Mashtrimi i qytetarëve nga Thaçi

Politika

Mashtrimi i qytetarëve nga Thaçi

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 9 gusht 2018 Në ora: 19:50
Hashim Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se është duke punuar që qytetarët e Kosovës të jenë pjesë e një referendumi, përmes të cilit do të bëhet korrigjimi i kufijve të Kosovës, temë kjo e cila është aktuale dhe shumë e përfolur ditëve të fundit.

“...në një situatë të tillë, vërtet që nuk mbetet rrugë tjetër përveç fuqizimit të vendimmarrjes së qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke iu mundësuar atyre për të vendosur vetë se kush ka të drejtë dhe se cili opsion është në interes të Kosovës". "Prandaj, është e domosdoshme që t’iu mundësojmë qytetarëve tanë të drejtën e referendumit, gjë që për të cilën jam duke punuar që të bëhet realitet”, ka thënë presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Mirëpo, ai nuk ishte i qartë se cila do të jetë mënyra e vendimmarrjes së qytetarëve në këtë referendum, pasi që nëse ai shpall referendum vetëm për komunën e Preshevës dhe atë të Mitrovicës së Veriut, atëherë me siguri kjo e fundit do të kalojë përgjithmonë si pjesë e Serbisë, pasi që dihet se shumica e popullsisë atje janë serbw.

Ndërsa, Presheva do të kalojë edhe zyrtarisht si territori i Kosovës, natyrisht nëse nuk bëhen manipulime gjatë procesit të referendumit atje.

Si pasojë e mos sqarimit të saktë të këtij referendumi, edhe nëse marrin pjesë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës në referendum si pjesë e vendimmarrjes, atëherë qytetarët nuk dinë se për cilin opsion të vendosin.

Opsioni i ndarjes as që nuk diskutohet, përveç serbëve që jetojnë në Kosovë. Ndërsa opsioni i korrigjimit, është një thikë me dy tehe për qytetarët, pasi ata nuk mund të besojnë se me korrigjim të kufirit do të fitohet Presheva e Bujanovci, ndërsa Serbia nuk do të përfitoj asgjë në këtë situatë.

Presidenti Thaçi tha se opsioni i ndarjes nuk është në tavolinë diskutimi, por vetëm korrigjimi, mirëpo frika e humbjes së komunave të Kosovës përmes autonomisë serbe, është e pashmangshme. Kjo bëhet edhe më e dyshimtë kur në hartimin e draft statutit të asociacionit të komunave serbe, në ekip bëjnë pjesë edhe katër shtetas serb.

E kur bëhet fjalë për përkrahjen e idesë së Thaçit për lëvizje në territore, duhet ta kemi parasysh që atë nuk po e përkrah asnjë parti politike, duke mos cekur fare qytetarët e vendit. Madje, edhe partia e tij PDK, po rrinë e heshtur përball zhvillimeve të “egra” këto ditë në Kosovë, duke mos dhënë asnjë koment lidhur me këtë, përveç kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili me gjysmë zëri po e përkrah idenë e Hashim Thaçit.

Mentaliteti i krijuar nga vetë Hashim Thaçi për karakterin e tij, nuk lë hapsirë të kemi besim te ai. Mashtrimet e njëpasnjëshme në të kaluarën, gënjeshtrat të përcjella me premtime koti, janë vetëm disa nga veprimet që e kanë bërë Thaçin t’ humbet besimi i popullit.

Kosova duhet të tentojë që nën ombrellën e BE-së dhe SHBA-ve, të provojë të ndihet e sigurt përball këtyre sfidave të tmerrshme që po vinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat