Takimi i të dielës, “S’ka normalizim të marrëdhënieve pa kërkuar falje Serbia”

Politika

Takimi i të dielës, “S’ka normalizim të marrëdhënieve pa kërkuar falje Serbia”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 qershor 2018 Në ora: 15:11
Ilustrim

Pas një pauze prej tre muajsh, të dielën do të mbahet takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Takimi që do të mbahet në mes të presidentëve, atij të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka në fokus diskutimin mbi marrëveshjet e arritura deri më tani, sfidat e zbatimin e tyre si dhe hapat e mëtejmë drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Por, çka pritet nga ky takim në mes presidentëve në Bruksel?

Hulumtuesja nga KDI, Violeta Haxholli, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, se nuk dihet për asnjë nga takimet se çfarë ndodhë, pasi presidenti Thaçi nuk ka informuar për çka është dakorduar me Vuçicin.

Image
Violeta Haxholli

“Po ne nuk e dimë se çka po ndodhë në asnjë nga takimet qe deri më tani Presidenti Thaçi i ka pasur me Vucic që nga gushti i vitit të kaluar. Presidenti Thaçi ende nuk na ka informuar se çka kanë biseduar dhe për çka është dakorduar me Vucicin kur ka deklaruar së fundi se Kosova duhet të sigurojë një akomodim më afirmativ për komunitetin serb”, është shprehur ai,

Ajo thotë se derisa presidenti kërkon që të formohet grupi i unitetit, shkon në takime me Vucicin dhe bën marrëveshje paraprake.

“Në anën tjetër ai po kërkon që të formohet një grup uniteti për dialog por në mënyrë të njëanshme po shkon në takime me Presidentin Vuçiç dhe po dakordohet për paramarrëveshje në kuadër të dialogut”, ka deklaruar Haxholli.

Sa i përket synimit që të ketë normalizim të marrëdhënieve në mes të dyja shteteve, hulumtuesja nga KDI vlerëson se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve, pa u trajtuar e kaluara në mes tyre, pa kërkuar falje Serbia.

“Nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë pa u sqaruar e kaluara, pa i kthyer Serbia të pagjeturit, pa kërkuar falje dhe pa i kompensuar reparacionet e luftës. E ardhmja mes dy shteteve nuk mund të sigurohet pa u trajtuar e kaluara mes tyre. Prandaj është shumë e rëndësishme që në këtë fazë të dialogu, Kosova të insistojë që të jenë këto temat e diskutimit dhe në asnjë mënyrë çështjet e organizimit të brendshëm të Kosovës siç po dëshiron Serbia”, ka theksuar Violeta Haxholli për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat