“Çarje ndërmjet aleatëve të koalicionit të territ”

Politika

“Çarje ndërmjet aleatëve të koalicionit të territ”

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 qershor 2018 Në ora: 21:39
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj

Koalicioni qeverisës është në një çarje apo lëkundje dhe deklarata e Limajt në Skenderaj, sipas analistëve politikë, mund të konsiderohet si parapërgatitje për zgjedhje të reja.

Fatmir Limaj ish- nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe njëri ndër figurat kyçe të kësaj partie, pas dorëheqjes nga PDK-ja, me formimin e partisë së tij, nuk ka “kursyer”, akuza ndaj ish-partisë.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, të shtunën në Skenderaj ka hapur punimet e Kuvendit në këtë degë, gjersa nga aty ka bërë komente për punën e tij në të kaluarën.

Ai është shprehur se gjatë kohës sa kishte qenë ish-ministër i transportit nga radhët e PDK-së, kishte larguar 97 përqind e baltës nga fshatrat e Skenderajt, gjersa ka shtuar se për punën e tij kanë marrë vota të tjerët duke bërë fushatë.

 “Unë ndihem mirë që jam në Skenderaj në një qytet dhe një komunë, që kur kam ardhë në qeverisje në 2007-en, si ministër i Transportit, 97 për qind e fshatrave të Skenderajt kanë qenë në lloq. Dhe kur kam dalë në 2008-en, 98 për qind të fshatrave të Skenderajt kanë qenë të asfaltuara”, kishte deklaruar Limaj.

Duke iu përgjigjur këtyre deklaratave të Limajt, ish-kryetari i Skenderajt thotë se Limaj ka kontribut në Skenderaj, mirëpo jo fuqi.

 “Limaj nuk po arrin të krijojë as nëndegë në Skenderaj. Ajo që e ka krijuar janë vetëm disa individë”, ka thënë Lushtaku.

Mehmeti: Limaj po tregon mos sinqeritet me të shkuarën e tij

Ndërkaq, analistët politikë thonë se Limaj që nga dalja e PDK-së veprimtarinë e tij e ka kthyer personale, gjersa shtojnë se deklarata e tij mund të jetë edhe përgatitje për zgjedhje të reja.

Analisti politik, Faton Mehmeti, duke komentuar deklaratën e Limajt, thotë se ai gjithë veprimtarinë e tij e ka kthyer në personale që nga dalja e PDK-së.

Image
Faton Mehmeti

Sipas Mehmetit, nëse PDK-ja ka instaluar korrupsionin dhe keq qeverisjen në vend, pjesë e saj kishte qenë edhe Limaj, prandaj sipas tij, duke akuzuar PDK-në Limaj tregon mungesë sinqeriteti.

“Mendoj se Limaj e ka kthyer në personale gjithë veprimtarinë e tij që nga dalja prej PDK-së. Duke e vuajtur ende mos marrjen e të parit të PDK-së, po sulmon vazhdimisht Kadri Veselin, i cili ia treti ëndrrën e Limjat për ta udhëhequr partinë e dikurshme. Duke hedhur baltë mbi PDK, Limaj po tregon mos sinqeritet me të shkuarën e tij. Nëse PDK instaloi korrupsionin dhe keq qeverisjen në vend duke kapur shtetin, pjesë e saj ishte edhe Limaj, tani të akuzosh PDK-në për gjëra kur ishte pjesë e saj, tregon mungesë sinqeriteti të Limajt. Ky i fundit ka qenë ndër kryesorët në këtë parti, e cila ka dëmtuar shumë Kosovën”, ka theksuar Mehmeti.

Krasniqi: Edhe partneri më i vogël mund ta dërgojë vendin në zgjedhje nëse tërhiqet nga Qeveria

Ndërkaq, analisti politik Faik Krasniqi, thotë se Limaj kishte lëshuar akuza ndaj ish-partiakëve edhe në të kaluarën, mirëpo tani mund të jetë edhe parapërgatitje për zgjedhje të reja.

Image
Faik Krasniqi

“Fatmir Limaj ishte një ndër themeluesit e PDK-së  dhe një nga figurat qendrore të kësaj partie. Dihet edhe historia e Fatmir Limaj me PDK-në dhe ndarja nga kjo parti, që rezultoi me themelimin partisë Nisma. Edhe sa ka qenë pjesë e kësaj partie dhe ka pasur pakënaqësi me pjesën tjetër të PDK-së, ka thumbuar dhe lëshuar akuza drejt ish bashkë partiakëve të tij. Ka mundësi që z. Limaj dhe partia e tij janë duke u përgatitur për zgjedhje, por ekziston mundësia që kjo është veç matje pulsi drejt partnerëve të koalicionit, sepse edhe partneri më i vogël mund ta dërgojë vendin në zgjedhje nëse tërhiqet nga Qeveria”, ka pohuar Krasniqi.

Partia e Fatmir Limajt, Nisma Socialdemokrate së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 11 qershorit të vitit të kaluar, kishin garuar bashkë si koalicion parazgjedhor, koalicion ky që rezultoi me formimin e qeverisë.

Pakënaqësitë gjatë fushatës, por edhe pas saj ishin vrejtur nga të dyja partitë, ndërkaq me deklaratën e Limajt, analistët politikë thonë se mbetet të shihet nëse janë shtuar përçarjet dhe kësisoj të rezultojë me përfundimin e kësaj qeverie.

“Mbetet të shihet në javët në vijim se deklarata e tij ka qenë thjesht thumbim, apo përçarjet mes tyre janë thelluar. Nëse përçarjet mes tyre veçse janë thelluar, atëherë jo më larg se në vjeshtë vendi do të shkon në zgjedhje”, ka deklaruar Krasniqi.

Fundi i qeverisjes

Ndërkaq, sipas Mehmetit, këto akuza brenda për brenda koalicionit, tregojnë përfundimin e mandatit.

 “Duke qenë koalicion i të korruptuarve po mundohen secili të akuzojnë tjetrin, si plasaritje e mos durimit nga njëri- tjetrin, e në fakt janë të gjithë njësoj. Kjo qeveri nuk zgjat në mandat të plotë, andaj po mundohen të akuzojnë njëri- tjetrin në favor të vetes. Në këtë koalicion janë bërë bashkë tërë kupola e krimit dhe korrupsionit”, ka shtuar Mehmeti.

Kelmendi: Haradinaj po e mbanë peng Kosovën

Image
Jeton Kelmendi

Kurse, analisti politik Jeton Kelmendi, ka thënë se çështja e Limajt në Skenderaj, tashmë tregon hapur një hendek dhe një çarje në mes të aleatëve të koalicionit të territ.

Sipas Kelmendit, Limaj ka bërë investime në Drenicë, por lëkundje ekzistojnë lëkundje tashmë në koalicion qeverisës.

“Deklarata e zëvendëskryeministrit dhe kreut të partisë Nisma, Fatmir Limaj, se edhe ai ka bërë punë një punë të madhe sa ishte ministër i PDK-së, pra ministër i transportit, janë deklarata të vërteta, sepse realisht pati bërë investime të mëdha në pjesën rrugore në Drenicë, në vendlindjen e kreut shpirtëror Hashim Thaçit. Në anën tjetër, mund të shihen edhe si një çështje që tregon hapur një hendek, një çarje ndërmjet aleatëve të koalicionit të territ. Mendoj se këtu ka të vërtetë dhe gjërat kur i thonë njëri-tjetrit, sepse këta kanë qenë bashkë me një krahë, me një parti etj etj, gjëra që ia thonë njëra-tjetrës, ia dinë faktet njëra-tjetrës, fundi i fundit të mirën dhe të keqen që e kanë bërë, e kanë bërë bashkë, kësisoj unë mendoj se kanë një lëkundje, por kjo lëkundje i mban për shkak të interesave të tyre, sidomos PDK-së që është në rënie të lirë, në anën tjetër po e mban apetitet e sëmura patologjike kryeministri i cili po e mban peng Kosovën si gjithmonë në shërbim të individit në shërbim të familjes Haradinaj”, ka pohuar Kelmendi.

Tutje, ai shprehet se Nisma Socialdemokrate është duke bërë fushatë.                            

“Nisma është duke bërë fushatën, sipas disa burimeve dhe sondazheve në këtë rast Nisma qëndron afro 7 për qind, pra 0.2 për qind më pak se sa familja Haradinaj, PDK po ashtu po humbas elektorat, i cili po kalon në NISMA, pra kjo parti përpiqet të bëjë fushatë për zgjedhje të reja se i konvenon”, ka përfunduar Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat