Deputeti i PDK-së kritikon dialogun: Askush nuk ka të drejtë të bisedojë më shumë se paketa e Ahtisarit

Politika

Deputeti i PDK-së kritikon dialogun: Askush nuk ka të drejtë të bisedojë më shumë se paketa e Ahtisarit

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 10 korrik 2018 Në ora: 12:51
Vuciq- Mogherini- Thaci

Partia Demokratike e Kosovës thotë se në bisedimet me Serbinë duhet të bisedohet për repracionet ekonomike të aseteve të Kosovës nëpër Serbinë, ndërkaq të drejtat e serbëve iu garanton kushtetuta e Ahtisarit, prandaj më shumë se që ua garanton kushtetuta askush nuk ka të drejtë të bisedojë.

Faza e fundit e dialogut me Serbinë, mënyra se si duhet të negociohet dhe kryenegociatori, janë ende tema që shfaqin kundërshtime në mes pozitës dhe opozitës.

Gjersa, pozita pranon që Presidenti Hashim Thaçi të jetë kryenegociator në bisedimet me Serbinë, opozita e kundërshton këtë, madje kërkojnë edhe zgjedhje të reja dhe pastaj të vazhdohet me bisedimet.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dje përmes një shkrimin në rrjetin e tij social “Facebook”, ka përmendur katër etapa përgatitore të domosdoshme në Kosovë për dialogun me Serbinë.

Image
Albin Kurti

“Përpara çfarëdo dialogu të ri me Serbinë, katër etapa përgatitore janë të domosdoshme në Kosovë:1) Shqyrtim dhe vlerësim i dialogut 2011-2017 dhe i rezultateve të tij; 2) Synimet e Kosovës dhe kërkesat tona ndaj Serbisë; 3) Parimet dhe kushtet e dialogut të ri; 4) Ekipi ynë negociator me strategji dhe udhëheqës”, ka shkruar Kurti.

Për çështjen e bisedimeve me Serbinë, ishin mbajtur edhe tryeza të ndryshme nga partitë politike pozitë e opozitë, mirëpo pa ndonjë koncenzus të mundshëm.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, dje në një konferencë për medie i ka ftuar partitë opozitare që t’i bashkohen dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

 Veseli është shprehur se ballafaqimi me Serbinë asnjëherë nuk ka qenë i lehtë, porse, çdoherë që skena politike kosovare ka qenë e bashkuar, "Kosova ka fituar më shumë".

Por, kreu i VV-së, ka propozuar tri lloj debatesh për dialogun me Serbinë.

“Dhe, tri lloj debatesh duhen bërë: 1) Në Kuvendin e Republikës së Kosovës;
2) Në shoqërinë kosovare me shoqatat e familjeve të të pagjeturve, pakicat, UP-në e AShAK-un, me ekspertët e ekonomisë etj.; 3) Me BE-në si ndërmjetësuese”, ka shkruar Kurti në “Facebook”.

Duke folur rreth dialogut me Serbinë dhe mënyrës së bisedimeve, deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se politika e Kosovës është treguar e ngathët.

Image
Nait Hasani

Hasani nuk beson në një zgjedhje të mirëfilltë në këto bisedime, gjersa ka treguar se si duhet të bisedohet me Serbinë në fazën e fundit të dialogut.

“Politika në Kosovë u tregua e ngathët që nga fillimi deri më sot, unë nuk besoj në një zgjedhje të mirëfilltë duke pasur parasysh të kaluarën evropiane për shqiptarët. Me Serbinë duhet biseduar për reperacionet ekonomike të aseteve të Kosovës nëpër Serbi, e për të drejtat dhe liritë e serbëve ju garanton kushtetuta e Ahtisarit, prandaj askush nuk ka të drejtë të bisedojë më shumë se paketa e Ahtisarit. Kuvendi duhet të jetë vendi ku do të mirret vendime për të ardhmen e vendit dhe për bisedime me cilën do palë dhe me Brukselin”, ka thënë Hasani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat