Hapi i gabueshëm me Hashim Thaçin!

Politika

Hapi i gabueshëm me Hashim Thaçin!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 9 gusht 2018 Në ora: 08:21
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ditë më parë ka deklaruar se është personalitet i votuar dhe më i besuar nga qytetarët.

“Unë ndihem mirë që gjithashtu siç edhe jeni edhe ju dëshmitarë, gjitha opinionet e prezantuara prej sondazheve apo prej opinion polls, vazhdoj të jem tash e 12 vite, 13 vite, personaliteti më i besuar dhe më i votuar në Kosovë. Një lider që i ka fituar nja shtatë palë zgjedhje një pas një, me gjithë këta akterë politik që janë”,  ka thënë Thaçi në një konferencë për media, ku kishte folur për “korrigjim” të kufijve mes Kosovës e Serbisë.

Por, jo të gjithë e kanë këtë mendim sikurse të presidentit Thaçi. Ai është vlerësuar se ka humbur këtë besim të qytetarëve të Kosovës, nga vet fakti se si është zgjedhur në postin e presidentit. Ai në shkurt të vitit 2016 kishte ardhur në postin e presidentit të Kosovës pas rundit të tretë të votimeve mes tensionesh të shumta. Zgjedhjen e Thaçit si president e kishte kundërshtuar opozita vendore të cilët kishin përdorur edhe gaz lotsjellës për të penguar një gjë të tillë.

Por sa është i besueshëm tani presidenti Thaçi?

Image
Blerim Burjani

Thaçi humb besimin

Lidhur me këtë, analisti politik, Blerim Burjani, thënë se Thaçi ka kohë që e ka humbur besimin e qytetarit, sikurse edhe liderët e tjerë politikë të cilët kanë akuza për veprime të kundërligjshme.

“Të besueshëm nuk ka më, qytetari nuk i beson më askujt e as Thaçit, ai ka humbur kaherë këtë besim po sikur pjesa tjetër partive dhe liderëve të cilët akuzohen për lloj  veprime të kundërligjshme, pasurim pa bazë dhe anarki dhe sundim me paranë publike, skandale të shumta kanë ndodhë në PDK”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar se një pjesë e zyrtarëve të PDK-së kanë probleme me ligjin dhe se Thaçi ka ardhur në një fazë ku e ka kapur paniku për dialogun, pasi që pa Kuvendin nuk mundet ta përmbyll këtë çështje.

“Një pjesë e madhe e njerëzve të këtij subjekti kanë problem me rendin dhe ligjin, pra nuk di kush mund ti besoj këtij njeriu, i cili e shkatërruar klasën intelektuale, e ka injoruar deri në fund, e ka prish Universitetin e Prishtinës, dhe ka banalizuar me një vergë universitetesh publike të dala nga fushatat e tij politike, ai ka bërë dialog  jo transparent me Serbinë, as nuk e din çka ka bë dhe as ku do të mbërrijë me këtë dialog pra ka humbur, tash kohërave të fundit e ka kap paniku ka me mbajt, kërkon përkrahjen e LDK për të përmbylle dialogun, pra ka ardhur në një fazë të rëndë kritike ku procesi nuk përmbyllet pa dhënë vendim kuvendi”, ka përfundua Burjani për “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Hap i gabueshëm

Ndërsa, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti, ka deklaruar se koha e ka dëshmuar se zgjedhja e Thaçit si president ishte  hap i gabueshëm, pasi që sipas tij, ai i ka sjellë vendit dëme të mëdha.

“Hashim Thaçi është manipulatori me i madh që Kosova ka pasur dhe ka, më të gjitha intrigat arriti në pushtet. Në pozitën e presidentit arriti me gaz lotsjellës dhe fal LDK-së, e cila në emër të zbatimit të marrëveshjes së koalicionit e bëri Thaçin president. Megjithëse koha e dëshmoi dhe po e dëshmon se ishte vendim i gabueshëm, pasi dëmet që po ia bën vendit Thaçi janë shumë të mëdha”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka theksuar se Kosova nuk duhet të bëhet “kurban” i Thaçit dhe se opozita duhet të ndërmarrë hapa që ta shkarkojë atë nga posti i peridentit.

“Duhet theksuar se edhe gjatë qeverisjes së tij si krye mister, Thaçi i solli shumë dëme të mëdha vendit duke e degraduar vendin në çdo sektor. Aty ku është Hashimi aty është dështimi, njeriu që vendit i ka sjellë vetëm të këqija. Kosova nuk duhet të bëhet edhe më tutje kurban i Thaçit, njeriut më të lig që ka njohur populli shqiptar i Kosovës. Opozita duhet me çdo kusht të shkarkoj Thaçin nga pozita e presidentit të vendit pasi çdo ditë e qëndrimit të tij në pushtet, Kosova përjeton vetëm dështime”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

Image
Skënder Zogaj

Tepër vonë të kontestohet

Kurse, analisti Skënder Zogaj, mendon se është e palejueshme që të anashkalohen problemet dhe të vihet në dyshim mënyra se si është zgjedhur presidenti i vendit për shkak të fazës në të cilën kanë arritur bisedimet.

“Bisedimet me Serbinë kanë arritur në fazën përfundimtare të përcaktimit të raporteve ndërshtetërore shqiptaro-serbe prandaj, është i palejueshëm luksi që të anashkalohet problemi konkret  dhe të vihet në dyshim  mënyra e zgjedhjes dhe mos besimin ndaj presidentit të zgjedhur në mënyrë ligjore dhe me vullnet të plotë demokratik!”, ka thënë ai për “Bota sot”

Për me tepër, ai ka theksuar se Thaçi ka nisur dhe zhvilluar vet bisedimet, e është tepër vonë të   kontestohet.

“Hashim Thaçi legalisht i ka nisur bisedimet dhe i ka zhvilluar fillikat vetëm! Pse e kanë lejuar institucionet e Kosovës, parlamenti, partitë politike, qytetarët që tash, kur duhet të prehet shiriti e kontestojnë?! Jo, tash është tepër vonë dhe e pandershme që të kontestohet! E ka ndërtu vekshin dhe i takon që  t’ia ngjes edhe vegën! Iu ka lejuar fillimi i takon edhe që ta përfundojë! Dhe çfarëdo që të jetë rezultati, mirë ose keq, që tani duhet ta pranojmë se është i merituari!”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat