S’ka ushtri as në vitin 2018!

Politika

S’ka ushtri as në vitin 2018!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 8 korrik 2018 Në ora: 07:54
FSK, foto arkiv

Për vite më radhë udhëheqësit e shtetit të Kosovës kishin premtuar se FSK-në do ta shndërrojnë në ushtri. Mirëpo, një gjë e tillë nuk u arrit as në muajin e nëntë të qeverisjes Haradinaj.

Përkundër zërave pozitivë, është opozita dhe shoqëria civile e cila nuk ka asnjë shpresë për vitin 2018.

Zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, për këtë çështje, tha se janë duke u përgatitur që gjatë vjeshtës përmes ndryshimeve ligjore ta bëjnë FSK-në ushtri, por pa ia ndërruar emrin. Ndër tjerash, ai ka deklaruar se edhe pas kryerjes të këtij procesi do të mundohen që ta ndryshojnë edhe kushtetutën, në mënyrë që të ndryshohet edhe emri.

Ndër tjerash, ai ka nënvizuar se ky proces nuk do të jetë i ndërlidhur me negociatat mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Lidhur me këtë, gazeta “Bota sot” ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të Qeverisë, por zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë dhënë një përgjigje konkrete.

Opozita është e mendimit se në këtë kohë është duke u bërë një garë për krijimin e ushtrisë, për të treguar se kinse po mendohet për atë.

Ndërsa, për njohësit e zhvillimeve politike, nuk do të ketë transformim të FSK-së në ushtri as gjatë këtij viti, pasi që këtë proces po konsiderojnë si mjaftë të ndjeshëm dhe se duhet pritur një dritë jeshile edhe nga aleatët.

Kelmendi: Po bëhet garë për krijimin e saj

Image
Ramiz Kelmendi

Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga radhët e LDK-së, Ramiz Kelmendi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, thotë se për këtë çështje është duke u bërë një lloj gare për krijimin e ushtrisë, për të treguar se po mendohet për atë.

“Mendoj se kjo është një çështje për të cilën të gjithë jemi unik. Nuk ka lider politik, nuk ka qytetarë në këtë Kosovë që është kundër formimit të Ushtrisë së Kosovë. Mendoj se tani për këtë çështje është duke u bërë një lloj gare për krijimin e ushtrisë për të treguar se ne po mendojmë për krijimin e saj. Në momentin që hekën kushtet për formimin e ushtrisë votat e deputetëve shqiptarë do të jenë”, tha deputeti i LDK-së.

Deputeti i LDK-së shton se çdo ndikim i krijimit të njëanshëm, e krijon rrezikun e largimit të pakicave nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Në fund, Kelmendi thekson se krijimi i saj nuk mund të bëhet pa mbështetjen e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Çdo ndikim i krijimit të njëanshëm, e krijon rrezikun e largimit të pakicave të pjesëtarëve nga FSK-ja. Për këtë edhe Serbia është duke bërë presion, i kërcënon me jetë të gjithë ata që janë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë. Kjo nënkupton se Serbia dëshiron që t’i paraqet kinse serbet nuk janë të sigurt në FSK-në tonë e sidomos kur ka iniciativa të përditshme ndoshta edhe të panevojshme për krijimin e ushtrisë, kur e dimë se krijimin e saj nuk mund ta bëjmë pa mbështetjen e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Andaj, sa më shumë që flasim për një çështje aq më shumë po i largojmë pakicat të cilat ne na bëjmë edhe me te pafuqishme në krijimin e saj”, përfundoi deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi, për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Kemi humbur shumëçka për shkak të qeverisjeve të këqija

Image
Jakup Krasniqi

Ish-krye parlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi dhe njëherit kryetar i Këshillit Kombëtarë të Nismës Socialdemokrate, në një intervistë për gazetën “Bota sot” ka folur rreth mundësive që Kosova të bëhet me ushtri në vitin 2018.

Krasniqi në këtë intervistë thotë se gjatë këtyre viteve Kosova ka humbur shumëçka për shkak të qeverisjeve të këqija.

Kryetari i Këshillit Kombëtarë të Nismës Socialdemokrate thekson se pas gjithë kësaj që ka ndodhur, vendi është në një situatë jo të favorshme për të vendosur.

“Gjatë këtyre viteve kemi humbur shumëçka për shkak të qeverisjeve të këqija. Pas gjithë kësaj që ka ndodhur, kemi ardhur në atë situatë që kjo çështje më nuk varet nga ne. Për shkak të pozicionit inferior të njerëzve të politikës të krijuar ndër vite”, ka thënë Jakup Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

“Nuk do të ketë transformim të FSK-së në Ushtri të Kosovës gjatë këtij viti”

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik, Nexhat Haziri, thotë se deklarimet si kjo e zëvendësministrit të FSK-së, Burim Ramadanit, se në shtator FSK-ja do të shndërrohet në ushtri, janë në vazhdën deklaratave që bëhen më shumë për konsum të brendshëm.

“Deklarimet si ajo e zëvendësministrit të FSK-së, Burim Ramadanit, se në shtator FSK-ja do të shndërrohet në ushtri, janë në vazhdën deklaratave që bëhen më shumë për konsum të brendshëm politik dhe për ta tërhequr vëmendjen e opinionit nga dështimet e kësaj qeverie, se sa që është reale një pritje e tillë”, shprehet Haziri.

Ai thotë se nuk do të ketë transformim të FSK-së në ushtria gjatë këtij viti, pasi që, sipas tij, ky proces është mjaftë i ndjeshëm dhe duhet pritur një dritë jeshile edhe nga aleatët tanë.

“Nuk do të ketë transformim të FSK-së në ushtria gjatë këtij viti, pasi që ky proces është mjaftë i ndjeshëm dhe kërkohet që për ta përfunduar apo përmbushur duhet pritur një dritë jeshile edhe nga aleatët tanë, nga SHBA dhe NATO, ndërsa dihet mirë edhe pozicionimi i këtyre të fundit që ndryshimi apo transformimi i FSK-së në Ushtri të bëhet me anë të ndërrimeve kushtetuese, që paraqet një problem të madh, pasi për këto ndryshime kërkohen 2/3 e votave në Kuvendin e Kosovës dhe po ashtu 2/3 e votave nga deputetët e pakicave dhe në këtë situatë kur deputetët serb kundërshtojnë një nismë të tillë e sidomos tani në kur Kosova është në fazën finale të përmbylljes së bisedimeve të normalizimit të raporteve me Serbinë”, tha ai.

Tutje, Haziri potencon se as te partnerët ndërkombëtar të Kosovës nuk ka një gatishmëri apo prioritet për ta përkrahur transformimin e FSK-së përmes ligjit.

“Nuk është hera e parë që nga kjo qeveri dëgjojmë deklarata të tilla, se Kosova do bëhet me ushtri në prill, qershor , e tani kjo e fundit në shtator. Pra janë vetëm deklarata në vazhdën e shume premtimeve që ka bërë kjo qeveri dhe kanë mbetur të pa realizuara. Dhe po ashtu edhe te partnerët ndërkombëtar të Kosovës, nuk ka një gatishmëri apo prioritet për ta përkrahur transformimin e FSK-së përmes ligjit. Dhe e tëra kjo do të thotë se nuk do të ketë transformim të FSK-së në Ushtri të Kosovës gjatë këtij viti”, potencoi Haziri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat