Behgjet Pacolli thotë kemi punuar për INTERPOL, Shala i kundërpërgjigjet!

Politika

Behgjet Pacolli thotë kemi punuar për INTERPOL, Shala i kundërpërgjigjet!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 21 qershor 2018 Në ora: 20:21
INTERPOL

Në Asamblenë e Përgjithshme, e cila do të mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe, në nëntor të këtij viti do të zhvillohet agjenda për Kosovën ku gjasat janë të mëdha që Kosova të bëhet pjesë e INTERPOL-it.

Kjo shpresë u shtua në Lyon të Francës, dhjetë ditë më parë ku në mbledhjen e këshillit ekzekutiv të Interpolit me shumicë votash u votua që për Kosovën të vendoset në nëntor në Dubai.

Image
Behgjet Pacolli

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka thënë se Kosova ka punuar shumë në këtë drejtim dhe se, anëtarësimi i Kosovës në Interpol nuk përbën kërcënim për askënd.

Por, Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, ka konsideruar se anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL nuk është aspak i lehtë për t’u realizuar.

“MPJ-ja e Kosovës nuk ka punuar në mënyrë aktive në këtë proces dhe gjasat që ky anëtarësim të ndodhë tani do të jenë tejet të vështira”, ka thënë Shala për gazetën “Bota sot”.

Image
Drizan Shala

Sipas tij, do të duhej që institucionet e Kosovës të punonin me intensitet të shtuar, në mënyrë që ta hartonin një strategji për rrugëtimin drejt INTERPOL-it.

Nëpërmjet kësaj strategjie Shala thotë se, do të duhej të lobohej te vendet që janë mike të Kosovës, por edhe te ato të cilat e kanë njohur Kosovën si shtet porse kanë pasur qëndrim kundër anëtarësimit në INTERPOL deri më tani.

Kosova kishte aplikuar edhe vitin e kaluar për anëtarësim në mekanizmin ndërkombëtar policor, INTERPOL.

Ajo ishte futur në agjendën e Komitetit Ekzekutiv të kësaj organizate, në mënyrë që të votohej për pranimin e saj në Asamblenë e Përgjithshme vjetore të kësaj organizate, e cila u mbajt më 17 shtator të vitit 2017, në Pekin. Por, nga pasiguria se do të siguronte votat e mjaftueshme për pranim, kishte tërhequr kandidaturën.

Këtë herë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kishte vendosur që të shtynte përsëri aplikimin për anëtarësim në INTERPOL, me arsyetimin se Kosovës do t’i mungonin votat nga disa shtete dhe se nuk dëshironte të përsëritej e njëjta histori si me anëtarësimin në UNESCO.

Ishte raportuar se një gjë e tillë kishte ndodhur pasi aleatët ndërkombëtarë të Kosovës, i kishin kërkuar Haradinajt të mos aplikonte sepse Kosova nuk e kishte përkrahjen e nevojitur dhe se nuk do të siguronte votat pro anëtarësimit.

Asambleja e Përgjithshme e Interpolit, këtë vit do të mbahet në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku Kosova do ta ketë rastin që të aplikojë për anëtarësim në Interpol.

Ndërkohë, Palestina dhe Ishujt Solomon ishin pranuar në këtë organizatë vitin kur Kosova u largua.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat