Stop historisë me fakte të rrejshme, Serbia të paditet për gjenocid

Politika

Stop historisë me fakte të rrejshme, Serbia të paditet për gjenocid

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 24 qershor 2018 Në ora: 07:46
Foto ilustrim

I ashtuquajturi kryetari i Komisionit parlamentar për Kosovën në Serbi, Milovan Dreçun, ditë më parë ka thënë se institucionet e Kosovës ende nuk po i ndjekin penalisht krimet kundër serbëve dhe nuk kanë mbrojtur popullin serb dhe pronën e tyre. 

Ky përfaqësues serb, duket se ka harruar se Serbia jo vetëm që nuk i ndjekë krimet e luftës, por edhe kriminelët vazhdon t`i gradojë nëpër poste të rëndësishme.

Kajtazi: Bashkësia Ndërkombëtare duhet të jetë më e përkushtuar për drejtësi

Deklaratën e Dreçun e ka komentuar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi duke thënë se qasja e tij paraqet rrezik për Kosovën dhe rajonin.

Image
Lirije Kajtazi

“Kjo qasje nuk paraqet rrezik vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin, andaj Bashkësia Ndërkombëtare duhet të jetë më e përkushtuar për drejtësi, në të kundërtën ''fuqitë e barotit'" tradicionalisht mbushën e rimbushën në Serbi”, ka thënë deputetja Kajtazi.

Nga ana tjetër, politologu Mentor Tahiri, ka thënë se opinioni ndërkombëtar e ka shumë të qartë se kush është viktima dhe kush agresori.

“Fundja për shkak të kësaj, forcat ndërkombëtare edhe ndërhynë në vitin 1999 kur çliruan Kosovën. Deklaratat e tilla janë një nga format e presionit politik qe bëhen për të “asistuar” negociatorët serb në bisedimet në Bruksel. Shihet qartë se ka një përpjekje të shtuar për t’i paraqitur institucionet e Kosovës si të pa afta për të garantuar drejtësi për serbët”, ka thënë Tahiri.

Tahiri: Dreçun pasardhës i Millosheviçit

Image
Mentor Tahiri

Sipas tij, përgjithësisht Dreçun njihet me qëndrime të tij ekstreme kundrejt Kosovës, kurse vetë prezenca e tij e sotme në jetën politike të Serbisë, tregon qartë për vazhdimësinë politike të kohës së Millosheviqit.

“Gjithsesi, përtej deklaratave të tilla, i takon dyja shteteve, si Kosovës ashtu edhe Serbisë, që të zbardhin secilin krim veç e veç. Vetëm kështu mund të mposhten “fantazmat” që promovojnë dhunë dhe urrejtje”, ka deklaruar politologu Tahiri.

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike e juridike Blerim Burjani, ka pohuar se, kjo çështje është trajtuar jo sa duhet nga Tribunali i Hagës , pasi dihet që pala serbe është përgjegjëse plotësisht për krimet në Kosovë.

Image
Blerim Burjani

“Kjo se çfarë  thotë Serbia neve nuk na intereson pasi të gjithë e dimë se edhe në Hagë janë gjykuar shqiptarët, e tash pritet edhe në Gjykatën Speciale. Kjo Gjykatë Speciale do të duhej të merret me serbet kriminel që jetonin në Kosovë, nëpër Serbi dhe gjetiu. Po ashtu kjo Gjykatë Speciale duhet të merret patjetër edhe me krimet e serbëve në Kosovë që janë qytetarë serb, përndryshe Tribunali ka dështuar të trajtojë krime serbe në Kosovë 98-99, madje edhe nuk ka aq shumë aktgjykime për krimet serbe në Kosovë”, ka thënë Burjani.

Nuk ka vullnet për ngritjen e padisë

Ndërsa, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka thënë se,  deklarata e Kryetarit të Komisionit parlamentar, Milovan Draçun, është bërë për të marrë poenë politik si në Serbi ashtu edhe tek serbët e Kosovës, kurse në anën tjetër për të shpërfaqur mite të rrejshme në ndërtimin e përcepcionit ndërkombëtar për shfajësimin e gjenocidit tyre ndaj shqiptarëve të pafajshëm.

Image
Hidajet Ahmeti

“Pa marrë  parasysh pengesave që janë paraqitur , nëse do të kishin vullnetin institucionet e Republikës së Kosovës do të bënin padi për krime lufte ndaj Serbisë, por një vullnet i tillë institucional ka munguar deri më tash. Krerët institucional e në veçanti ekipi negociator ish dashur që në tryezën e bisedimeve të diskutojë për krimet e luftës, dëmet materiale, masakrimet, përdhunimet  e jo kjo çështje të harrohet. Por duke ditur se pala kosovare  ka vepruar me logjikën nënshtruese ndaj Serbisë, kemi ardhur në një gjendje ku të diskutohet për çështje të brendshme dhe të kontestohet statusi i pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Hidajet Ahmeti.

Sipas tij, logjika e nënshtrimit deri në servilizëm ka ngjallur apetitet e shtetit serb për bosnjëzimin e Kosovës, gjithherë përmes klasës udhëheqëse të korruptuar dhe shantazhuar.

Gjykoj se është imperativ i kohës që institucionet e Kosovës të tregojnë maturi, vigjilencë dhe të kenë strategji për ta shpërfaqur një të vërtet të pamohueshme për krimet serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Përveç fakteve të njohura botërisht, institucionet e Kosovës duhet ta ndjekin rrugën institucionale, në njërën anë të përgatisin padi për krimet serbe ndaj shqiptarëve të pafajshëm dhe njëkohësisht në strategjinë për dialogun me Serbinë të përfshihet edhe tema për krimet e luftës, masakrimet, përdhunimet, të zhdukurit, por edhe dëmet materiale. Kjo do të ishte rruga institucionale që agresori të sanksionohet për krime lufte, por njëkohësisht të stopohet mitizimi i historisë me fakte të rrejshme për të ndërtuar “faktografinë historike ” serbe si viktimizues”, është shprehur analisti politik Hidajet Ahmeti.

Zogaj: Drejtësia duhet të jetë më efikase

Image
Skender Zogaj

Kurse, analisti politik Skender Zogaj, ka thënë institucionet së në Kosovë kriminelët ende nuk janë ndjekur penalisht dhe krimet e tyre po e mbajnë të ngulfatur lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Sipas tij, vrasjet politike mbeten të pazbardhura, krimet ekonomike gjithashtu, kriminelet nga gjykata në vend se të dërgohen në burg, shoqërohen në aeroport dhe kohën e burgut e kalojnë nëpër botë për t’u kthyer si heronj në vendlindje.

“Ashtu si në Kosovë si dhe në Serbi, kriminelët gradohen, dekorohen dhe emërohen në poste të larta drejtuese. Pra, deklarata Dreçunit qëndron, sepse gjendja institucionale e Kosovës është e mjerë dhe, nëse nuk merren masa për tejkalimin e situatës vet viktimizuese, atëherë Kosova e meriton t’i vazhdohet viktimizimi. Kosova duhet të kryej detyrat e veta si shtet e jo të shoh çfarë bëjnë të tjerët, e më së paku Serbinë, e cila për shqiptarët është inekzistente”, ka thënë Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat