“Boomerang-u” i tmerrshëm nga liberalizimi i vizave

Politika

“Boomerang-u” i tmerrshëm nga liberalizimi i vizave

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 20 korrik 2018 Në ora: 19:52
Foto ilustrim

 

Komisioni Evropian më në fund dha rekomandim pozitiv sa i përket liberalizimit të vizave për shtetin e Kosovës. Por, dyshimet rreth këtij vendimi kanë filluar dhe tema më kryesore që po flitet, është statusi i Kosovës.

Shteti i Kosovës u detyrua të jap rreth 8000 hektarë tokë, që ta plotësoj njërin ndër kushtet kryesore të Bashkimit Evropian, që të arrihet thyerja e zinxhirit të izolimit të shtetasve të Kosovës. Si duket ky nuk do të jetë fundi i vuajtjeve për shtetin më të ri të Evropës.

Në njërën dhomë takimi Vuçiq-Thaçi, ndërsa në tjetrën krerët e tjerë të Kosovës me Mogherinin, kanë ngjallur dyshime të mëdha te profesori dhe ligjëruesi në Universitetin e Parisit, Nezir Kraki, i cili thotë se po bëhet rihapja e statusit të Kosovës.

Image
Nezir Kraki

“Sa çudi që fotoja nga takimi i sotëm i Brukselit analizohet veç si çështje gjinore.  Delegacioni ynë burrnor përballë ekipit femëror te Mogherinit. Çfarë tragjedie! O njerëz, ajo foto nuk është tragjike se aty s’ka gra. Ajo foto është tragjike se aty u rihap zyrtarisht statusi i Kosovës. Edhe më tragjike duket fotoja kur dihet që statusin e Kosovës po e rihapin ata që e asfiksuan ëndrrën tonë për shtet normal. E dështuan shtetin dhe tash shkojnë kokulur korridoreve evropiane për të gjetur rrugëdalje. Por mos harroni, rrugëdalja e tyre është RRUGËMBYLLJE për Kosovën. P.s. Tash ne këtë moment tragjik me siguri vjen lajmi i mire për vizat. Opinioni gëzohet, mediat e kryejnë argatin e dreqit ndërkohë që dyshtetësia e Kosovës konfirmohet zyrtarisht”, ka shkruar Kraki në faqen e tij në “Facebook”.

Deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku, ka thënë për “Bota sot”, se takimi i krerëve të shtetit në Bruksel, është vetëm një spektakël elektoral dhe një aktrim i tyre, ndërsa mendon se qytetarët e Kosovës nuk do të udhëtojnë pa viza as në këtë vit.

Image
Drita Millaku

“Së pari jam e bindur se liberalizim të vizave nuk do të ketë gjatë vitit 2018. Në Bruksel është bërë një spektakël elektoral për të mbajtur gjallë shpresën e qytetarëve për liberalizim. Të gjithë e dimë se kjo qeveri është në ditët e fundit të saj dhe aktrimi në Bruksel është vetëm skenar për të zgjatur mandatin e kësaj qeverie edhe për disa javë më shumë. Por problemi është edhe më madhor se liberalizimi, shkuarja në grup e komandantëve të shantazhuar në Bruksel, lë për të dyshuar se ata atë ditë kanë luajtur me fatin e shtetësisë së Kosovës, këtë e them duke u bazuar në përvojën e më hershme”, thotë ajo.

Çmimin e liberalizimit të vizave do ta mësojmë ditëve në vijim, shton Millaku, duke theksuar se këta njerëz nuk i kanë as votat e qytetarëve, e as të deputetëve për ta përfaqësuar Kosovën.

“Se cili do të jetë çmimi i liberalizimit, pritet të mësohet në ditët në vazhdim. Këta njerëz nuk kanë as votat e qytetarëve e as të deputetëve për ta përfaqësuar Kosovën. Kur i padituri dhe kriminelët e marrin në dorë fatin e Kosovës, aty nuk pritet gjëra të mira”, shtoi tutje Millaku.

Ndërsa analisti politik, Nexhat Haziri, thotë për “Bota sot”, se ky nuk është një skenar nga pushtetarët aktual të Kosovës, por meritë e ish- kryeministrit Mustafa dhe qeverisë që ai udhëhiqte.

Image
Nexhat Haziri

“Nuk mendoj se ka një skenar sa i përket liberalizimit të vizave, pasi ky proces nuk ka ardhur si rezultat I kësaj qeverie, por është më shumë rezultat i punës së ish- qeverisë së kaluar, të ish- kryeministrit Mustafa në mandatin e së cilit u plotësuan shumica e kritereve, një qeverisje profesionale, pa skandale, që vendosi standarde zhvillimore në sferat më të ndjeshme të jetës në Kosovë, dhe po ashtu edhe të rolit konstruktiv të LDK-së tani në opozitë, sidomos në votimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, por edhe në saje të meritës së qytetarëve të vendit”, potencon Haziri.

Është e kotë sipas Hazirit, që Thaçi dhe të tjerët të tentojnë t’i marrin meritat për këtë sukses, pasi që skandalet që ata kanë bërë çdo ditë në qeverisjen e tyre, e demaskon tentimin për mashtrimin e qytetarëve.

“Është e kuptueshme që presidenti Thaçi dhe liderët e koalicionit qeveritar aktual, të mundohen që në opinion ta shesin si meritë të tyre, por skandalet që prodhuan dhe prodhojnë çdo ditë me qeverisjen e tyre, janë këto që demaskojnë tentimin e tyre për t’i mashtruar qytetarët e vendit sa i përket rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën”, vazhdon tutje Haziri.

Por, ai mendon se Kosova mund ta paguajë një çmim të dhimbshëm për liberalizimin e vizave, duke u formuar asociacioni i komunave me shumicë serbe, në marrëveshjet që mund t’i bëjë Thaçi në dialog me Serbinë.

“Çmimi i dhembshëm që mund ta paguajë Kosova dhe që do ta prek substancën shtetërore dhe funksionimin e sajë si shtet, është themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pa vërejtjet që i ka bërë Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, dhe vetëm në saje të marrëveshjes së arritur në Bruksel, që mund të vije si rezultat i kompromiseve që mund t’i bëjë koalicioni aktual qeverisës dhe presidenti Thaçi, në tentim për të fituar një lloj imuniteti në raport me Gjykatën Speciale. Dhe kjo sikur konfirmohet me rastin e vizitës së gjashtë “pashallarëve” në Bruksel, pra të udhëheqësve më të lartë shtetërorë të Kosovës, ku katër nga ta do të jenë me aktakuza nga Gjykata Speciale. Andaj kjo shtron një nevojë immediate para opozitës, por edhe qytetarëve të Kosovës, për nja bashkërenditje të aktiviteteve të tyre për ta parandaluar këtë kompromis të dhimbshëm dhe të padrejtë që po e kurdis presidenti Thaçi dhe koalicioni qeveritar në dëm të Kosovës dhe perspektivës së qytetarëve tanë, vetëm e vetëm që të shpëtojnë lëkurën e tyre për veprat inkriminuese të tyre gjatë periudhës së luftës dhe pas saj”, përfundon Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat