Marrëveshjet përfundimtare “krye në vete” të presidentit Thaçi, rrezikojnë trazira në Kosovë

Politika

Marrëveshjet përfundimtare “krye në vete” të presidentit Thaçi, rrezikojnë trazira në Kosovë

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 6 korrik 2018 Në ora: 22:28
Presidenti Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sipas opozitës “krye në vete” ia ka dhënë vetës të drejtën për të udhëhequr me dialogun e Brukselit me Serbinë.

Shumica prej partive dhe disa pjesëtarë të shoqërisë kanë kërkuar që të formohet një grup i unitetit për bisedimet, mirëpo deri më tani akoma nuk ka asgjë në këtë drejtim.

Disa madje kanë kërkuar edhe shkuarjen në zgjedhje, në mënyrë që, kushdo që t’i fitonte, ato ta merrte të drejtën e udhëheqjes së dialogut në Bruksel.

Madje disa nuk i kanë anashkaluar as trazirat në Kosovë, si pasoj e marrëveshjeve përfundimtare të presidentit Thaçi me Serbinë.

Deputeti i Nismas Seocialdemokrate, Zafir Berisha thotë se, nuk përjashtohet kjo mundësi nësë dikush mendon se luan me fatin e Kosovës.

Image
Zafir Berisha

“Nuk duhet të përjashtohen edhe trazirat nëse dikush mendon se me fatin dhe për fatin e Kosovës mundet me vendos si për pronen private të tij...”, shprehet Berisha për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje pohon se, procesi i dialogut është një përpjekje e presidentit Thaçi që veet të pajtohet me Serbinë, por çfarëdo marrëveshje sipas tij, që nuk e respekton vullnetin e popullit është potencial për destabilizim.

Image
Avni Zogiani

“Siç duket ky proces po kthehet në një perpjekje të Thaçit që ai vetë të pajtohet me Serbinë, e di ai vetë pse është kështu. Çfarëdo marrëveshje që nuk respekton vullnetin e popullit është potencial për destabilizim. Në rastin tonë se paku do ta vazhdojë jofunksionalitetin e shtetit të Kosovën”, shprehet Zogiani për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, analisti politik Leon Duhanaj, thote se popujt, ngritën në protesta, madje edhe në revolucione, për dy arsye.

“1. Popujt apo shoqëritë e ngritura, apo të emancipuara në të gjitha aspektet, me vetëdije të lartë qytetare, me nivel të lartë kulturorë. Aty ku dija është domosdoshmëri, aty ku arti është kulturë, aty ku mirëqenia është e natyrshme! 2) Në shoqëritë e shkelura, të shtrira përtokë, që nuk gëzojnë me as të drejtat minimale për jetesë”, thekson Duhanaj.

Image
Leon Duhanaj

Sipas tij, nëse në rastin e parë, kemi shoqëritë që ngrisin zërin për t'i korrigjuar, përkatësisht mënjanuar gabimet e mundshme. Në grupin e dytë, kemi ngritje të dhunshme, pa koncept,  dhe pa ide, ku e vetmi postulat  që mund të identifikohet, është dhimja e shndërruar në urrejtje dhe lufta për mbijetesë.

“Për fat të keq, shoqëria e Kosovës në veçanti dhe shqiptare në përgjithësi, nuk është pjesë e asnjërit nga grupet. Ne kemi deficit të theksuar me grupin e parë. Po ashtu jemi larg me kriterin që mund të na krahasoj me rë dytin. Ne jemi shoqëri, e cila numëron në vend, pa ndonjë qëllim pa ndonjë plan. Ne mbijetojmë falë disa aspekteve që nuk janë  meritë e kolektivitetit. Ne nuk jemi të shtypur fizikisht dhe nuk kemi vetëdije për ta kuptuar mjerimin tonë. Prandaj lufta që mund të bëhet është vëtëm ajo e përshtatjes, e indiferencës, e inercionit”, thotë ai për gazetën “Bota sot”.

Ai shton se, presidentin Thaçi, bashkë me shumë shokë nga të gjitha partitë, e dinë mirë këtë gjëndje sepse në masë të madhe, janë ata që e ndërtuan një skemë të tillë.

“Këndej, pa e marrë parasysh se cfarë do nxjerrë negocimi dhe cfarë do të jetë marrëveshja e fundit, nuk besoj që do të gjëndet kurajë për ta kundërshtuar aktivisht. Po, sigurisht që mund të ketë dhe do të ketë krupe të instrumentalizuara të cilat menaxhohen nga parti e çarqe të caktuara për qëllime të ndryshme, por assesi të pastra kombëtare. E vetmja gjë, që.do të mund të na shpëtoj nga ndonjë skenarëi tmerrshëm, do të ishte përafrimi i spektrit politik rreth një platforme të përbashket afatmesme politike”, përfundon Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat