Liberalizimi i vizave, përcakton kohëzgjatjen e Qeverisë

Politika

Liberalizimi i vizave, përcakton kohëzgjatjen e Qeverisë

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 24 qershor 2018 Në ora: 13:30
Ilustrim

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka deklaruar se liberalizimi i vizave është proces i pandalshëm dhe se Kosova i ka plotësuar kriteret. Ndërsa, në anën tjetër, Komisionari i Bashkimit Evropian (BE) për Migrim, Dimitris Avramopoulos ka deklaruar se Kosovës i duhet ende punë në përmbushjen e kriterit të fundit për viza.

“Kosova i ka plotësuar disa kushte kyçe si demarkacionin, mirëpo ka akoma punë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ne jemi duke monitoruar dhe është një proces që po vazhdon. Shumë shpejtë çështja e vizave do të përfundojë për gjithë rajonin perëndimor të Ballkanit”, ka thënë ai.

Image
Mentor Tahiri

Politologu dhe profesori i politikës ndërkombëtare, Mentor Tahiri ka komentuar për “Bota sot” se deklaratën e komisionarit evropian Avramopoulos, për të cilën ka thënë se është një tregues se edhe në qoftë se do të kishte një vendim pozitivë sa i përket vizave, ky vendim mund të jetë i kushtëzuar.

“Deklarata e Avramopoulos është një tregues se edhe nëse do të ketë një vendim pozitiv lidhur me liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës, sërish ky vendim mund të jetë i kushtëzuar për tu funksionalizuar vetëm më vonë. Në rastin më të keq, vendimi për liberalizim mund të mos merret fare”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, Tahiri është shprehur se Qeveria e Kosovës nuk e ka marr seriozisht  segmente të sundimit të ligjit në Kosovë dhe se vendi gjendet në një kohë shumë të ndërlikuar politike.

“Qeveria e Kosovës nuk ka marrë seriozisht segmente të sundimit të ligjit në Kosovë. Aq më tepër ka krijuar përshtypjen e një non-shalance në këtë drejtim, sikurse edhe në drejtime të tjera. Kosova gjendet në një momentum shumë të ndërlikuar politik, andaj liberalizimi i vizave është dashtur që të kuptohet veç tjerash edhe si një hap më shumë drejt evropianizimit të vendit. Tani në këtë situatë, kjo do të shërbejë edhe si presion shtesë psikologjik ndaj palës negociatore kosovare në Bruksel”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, ai ka potencuar se vendimi për liberalizimin e vizave do të ndikojë në kohëzgjatjen e kësaj qeverie.

“Gjithsesi, vendimi për liberalizimin e vizave, qoftë ai pozitiv apo negativ, do të ndikojë edhe në kohëzgjatjen e kësaj qeverie. Në rast të një vendimi negativ, ky kabinet qeveritar do ta ketë shumë të vështirë t’i mbijetojë presionit qytetar që do të vjen duke u rritur. Kurse në rast të një vendimi pozitiv, Qeveria e Kosovës do të ketë një rast ideal që këtë ta shënoj si fitore të saj. Kur kemi parasysh këtë, është për tu çuditur gjithë kjo non-shalancë që vjen nga kabineti aktual”, ka përfunduar Tahri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat