“Thirrjet për konsensus të kota, Thaçi kryenegociator rrezikon ndarjen e Kosovës”

Politika

“Thirrjet për konsensus të kota, Thaçi kryenegociator rrezikon ndarjen e Kosovës”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 23 korrik 2018 Në ora: 15:53
Hashim Thaçi

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, kishte thirrur për sot takim për të arritur konsensus për dialogun me Serbinë.

Por në këtë takim mori pjesë vetëm pozita, pasi opozita e bojkoti atë.

E pas takimit, Veseli tha se një pjesë e opozitës ka pranuar të jetë pjesë e takimit, duke mos treguar për kë bëhet fjalë dhe shtoi se beson se do të ketë unitet mes pozitës dhe opozitës, pasi përfundimi final i dialogut me Serbinë, është përgjegjësi e të gjithëve.

Por, sa mund të arrihet unitet, derisa opozita ka bojkotuar takimin e Veselit dhe vazhdon kundërshtimin e presidentit Thaçi për kryenegociator në dialogun me Serbinë?

Njohësi i çështjeve politike, Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, i ka quajtur të kota thirrjet për takime të tilla për konsensus për dialogun me Serbinë.

Image
Faik Krasniqi

“Po më duken të kota thirrjet e këtyre takimeve për një konsensus për dialogun. Konsensusi arrihet nëse pozita pranon kushtin e opozitës që Presidenti Thaçi të mos i udhëheq bisedimet me Serbinë. Në të kundërtën është vështirë të arrihet ky konsensus i nevojshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, me Thaçin kryenegociator nuk përjashtohet edhe ndarja e Kosovës, por qëllimi i Serbisë, sipas tij, është krijimi i një mini-republike serbe brenda Kosovës.

“Nuk mund t'i besohen bisedimet një njeriu që paralajmëron marrëveshje të dhimbshme për Kosovën. Me Thaçin kryenegociator nuk përjashtohet edhe ndarja e Kosovës, në emër të ''fuqizimit'' të shtetit të Kosovës. Por qëllimi i Serbisë nuk është ndarja e Kosovës. Qëllimi i Serbisë është krijimi i një mini republike serbe brenda Kosovës”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat