Braktisja e FSK-së nga serbët nuk e pengon formimin e FAK-ut

Politika

Braktisja e FSK-së nga serbët nuk e pengon formimin e FAK-ut

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 10 korrik 2018 Në ora: 15:07
FSK

“Arritja e realizimit të Asociacionit po iu zgjon edhe më shumë oreksin serbëve, për mos të njohur FSK, të shtyrë edhe nga Serbia. Heshtja e qeverisë së Kosovës është shenjë pranimi për këto zhvillime, e të cilat vetëm sa kontribuojnë në shtim të ndasive etnike. Duhet që të ndalet Serbia për këto veprime të cilat Kosovës po i krijojnë shume dëme”, është shprehur analisti politik Mehmeti.

Njohësit e zhvillimeve politike edhe të sigurisë në vend, thonë se Serbia po synon që të bëj presion te Bashkësia Ndërkombëtare, që ta pengojë transformimin e FSK-së në ushtri.

Braktisjen e FSK-së nga disa pjesëtarë të komunitetit serb, ata thonë se Kosova duhet ta shfrytëzojë si një element strategjik për ta paraqitur Serbinë si faktor, që po e pengon komunitetin serb të integrohet në Kosovë.

Javën e kaluar është raportuar për daljen nga Forca e Sigurisë së Kosovës, të disa pjesëtarëve serbë, nën presionin e Beogradit.

Në lidhje me këtë çështje eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi, ka thënë për “ Bota sot” se FSK është paraparë që të jete organizatë multi-etnike.

Presion lidhur me formimin e ushtrisë

Sipas tij, me largimin e pjesëtarëve serbë nga FSK, Serbia po synon të bëj presion të Bashkësia Ndërkombëtare, që ta pengojë transformimin e FSK-së në ushtri.

Image
Fadil Kajtazi

“Është për t'u vlerësuar fakti se Ministria e FSK-së  ka dal ta përmbushë kënaqshëm këtë obligim i cili është shumë i rëndësishëm në rrugëtimin e FSK –së për t'u transformuar në ushtri dhe për t'u integruar në organizatat dhe asociacionet ushtarake e Euroatlantike. Me këtë potez Serbia po synon që të bëj presion të Bashkësia Ndërkombëtare që ta pengojë transformimin e FSK-së në ushtri, duke i hequr asaj atributin multi-etnik. Pra presionin e Serbisë ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb për ta braktisur FSK-në, politika dhe diplomacia e Kosovës duhet ta shfrytëzojë si një element strategjik për ta paraqitur Serbinë si faktor e cila po e pengon komunitetin serb në Kosovë që t'i shfrytëzojë të drejtat e tyre kushtetuese për tu integruar në jetën institucionale të vendit” ka thënë Kajtazi.

Ai ka thënë se Ministria e FSK-së, dhe në përgjithësi politika e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme, që mos të krijojë situata që Serbia të shfrytëzoj kombinime që Kosovën ta futë në rrjedha, ku ajo krijon favore politike nga "rebelimet" e serbëve lokal.

“Politika e Kosovës duhet të ruaj konsistencën e garantimit të drejtave kushtetuese për të gjithë qytetarët, pastaj a dëshirojnë ata t'i shfrytëzojnë ato të drejta është çështje e tyre”, ka thënë eksperti i sigurisë Kajtazi.

Tërnava: Ushtria e konfirmon Kosovën si shtet

Ndërkaq, eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, nuk ka pakicë në botë që i ka të garantuara të drejtat e tyre kushtetuese, sikurse që i ka pakica serbe në Kosovë.

Sipas tij, Serbisë nuk i konvenon kjo situatë e tanishme me këto të drejta që i kanë të garantuara serbët dhe Serbia, andaj, angazhohet të krijojë konflikte edhe me pakicën serbe në Kosovë, duke iu kërcënuar atyre që mos të angazhohen në FSK.

Image
Hajrullah Tërnava

“Të punësuarit në FSK-së pavarësisht përkatësisë kombëtare, i gëzojnë të gjitha të drejtat e barabarta me të tjerrë, prandaj edhe një numër i serbëve punojnë dhe i fitojnë pagat e veta mujore, nga të cilat jetojnë jetën familjare si të gjithë të tjerët dhe e japin kontributin e tyre për të cilin edhe janë të paguar. Serbisë, sikur nuk i konvenon një situatë e tillë, sepse me këtë po del se serbet dhe të tjerët që punojnë dhe kontribuojnë për ushtrinë e Kosovës, e që jetojnë në këto treva,  e dëshirojnë dhe kontribuojnë për ushtrinë e Kosovës, gjë që Serbia bënë çmos ta pengojë këtë shërbim i cili e identifikon dhe e konfirmon pavarësinë e Kosovës si shtet”, ka thënë Tërnava.

Ai ka thënë se, Serbia edhe sipas të drejtave që i kanë të garantuara në Kushtetutë sipas planit të Ahtisarit, bën çmos të krijojë incidente e sidomos kur serbët udhëtojnë për në Serbi, madje duke i burgosur dhe duke iu kërcënuar atyre individëve që punojnë në FSK-ë.

“Rehatia dhe aktiviteti i serbëve në Kosovë në suaza ligjore, nuk i konvenon shtetit të Serbisë, prandaj edhe i shpikë këto burgosje. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës i kanë dënuar këto presione të Serbisë, ndaj pjesëtarëve serbe të FSK –së të cilët kanë nisur të parashtrojnë kërkesat për dalje nga kjo forcë. Prandaj tetë pjesëtarë serb të FSK-së nga rajoni i Gjilanit kanë parashtruar kërkesat për dalje nga kjo forcë, për shkak të kërcënimeve dhe presionit që iu bëhen nga Serbia ndaj tyre”, thekson Tërnava.

Pengesat e Serbisë të shqyrtohen në dialog

Tërnava ka theksuar, këta pjesëtarë janë detyruar ti bëjnë kërkesat për shkëputjen e marrëdhënies së punës në FSK-së.

“Këto kërcënime nga ana e Serbisë për Kosovën duhet të llogariten si përzierje në punët e brendshme të Kosovës dhe popullit të saj. Kosova duhet t`i njoftojë institucionet ndërkombëtare me këto veprime të Serbisë qoftë edhe OKB-së, e sidomos ndërmjetësuesit që po i udhëheqin bisedat mes Serbisë dhe Kosovës. Po ashtu, duhet ti kushtëzojnë këta ndërmjetësues për mos zhvillimin e këtyre bisedave në të ardhmen, deri sa të bindën që Serbia i ka ndërprerë këto kërcënime, dhe të japin premtime,  se në të ardhmen nuk ka më për ti përsëritur kërcënimet e tilla ndaj serbëve të Kosovës” është shprehur Tërnava.

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se, mungesa e autoritetit të klasës politike të Kosovës në raport me Serbinë, iu lejojnë këtyre të fundit të bëjnë veprime të tilla.

Asociacioni po zgjon oreksin e serbëve

Sipas tij, derisa delegacioni i Kosovës shkon ne Bruksel me duar në xhepa, pa asnjë synim të qartë për të bërë diçka pozitive për vendin, nuk mund të presësh që Serbia të ndryshojë në raport me Kosovën.

“Për presionin e Serbisë ndaj pjesëtareve serb të FSK-së, delegacioni i Kosovës duhet të reagojë në të gjithë institucionet ndërkombëtare, ndryshe Serbia nuk do të ndalet dot. Arritja e realizimit të Asociacionit po iu zgjon edhe më shumë oreksin serbëve, për mos të njohur FSK, të shtyrë edhe nga Serbia. Heshtja e qeverisë së Kosovës është shenjë pranimi për këto zhvillime, e të cilat vetëm sa kontribuojnë në shtim të ndasive etnike. Duhet që të ndalet Serbia për këto veprime të cilat Kosovës po i krijojnë shume dëme”, është shprehur analisti politik Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat