Qeveria e varur prej Listës Serbe dhe PSD-së!

Politika

Qeveria e varur prej Listës Serbe dhe PSD-së!

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 15 korrik 2018 Në ora: 08:18
Qeveria PANA-Lista serbe

Republika e Kosovës, po përballet në vazhdimësi me situata të vështira, ku qytetarët mezi po e përballojnë këtë kolaps të shtetit, ndwrsa gjendja nuk jep shenja të përmirësimit.

Në vazhdimësi jemi përballuar me situata të tilla, andaj edhe kjo qeveri ka vazhduar me ritmin e njëjtë të qeverive paraprake. Madje kjo veçse e ka rënduar edhe më shumë gjendjen ekonomike dhe sociale në Kosovë.

Analistët politik deklarojnë se, kjo strukturë e cila po udhëheq më Kosovën është pa legjitimitet, pasi është e varur nga Lista Serbe, andaj zgjedhjet janë të domosdoshme për të rivendosur legjitimitetin dhe kredibilitetin e institucioneve.

Megjithatë, nga përvojat paraprake me zgjedhjet, ka edhe të tillë që mendojnë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje.

Zemaj: Kjo gjendje është e dëmshme për zhvillimin e vendit

Image
Armend Zemaj

Deputeti i Republikës së Kosovës, Armend Zemaj thotë se, vetëm zgjedhjet e nxjerrin vendin nga kjo krizë.

“Zgjedhjet janë nevojë emergjente për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë e menaxhimit të dobët nga ky koalicion i papërgjegjshëm dhe me kapacitet të dobët të përgatitjes profesionale. Kjo gjendje është e dëmshme për zhvillimin e vendit, sigurinë nacionale dhe integrimet evropiane, me një Qeveri jo legjitime tashmë edhe me divergjenca të mëdha brenda saj e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme, andaj na duhet mobilizim opozitar, popullor që kjo të ndodhë sa më shpejtë”, thotë Zemaj për gazetën “Bota sot”.

Deputeti i LDK-së thekson se, çdo ditë e humbur është humbje për vendin, qytetarët dhe është favorizim për keqpërdoruesit e parasë publike, zhvatësit dhe për mos funksionim të rendit dhe ligjit në vend.

Abazi: Zgjedhjet janë të domosdoshme

Image
Haki Abazi

Edhe analisti politik, Haki Abazi pohon se, kjo qeveri është jokushtetues dhe pa shumicën e votave që varet nga Lista Serbe.

“I gjithë procesi i shtetndërtimit dhe funksionimit të institucioneve është i kapur dhe jokushtetues. Kjo strukture udhëheqëse është pa legjitimitet, qeveria është pa shumicën e votave dhe e varur nga Lista Serbe që është instrument i Beogradit dhe nga PSD-ja që ka mandate të vjedhura nga VV-ja”, thotë Abazi për gazetën “Bota sot”.

Në anën tjetër, sipas tij, kemi një President të kontrabanduar dhe jokushtetues i cili jo që nuk përfaqëson unitetin, por ai për interesat e ngushta të veta është duke shkelur kushtetutën çdo ditë.

“Zgjedhjet janë të domosdoshme për të rivendosur legjitimitetin dhe kredibilitetin e institucioneve. Shpresa e vetme e këtyre institucioneve është liberalizimi i vizave dhe largimi i një pjese të madhe të elektoratit të frustruar që këta të mbesin me ata që janë duke përfituar nga ky sistem i kalbur dhe jofunksional”, thekson Abazi.

Zogaj: Partitë politike janë krejtësisht të papërgatitura për shërimin e problemeve aktuale

Image
Skënder Zogaj

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Skënder Zogaj thotë se, krye vlera e demokracisë është vota e lirë dhe vendimi i shumicës, si kriter për zgjidhjen e të gjitha problemeve, e në mënyrë të veçantë për mënyrën e qeverisjes së vendit.

“Kjo nuk ka ndodhur, prandaj shoqëria e Kosovës po vuan nga lëngime të rënda, të cilat sa më shumë zgjedhje që mbahen, aq më shumë shtohen! Kështu mendoj se do të ndodh edhe tash nëse Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme, sepse, jam i bindur se partitë politike janë krejtësisht të papërgatitura për shërimin e problemeve aktuale”, thotë Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, asnjë subjekt partiak nuk shihet se ka farë programi konkret për tejkalimin e gjendjes së krizës së thellë e cila nuk është krijuar me fajin e një partie, por e të gjithave bashkërisht!

“Prandaj, zgjedhjet e reja janë një mundësi, por vetëm nëse para zgjedhjeve partitë politike ofrojnë vizione dhe programe konkrete, e jo fjalë boshe e broçkulla që janë thënë e stërthënë qe dy dekada, por situata jo që nuk është përmirësuar, por është rënduar! Duhet të mësohemi të bazohemi vetëm tek zgjedhjet e rregullta, qoftë edhe kur ndodhin qeverisje tepër të dobëta!”, potencon Skënder Zogaj.

Duhanaj: Zgjedhjet, nuk janë domosdo edhe zgjidhje

Image
Leon Duhanaj

Në anën tjetër, analisti politik Leon Duhanaj thekson se, shumë vendi ka qenw para situatave të koklavitura politike, ku si zgjidhje e problemeve, është propozuar shkuarja në zgjedhje të reja, qofshin ato të parakohshme apo të jashtëzakonshme.

“Për mendimin tim, një nga problemet kryesore në terë këtë periudhë kohore ka qenë pikërisht ky fakt. Sepse, zgjedhjet, nuk janë domosdo edhe zgjidhje. Përkundrazi, është vërtetuar që sjellin kundër efekt. Pse e them ketë? Sepse çdoherë kemi shkuar në zgjedhje, pikërisht atëherë kur kalkulimet politike, kanë qenë të favorshme për disa çarqe, që ta mbajnë, përkatësisht marrin pushtetin. Kush mund ta garantojë një proces të mbarë zgjedhorë  dhe i cili përmbyllet shpejtë dhe suksesshëm? Askush. Pra, shkuarja e vazhdueshme në zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme, është pikërisht prolongim i mbarëvajtjes së mundshme të proceseve”, thotë Duhanaj për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, ajo çfarë duhet bërë është këndellja e Qeverisë dhe mos hezitimi, për t'u dalë në ballë sfidave qeverisëse.

“Nëse vërtetë qeveria tregohet që nuk ka guxim e as dije për t'u marrë me disa sfida, atëherë le të deklarohen vetë dhe mos të kandidohen ma në zgjedhjet tjera. Për ndryshe, gjendemi para sfidave të mëdha për vendin, ku kërkohet përgjegjësi, kompetencë dhe unitet politik”, potencon Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat