Haxhi Avdyli: LDK e ka guximin e pathyeshëm për të mos rënë në nivelin e rrugaçëve

Politika

Haxhi Avdyli: LDK e ka guximin e pathyeshëm për të mos rënë në nivelin e rrugaçëve

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 14 korrik 2018 Në ora: 13:44
Deputetët e LDK-së

Në debatin e seancës të Kuvendit të Kosovës të mbajtur ditën e enjte, Daut Haradinaj kishte reaguar çuditshëm, kur po e mbante fjalimin deputeti i LDK-së Armend Zemaj. Haradinaj ishte nisur drejt Zemajt, duke ia goditur kështu atij mikrofonin.

Ndaj kësaj, ka reaguar edhe deputeti i LDK-së.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli, në një prononcim për gazetën "Bota sot”, thotë se, gjithmonë kur politikanët i kap panika e humbjes së përkrahjes popullore, atëherë përdorin mjete të dhunës dhe provokimeve të ulëta.

Sipas tij, nëse dikush mendon që metodat e rrugaçëve duhet instaluar në tempullin e debatit e ligjeve, atëherë votuesi i tyre duhet që përmes votës t’i dërgoi ata përfundimisht në rrugë.

Image
Haxhi Avdyli

“Gjithmonë kur këta politikanë i kap panika e humbjes se përkrahjes popullore atëherë përdorin mjete të dhunës dhe provokimeve të ulëta për të na tërhequr edhe ne aty në llumin e tyre. Në parlament ne jemi për tu ballafaquar me argumentet e debatit dhe fjalës dhe aty s’jemi në ring. E nëse dikush mendon që metodat e rrugaçëve me instalu në tempullin e debatit e ligjeve, atëherë votuesi i tyre duhet që përmes votës t’i dërgoi ata përfundimisht në rrugë”, është shprehur deputeti i LDK-së.

Tutje, Avdyli thekson se partia e tij ka mentalitetin e kultivimit të demokracisë së kulturuar parlamentare, por, e ka edhe guximin e pathyeshëm, siç thotë ai, për të mos lëshuar pe para anarkistëve.

“Kurse, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mentalitetin e kultivimit të demokracisë së kulturuar parlamentare, por e ka edhe guximin e pathyeshëm për të mos lëshuar pe para anarkistëve provokator dhe mos me rënë në nivelin e rrugaçëve duke bastarduar gjuhën dhe sjelljet parlamentare”, përfundoi deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se lidhur me këtë, ka reaguar ashpër, shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka paralajmëruar se ata dhe kushdo tjetër, do të përballen me refuzim të fuqishëm nga LDK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat