Haradinaj pa kapacitet moral dhe intelektual për t`u marrë me veriun! - Bota Sot
Haradinaj pa kapacitet moral dhe intelektual për t`u marrë me veriun!

Politika

E premte, 20 korrik 2018

Haradinaj pa kapacitet moral dhe intelektual për t`u marrë me veriun!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 12 korrik 2018 Në ora: 21:50
Ramush Haradinaj, ilustrim nga Bota sot

Janë bërë më shumë se nëntë muaj që kur kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, erdhi në pozitën e kryeministrit, ndërsa akoma nuk e ka vizituar veriun e vendit.

Në kohën kur ky i fundit ishte pjesë e opozitës, kishte drejtuar kritika të ashpra për ish-qeverinë Mustafa, për mos-guxim, siç thoshte dikur Haradinaj, që të shkelë në atë pjesë të Kosovës.

Por, edhe pse gjatë fushatës elektorale Haradinaj në vazhdimësi premtoi se veriu do të ketë një trajtim më ndryshe me të në krye të Qeverisë edhe më tej kjo pjesë vazhdon të mbetët e lënë anash, e pa vizituar dhe me problemet e njëjta, siç ishin edhe në të kaluarën.

Gazeta “Bota sot”, lidhur me këtë çështje, ka dërguar pyetje me shkrim në adresë të Qeverisë, por zyrtarët e këtij institucioni nuk kanë dhënë një përgjigje konkrete se kur i pari i Qeverisë e ka ndërmend ta vizitoj veriun e Mitrovicës.

Për opozitën naiviteti politik dhe dëshira e Ramush Haradinajt, për karrigen e kryeministrit e ka futur në kthetrat e Thaçit e të Veselit.

Ndërsa, për ekspertin e sigurisë dhe njohësin e zhvillimeve politike në vend, situata në atë pjesë mund të ketë lëkundje nga gjendja aktuale që është, por, asnjëherë deri në atë pikë që Kosova të ngrit nivelin më të lartë "luftë".

Deputetja e Vetëvendosjes tregon frikën e Haradinajt

Për këtë çështje ka folur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosjes, Drita Millaku.

Image
Drita Millaku

Ajo duke e komentuar mos vizitën e kryeministrit Haradinaj në veri të Kosovës, për gazetën “Bota sot”, thotë se kjo pjesë e Kosovës është gjellë që është gatuar në kuzhinën e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Sipas saj, frika nga dalja e kontrollit, e në të njëjtën kohë mos krijimi i një plani për menaxhim,  kjo pjesë do të vazhdoje të jetë edhe mw tej një problem i madh për vendin.

 “Unë mendoj se veriu i Kosovës është gjellë që është gatuar në kuzhinën e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, ndërsa Ramush Haradinaj e ka gjetur një situate të ndarë dhe nuk ka kapacitet për tu marrë me ketë problem, as moral tashme e as intelektual. Frika është se situata mund të dalë jashtë kontrollit dhe qeveria aktuale nuk ka një plan për të menaxhuar, prandaj ky problem do të vazhdojë edhe me tej”, shprehet deputetja e Vetëvendosjes.

Tutje, Millaku thekson se politika dhe dëshira e Haradinajt për karrigen e kryeministrit, e ka futur atë në kthetrat e Thaçit e të Veselit.

“Naiviteti politik dhe dëshira e Ramush Haradinajt për karrigen e kryeministrit e ka futur në kthetrat e Thaçit e të Veselit, e kështu të tre së bashku po e qojnë Kosovën drejt shkatërrimit”, përfundoi deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, për gazetën “Bota sot”.

Eksperti i sigurisë: Situata mund të ketë lëkundje

Image
Drizan Shala

E, në anën tjetër, eksperti i sigurisë në vend, Drizan Shala, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se kryeministrat e Kosovës bëjnë vizita në pjesën veriore të Kosovës, por që disa prej atyre vizitave nuk njoftohen mediet për arsye të sigurisë.

“Kryeministrat e Kosovës bëjnë vizita në pjesën veriore të Kosovës, por që disa prej atyre vizitave nuk njoftohen mediet për arsye të sigurisë personale por edhe të problemit që është më atë pjese të vendit”, thotë eksperti Shala.

Sipas Shalës, situata mund të ketë lëkundje nga gjendja aktuale që është, por asnjëherë deri në atë pike që Kosova të ngrit nivelin më të lartë "lufte", por më shumë sulme të karakterit siç veprojnë shërbimet informative.

“Situata mund të ketë lëkundje nga gjendja aktuale që është, por asnjëherë deri në atë pike që Kosova të ngrit nivelin më të lartë "lufte", por do ketë më shumë sulme të karakterit siç veprojnë shërbimet informative qofshin ato civile apo ushtarak”, përfundoi njohësi i çështjeve të sigurisë,  Drizan Shala, për gazetën “Bota sot”.

“Haradinaj e Thaçi nuk kanë qëllim që ajo pjesë të integrohet”

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faton Mehmeti, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se veriu i Kosovës është pjesë e bisedimeve në Bruksel, prandaj edhe trajtohet si çështje e nxehtë.

Mehmeti potencon se as kryeministri dhe as presidenti nuk kanë qëllim që kjo pjesë të integrohet.

“Veriu i Kosovës është pjesë e bisedimeve në Bruksel, prandaj edhe trajtohet si çështje e nxehtë. Në këtë aspekt duhet theksuar se Serbia i ka frerët në Veri, aty ku për liderët e Kosovës është " tokë e ndaluar". As Haradinaj dhe as Thaçi nuk kanë qëllim që kjo pjesë të integrohet, ata synojnë të pasurohen sa më shumë duke e ditur që jetën politike nuk e kanë të gjatë. Pa marrë leje nga Vuçiqi nuk guxon as Haradinaj dhe as ndonjë lider tjetër në Kosovë të vizitoj Veriun, e këtë të drejtë Vçiqit ia ka dhënë presidenti Thaçi në Bruksel”, thotë analisti politik.

Mehmeti shton duke thënë se forcimi i strukturave serbe në veri është pasojë e dështimit të Kosovës në Bruksel.

“Forcimi i strukturave serbe në Veri është pasojë e dështimit të Kosovës në Bruksel, aty ku nuk ka arritur asnjëherë të jetë serioze në asnjë nga temat, e për rrjedhojë as të këmbëngul që veriu të integrohet”, shtoi Mehmeti.

Në fund, ai thotë se Haradinaj dhe Thaçi janë patriotë me bateria, që përballë Vuçiqit bëhen “pula”.

“Patriotët e pasluftës nuk guxojnë ta vizitojnë Veriun asnjëherë. Haradinaj dhe Thaçi janë patriotë me bateria, që përballë Vuçiqit bëhen pula”, përfundoi analisti politik, Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test