Satelitët e Thaçit rrezikojnë vetëvrasjen politike të LDK-së

Politika

Satelitët e Thaçit rrezikojnë vetëvrasjen politike të LDK-së

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 7 korrik 2018 Në ora: 09:30
Lutfi Haziri, Hashim Thaçi dhe Avdullah Hoti

“LDK nuk mundet të bëjë vetëvrasje politike duke u vendosur nën trysninë e Thaçit dhe sateliteve të tij. Kur Thaçi dhe Baton Haxhiu janë të hidhëruar me qëndrimin LDK-së atëherë është e qarte se diçka mire po bëhet dhe qëndrimi i LDK-së është në anën drejt të mbrojtjes së shteti dhe institucioneve. Qëndrimet e Hazirit nuk e besoj që duhet diskutuar meqë ai ka të drejtën e tij dhe besoj që janë nxjerrë jashtë kontekstit”, ka thënë analisti Haki Abazi.

Një opozitë e tërë është kundër që Presidenti Hashim Thaçi t'i udhëheq bisedimet me Serbinë. Derisa Vetëvendosje është deklaruar kundër, duke pasuar me Partinë Social Demokrate e cila thotë se Thaçi nuk mund të jete krye negociator i  bisedimeve për shkak të kaluarës së tij të keqe, Lidhja Demokratike e Kosovës duket se ende nuk po merret vesh nëse do t'ia besojnë Thaçit punën e krye neogiciatorit me Serbinë në fazën finale të dialogut.

Derisa në fillim u deklaruan kundër me arsyetim se Thaçi nuk është figure unfikuese dhe si i tillë ai nuk mund të i udhëheqë bisedimet, tani po del që nuk ka një koordinim të mirë në mes tyre.

Lutfi Haziri pro Thaçit si negociator me Serbinë

Këtë konfuzitet e shtoi edhe deklarata e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Hazirit e bërë në një emision televiziv, ku ka thënë se ai është parimisht pro që presidenti Hashim Thaçi të udhëheqë palën e Kosovës në bisedimet me Serbinë.

Haziri  ka thënë se  e përkrahë  presidentin Thaçin përderisa e njëjta situatë mund të përsëritet nëse e kanë  të ardhmen presidenti është i LDK-së ,dhe opozita del kundër.

“LDK-ja nuk lejon precedent që institucioneve të shtetit dhe bartësve të shtetit t’u bëjë përfaqësim në hije. Nëse është president, është president dhe i ka detyrat e tij kushtetuese. Ka zëra në Kosovë që thonë se procesi është i mirë, ne mund të shkojmë, por ky president nuk mund të shkojë. Çka nëse nesër e kemi një president tjetër, të LDK-së dhe ai e përfaqëson Kosovën në OKB e del opozita të thotë se nuk bën. Nuk bën të luhet me institucione. Nuk bën të lejojmë të bëhemi precedentë në zëvendësime e delegime. Vetëm nëse Kuvendi e ndërton dhe e lejon një strukturë dialoguese”.

"Në parim s’jemi kundër. Kemi deputetë që kundërshtojnë, shumica e tyre ndoshta janë, por problemi është që kur të vendosë kryesia e LDK-së përfundimisht kemi për ta ruajtur unitetin tonë. Do të reagojmë bashkë e njëjtë”, ka thënë ai.

Hoti: Deklarata e Hazirit- qëndrim personal

Këtë deklaratë të tij e demantoi sot sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri. Por, kundër tij ka dal edhe një bashkëpartiak i tij.

Avdullah Hoti, në konferencën e përjavshme të LDK-së ka thënë se kjo parti është kundër përfaqësimit të presidentit Hashim Thaçi në dialogun që zhvillohet në Bruksel.

“Nuk mendoj se Haziri ka thënë ashtu. Por, nëse po, atëherë nuk do të përfaqësonte qëndrimin e LDK-së, por do të ishte vetëm një deklaratë e një anëtari të LDK-së”, ka thënë Hoti.

Ish deputeti I LDK-së, kundër Thaçit, qëndrimi I LDK-së i pathyeshëm

Ish- deputeti I LDK-se Bardhyl Meta përmes një shkrimi ka thënë se presidenti nuk ka legjitimet politik për të udhëhequr këtë proces.

“Dr. Avdullah Hoti, edhe një herë më shumë - për t ‘gjithë dashamirët, sikurse edhe për t ‘gjithë dashakeqët, për spekuluesit e kalkuluesit e hamendësimeve bulevardeske - jep qëndrimin e GP të LDK-ës, dhe njëkohësisht, edhe të vet LDK-ës rreth bisedimeve me Serbinë: Shkurt, Shqip dhe shumë Saktë!? Dr. Avdullah Hoti. "Sot ne konferencën për medie kam dhënë qëndrimin zyrtar te LDK-se lidhur me procesin e dialogut me Serbinë. Qëndrimi jonë është i qartë: 1. Presidenti nuk ka kompetenca kushtetuese dhe legjitimitet politik për të udhëhequr këtë proces. 2. Ne i kemi vijat e kuqe si parti, qe janë: - integriteti territorial i Kosovës, - karakteri unik i shtetit te Kosovës, dhe - fryma e Kushtetues së Kosovës. Ne si LDK ne esence qëndrojmë për shtet te pavarur te Kosovës, shtet demokratik, ne fqinjësi te mire, i hapur ndaj fqinjëve, i integruar ne BE dhe NATO dhe ne miqësi të përhershme me SHBA”,  ka thënë ish deputeti i LDK-së, Bardhyl Meta

Gazeta “Bota sot” provoi të kontaktojë me deputetin e LDK-së, Naser Rugova, por ai u shpreh se nuk mund të flasë për këtë teme.

Gjithashtu të paqasshëm për “Bota sot” ishin edhe nënkryetari i saj, Agim Veliu dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Image
Haki Abazi

LDK nuk mund të bëjë vetëvrasje politike

Njohëse i zhvillimeve politike në vend Haki Abazi ka thënë për “Bota sot”, se tradhtia që i ka bërë Thaçi LDK-së duke e rrëzuar qeverinë është i pakapërcyeshëm dhe me dëm shumë të madh. Çfarëdo trysnie tani nuk ka me kuptim.

“Është e vërtetë që LDK ka një qëndrim të qarte dhe të prere. Ne asnjë mënyrë e me së paku politikisht LDK nuk do ti konvenonte që të votoje pro Thaçit. LDK ka bërë kompromisin e madh të dhimbshëm duke pranuar që të votojë Thaçin për president nën trysnin e kohës dhe njerëzve që kanë menduar që Thaçi mund të ketë mësuar leksionin se askush nuk do të bëjë koalicion. Tradhtia që i ka bërë Thaçi LDK-së duke e rrezuar qeverinë është i pakapërcyeshëm dhe me dëm shume të madh. Çfarëdo trysnie tani nuk ka me kuptim. LDK nuk mundet të bëjë vetëvrasje politike duke u vendosur nën trysninë e Thaçit dhe sateliteve të tij. Kur Thaçi dhe Baton Haxhiu janë të hidhëruar me qëndrimin LDK-së atëherë është e qarte se diçka mire po behet dhe qëndrimi i LDK-së është në anën drejtë të mbrojtjes së shteti dhe institucioneve. Qëndrimet e Hazirit nuk e besoj që duhet diskutuar meqë ai ka të drejtën e tij dhe besoj që janë nxjerrë jashtë kontekstit".

Haziri me këtë deklarata nuk përfaqëson LDK-në

Profesori ndërkombëtar Enver Bytyçi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se me këtë deklaratë nuk përfaqëson LDK-në dhe se ai po kujdeset për imazhin e Thaçit.

“Miku im Lutfi Haziri, njëkohësisht nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës foli dje dhe konfirmoi se "LDK e përkrah pozicionin e Presidentit si kryenegociator të bisedimeve me Serbinë"! Ky ishte thelbi i deklaratës së tij e lëshuar në emër të LDK-së. Nuk jam aq i sigurt se ai me këtë deklaratë përfaqëson LDK-në, sepse thotë gjithashtu që ende nuk është marrë një vendim kolegjial për këtë çështje. Megjithatë ai ka shprehur një opinion të tijin e jo vetëm të tijin. Në këtë deklaratë unë shoh disa probleme: Së pari, ndonëse Thaçi është sjellë me Lidhjen Demokratike si me një organizatë joqeveritare, ndonëse ai e ka injoruar dhe ia ka prishur të gjitha marrëveshjet kur i ka plotësuar me votën e LDK-së interesat e tij personale e të PDK-së, përsëri ka njerëz në LDK që kujdesen për Thaçin, imazhin e tij dhe interesat e tij. Haziri po bën të njëjtën gjë”, është shprehur ai.

Sipas tij, ka njerëz brenda LDK-së që i besojnë presidentit dhe ndoshta dikush kërkon ndihmën e tij që të jetë kryetar i LDK-së dhe se mund të përsëritet historia e Fatmir Sejdiut.

“Marrëdhëniet midis subjekteve politike, njësoj si midis njerëzve janë marrëdhënie besimi. Madje kjo vlen edhe për marrëdhëniet në familje. Thaçi e ka shkelë fjalën dhe marrëveshjen e tij me Lidhjen Demokratike sa herë ka dashur, megjithatë gjenden njerëz në LDK, të cilët thonë se "i besojnë presidentit Thaçi"! Absurde! Ose edhe më keq se kaq. Ndoshta dikush në LDK kërkon ndihmën e Hashim Thaçit për ta uzurpuar postin e kryetarit të LDK-së! Kjo është edhe më e tmerrshme! Kështu ndodhi atëherë kur Thaçi i bëri kurth Fatmir Sejdiut. Ndoshta përsëritet historia! Mos e thëntë Zoti që LDK të bjerë në këtë derexhe”, është shprehur më tej profesori.

Image
Enver Bytyçi

Si problem tjetër, Bytyçi e quan absurde faktin që Haziri thirret në respektin për institucionin e presidencës dhe sipas tij, duhet bërë një grup hetimor për besueshmërinë e Thaçit për ta udhëhequr dialogun.

“Së dyti, Haziri thirret në respektin për institucionet, në rastin konkret të institucionit të Presidentit. Madje bën lidhjen me sikur presidenti të ishte i LDK-së e opozita ta bojkotonte?!!! Edhe ky është një absurd. PDK e ka bllokuar madje zgjedhjen e presidentëve që kanë ardhur prej LDK-së, ndërsa Thaçi u zgjodh me votat e LDK-së. Nga ana tjetër, po flitet për besueshmërinë e Thaçit në këto bisedime, jo të presidentit. Luta e të tjerë në LDK e në Kosovë duhet të ngrenë grup hetimor se presidenti po shkel Kushtetutën me pjesëmarrjen, me veprimet dhe mosveprimet e veta në dialogun me Serbinë”, ka deklaruar Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Andaj, ai shtron dhe pyetje se a është LDK-ja për ndarje të Kosovës dhe marrëveshje të dëmshme, e nëse ndjek LDK politikën e Lutfi Hazirit, do të marrë ndëshkimin e qytetarëve dhe të kthehet në OJQ.

“Ndaj dhe ndoshta duhet shkarkuar nga ajo detyrë. Ai është i pabesueshëm për shkak të marrëveshjeve të këqija që ka nënshkruar me Beogradin dhe për shkak se po punon për ndarjen e Kosovës. A është LDK për ndarjen e territorit të Kosovës?! A është LDK për nënshkrim të marrëveshjeve që e diskreditojnë dhe e diskriminojnë Kosovën martire të mijëra viktimave për lirinë e shtetin e saj?! A është LDK për t'i dhënë çoka presidentit Thaçi, me justifikimin për respektin ndaj institucioneve, kur ky president nuk respekton sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës?! Nëse LDK ndjek politikën e Hazirit, atëherë të përgatitet të marrë ndëshkimin e qytetarëve në mënyrën më spektakolare të mundshme, aq sa mund të kthehet në një OJQ e Kosovës. Madje OJQ pa kurrfarë autoriteti. LDK mund të mbështetë institucionet, edhe atë të presidentit, por kur ka garanci për ruajtjen e interesave të vendit. Kosova është mbi presidentin, mbi LDK-në, mbi Lutën, natyrisht!”, vlerëson ai.

Dhe së treti, profesori thotë se LDK nuk mund ta mbështes Thaçin pa i vënë kushte të panegociueshme për dialogun dhe këto nuk i përmend Lutfi Haziri.

“Së treti, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka luksin ta mbështesë Thaçin pa i vënë atij kushte të panegociueshme në qëndrimet që do të mbajë në procesin e bisedimeve. Cilat janë këto kushte? Kush i ka formuluar ato në LDK? Haziri nuk përmend asgjë. Edhe kjo është një pikëpyetje e madhe e cila vë në dyshim forcën e Lidhjes Demokratike të Kosovës! Unë besoj se ka djem dhe vajza të mençme në Lidhjen Demokratike të Kosovës që i dalin zot jo vetëm LDK-së, por edhe Kosovës”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për “Bota sot”

Image
Faik Krasniqi

LDK u tradhtua njëherë nga PDK-ja

Ndërsa për analistin politik Faik Krasniqi, LDK ka nevojë të pastrohet nga individët që kanë lidhje me PDK-në.

"Çdo parti politike duhet të ketë vija të kuqe për Presidentin Thaçi që ta perfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë. Lutfi Haziri është nënkryetar i LDK-së dhe nuk besoj që është qëndrim personal i tij, ashtu siç ka deklaruar Avdullah Hoti. Por, nëse LDK-ja edhe zyrtarisht ndryshon qëndrim dhe bie përsëri nën kurthin e Thaçit që ai t'i udhëheq bisedimet me Serbinë, me ndihmën e saj do ta rrezikonte sovranitetin e Kosovës. Mos të harrojmë që Hashim Thaçi u zgjodh President edhe me shumicën e votave të deputetëve të LDK-së, prandaj kjo parti ka nevojë të pastrohet nga individët që kanë lidhje të ngushta me zyrtarët e lartë të PDK-së!"

“VV e vetmja shpresë”

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu përmes një shkrimi në facebook ka shkruar se nuk është e çuditshme që LDK-ja është pro Thaçit si kryenegociatort.

“Nuk është e çuditshme që LDK është pro Thaçit për kryenegociator! Ata në fakt e votuan Thaçin për President!Kosova po rrezikohet nga këto subjekte që ditën duken se dallojnë ndërsa natën bëjnë pazare bashkë në kurriz të vendit!VETËVENDOSJE! e vetmja shpresë për vendin dhe qytetarët!”, ka përfunduar Haxhiu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat