktuale është e varur nga Presidenti Thaçi.

Image
Lirim Zorra

Zhvillime në prapaskenë?

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti politik Lirim Zorra, ka vlerësuar se mënyra e qasjes së pozitës dhe Presidentit  ndaj  opozitës në rast ka qenë jo e mirë.

“Kjo besoj se ka qenë më shumë qasje jo korrekte që presidenti në këtë fazë ta marrë udhëheqjen e bisedimeve kur në vitet paraprake gjithmonë qeveria dhe  kryeministri e kanë udhëhequr. Unë po ashtu nuk besoj se qeveria do të bjerë për këtë platformë pasi kemi disa zhvillime në prapaskenë nga ana e ambasadorit amerikan i cili synon ta bind Isa Mustafën për votën pro të LDK-së. Kjo po ashtu është duke ndodhur me vizita private në shtëpinë e kryetarit të LDK-së, mirëpo  besoj  që  një kompromis  midis LDK-së dhe qeverisë mund të gjendet në atë që LDK-ja pajtohet  ta jap votën për të mirën e "shtetit të Kosovës" , ndërsa në anën tjetër qeveria dhe partnerët e saj pajtohen me një datë për zgjedhje të parakohshme të cilat i synon LDK-ja. Andaj në këtë formë besoj se mund të zhvillohen ngjarjet rreth platformës dhe zgjedhjeve të parakohshme”, ka thënë analisti Lirim Zorra.

Image
Naser Rugova

Rugova: Platforma aktuale është me mjaft mangësi

Mirëpo, këtë e ka demantuar  Naser Rugova, Deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke thënë se në parti nuk e kanë diskutuar mundësinë që LDK t`i thotë po platformës në këmbim të datës së zgjedhjeve.

“Mund të them me përgjegjësi se kjo çështje në GP të LDK nuk është diskutuar.  Ne kemi qëndrimin  zyrtar të lider shipit të partisë se platforma aktuale është me mjaft mangësi dhe bie ndesh me parimet kushtetuese.  Ne do e vlerësojmë përmbajtjen e platformës, interesin nacional, arritjen e konsensusit politik dhe nuk merremi me emra individësh”, ka nënvizuar Rugova.

Kurse, opinionisti Nexhat Haziri, ka thënë për “Bota sot” se refuzimi i të ashtuquajturës platformë e qeverisë për bisedimet me Serbinë që është kundërshtuar nga opozita dhe e cilësuar si gjithçka tjetër, përveç platformë jo, në rast të refuzimit të saj në Kuvendin e Kosovës, do të krijoj një ngërç politik dhe institucional.

Image
Nexhat Haziri

“Vazhdimi i punës së Qeverisë i konvenon vetëm Thaçit”

Sipas tij, pikërisht kjo përbën një arsye të fortë për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

“Kurse, sa i përket rolit të presidentit Thaçi në funksionimin e kësaj qeverie, mendoj se vazhdimi i saj i konvenon vetëm Thaçit, pasi ai duke parë një kryeministër të dobët dhe të papërgatitur e të pa dije në qeverisje dhe politik-bërjen për postin që e mbanë. Pra, këto mangësi të Haradinajt përbejnë avantazhe për Thaçin që ti forcoj pozitat e tij të vendimmarrjes edhe përtej kompetencave që i parasheh kushtetuta e vendit si president. Andaj, Thaçi do mundohet më të gjitha mjetet që ta mbajë në pushtet Haradinajn, dhe koalicionin qeverisës”, ka thënë opinionisti Haziri.

Image
Faik Krasniqi

Ndërsa, politologu  Faik Krasniqi ka thënë se dialogu me Serbinë është një çështje që i takon gjithë spektrit politik dhe popullit të Kosovës, dhe çdo kompromis me Serbinë do të thotë rrezikim i sovranitetit të Kosovës.

Krasniqi: Opozita t`i sigurojë votat për rrëzimin e Qeverisë

Ai ka thënë se ekzistojnë me qindra arsye për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, por opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar atë.

“Zgjedhjet e parakohshme nuk do ta zgjidhnin çështjen e dialogut, sepse prapë do të kishim probleme rreth asaj se kush do ta udhëheq dialogun me Serbinë, por me rëndësi është opozita mos ta aprovojë Presidentin Thaçi si udhëheqës të këtij dialog. Thaçi është faktor për çdo gjë në skenën politike të Kosovës, por ai ka çmim të lartë. Nëse Thaçi e rrëzon këtë Qeveri, atëherë do të thotë që pas zgjedhjeve ai do të bëhet udhëheqës i dialogut me votat e partisë opozitare me të cilën PDK-ja bën koalicion, dhe nuk do të ishte asnjë zgjidhje në të mirë të shtetit dhe qytetarëve të saj, por vetëm ndërrim i pozicioneve të partive politike”, është shprehur Krasniqi.

Prandaj, sipas tij, opozita duhet të bëj të pamundurën që t'i siguroj votat për një mocion të rrëzimit të kësaj Qeverie, në mënyrë që koalicioni i ardhshëm i përbërë nga opozita e tanishme, t'i udhëheq bisedimet me Serbinë.

Subjektet politike opozitare kanë bërë thirrje vazhdimisht për rrëzimin e Qeverisë duke theksuar se edhe platforma për dialogun mund të jetë një nga arsyet që të punohet në këtë drejtim.

Image
Drita Millaku

Millaku: Kjo qeveri është me bazë kriminale

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Drita Millaku, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se arsyet për rënien e qeverisë tashmë janë të shumta.

“Mendoj se kjo qeveri është me bazë kriminale dhe me parime mafioze gjë që do të jetë  vështirë rrëzimi i qeverisë, për shkak të rënies së logjikës demokratike dhe atë në baza reale. Nuk ka asnjë arsye të qëndrojë kjo qeveri dhe thënë realisht rënia e qeverisë do të shkonte në dobi jo vetëm të shtetit të Kosovës por edhe të vet partive të koalicionit për të mos vazhduar me gabime”, ka thënë deputetja Millaku.

Image
Blerim Burjani

Njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani, ka thënë se ka shumë arsye për të shkarkuar këtë qeveri të dëmshme me përplot skandale.

Sipas tij, për të rrëzuar këtë qeveri megjithatë kërkohet mocion, dhe duhet pas numrat për të ndal këtë qeveri zhvatëse, dhe duhet të plotësohen kriteret ligjore e sidomos ato kushtetuese për të ndal edhe më tutje skandale të pakuptimta.

“Pra duhet ndaluar një varg vendimesh amatoreske në mungesë të profesionalizmit dhe një kabineti të mirëfilltë ka bërë që të ketë vendime të kësaj natyre të pa pranueshme, pasi kjo qeveri dhe ky mandatar është i shlyer nga ndjenja morale dhe ligjore”, ka thënë njohësi i çështjeve politike dhe juridike Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat