Rrugëtimi i Gjergj Dedajt nga robi i luftës, deri në postin e Ambasadorit

Politika

Rrugëtimi i Gjergj Dedajt nga robi i luftës, deri në postin e Ambasadorit

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 10 gusht 2018 Në ora: 08:02
Gjergj Dedaj dhe Hashim Thaçi

”Këtyre njerëzve presidenti Thaçi po ua blenë heshtjen e tyre nga frika, se këta mund ta flasin një ditë, sidomos tani në prag të fillimit të punës së Gjykatës Speciale, ku një nga të akuzuarit e sajë pritet të jetë edhe vet presidenti Thaçi”, ka thënë opinionisti Haziri.

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, po vazhdon ti “rehabilitojë” viktimat e tij, duke i emëruar nëpër pozita shumë të larta. Këtë e dëshmon më së miri, fakti i dërgimit të Gjergj Dedajt ambasador në Maqedoni dhe Agim Krasniqit, si shef i konsullatës, po në Maqedoni.

Agim Krasniqi dhe Gjergj Dedaj, ishin në mesin e 13 të arrestuarve në shtator të vitit 1998 në Drenicë.

Ata ishin ndaluar nga UÇK-ja në një tubim në fshatin Qirez, bashkë me 12 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.

Këtë ngjarje e kishte rrëfyer vet Gjergj Dedaj në rubikon.

“Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti politike që e përkrahni Presidentin historik Ibrahim Rugova. Ka pas maltretim fizik, psikik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturuar edhe fizikisht. Edhe unë jam maltretuar fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, do të rrëfente Gjergj Dedaj në emisionin Rubikon.

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se emërimi i Dedajt por edhe i Krasniqit, kanë si prapavijë Gjykatën Speciale. 

Sipas tyre, përzgjedhja e Thaçit për të lartpërmendurit, njëherësh është edhe një "blerje" e heshtjes së këtyre personave.

Image
Sulejman Mehazi

Mehazi: Interesi i Thaçit,  është që t'i marr me të mirë Gjergj Dedajn dhe Agim Krasniqin

Njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, ka thënë për “Bota sot” se filozofia politike thotë, se kur duan ta përzënë e ta largojnë ndonjë politikan nga qeveria apo nga skena politike për shkak të paaftësisë, e largojnë jashtë shtetit.

“Zakonisht ndodh ky skenar ashtu siç ndodhi edhe me Gjergj Dedajn, që s'ka lidhje me diplomaci, pasi për shkak të agresivitetit mendor e edukues politik, ai nuk mund ta dallojë madje as gjuhën diplomatike, prej asaj individuale, e mos të flasim e harxhojmë fjalë edhe për Agim Krasniqin, i cili është thuajse i njëjtë si Gjergj Dedaj, një karrieristë i klasit të parë. Pra në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni postet diplomatike të ambasadorëve jepen për shkak të interesave e jo për shkak të aftësisë”, është shprehur Mehazi.

Pra, sipas tij, interesi i Presidentit Hashim Thaçit, është që t'i merr me të mirë Gjergj Dedajn dhe Agim Krasniqin, për të humbur gjurmët e të zezave që i ka bërë ndaj tyre gjatë luftës së UÇK-së, para Gjykatës Speciale”, ka thënë ai.

Mirëpo, Mehazi e ka ndërlidhur emërimin e Dedajt edhe me qëndrimet e tij të fundit.

“Plus, Hashimi me dekretimin e Gjergj Dedajt si ambasador në Maqedoni përdor dinakëri politike ndaj tij. Hashimi duke ditur deklaratat e fundit të Dedajt ndaj Turqisë e Erdoganit, me qëllim e dërgon si Ambasador në Shkup duke e ditur se shqiptaret e Shkupit shumica janë ‘erdoganistë’, e së bashku me ambasadën turke që ka ndikim të madh te presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov, i cili jo vetëm që e do Turqinë, por di të flasë bukur turqishten, kështu që plani i Hashimit është që ta përzënë Gjergj Dedajn edhe prej Maqedonisë”, është shprehur njohësi i çështjeve politike Mehazi.

Image
Ali Hertica

Hertica: Kjo bëhet që të ruhet historiku i pistë nga qytetari

Ndërsa, analisti politik Ali Hertica, ka thënë se lideri pa subjekt apo komandanti pa ushtri është Gjergj Dedaj, pasi ai njihet për shumë skandale, mashtrime, ofendime, e shumëçka tjetër për të keq dhe asgjë të mirë.

Sipas tij, procesi i punësimit në sektorin publik është kryesisht i ndikuar politikisht nga subjektet apo vet lideri duke i rehatuar persona për qëllime personale të mbetjes në politikë.

“Të gjitha këto Thaçi i bën, që të mos ketë ndonjë akuzë për të dhe për të treguar para Gjykatës se gjoja ai është i pafajshëm. Thaçi këtë e ka bërë edhe me rastin e Gjergj Dedajt. Mirëpo, ata duhet të rehatohen që mos të ngrehin zërin për historikun e ‘liderit’ Thaçi . Pra, krejt kjo sipas raporteve të organizatave jo qeveritare, bëhet për t’i rehatuar militantët partiak në pozitat udhëheqëse, dhe që të ruhet historiku i pistë nga qytetari”, ka thënë Hertica.

Image
Nexhat Haziri

Haziri: Po blihet heshtja

Kurse, opinionisti Nexhat Haziri, ka pohuar se me këto poste Hashim Thaçi po e blenë heshtjen e një ngjarjeje, që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë, me persona të cilët dikur i ka ndëshkuar në mënyra të ndryshme.

“Bëhet fjalë për ngjarjen që lidhet me burgun e Likovcit, ku si i burgosur ka qenë edhe vet Gjergj Dedaj dhe në këmbim të kësaj heshtjeje, ai ka gëzuar poste të ndryshme në qeverinë e Kosovës, madje tani edhe në diplomaci. Por, Dedaj nuk është i vetmi, pasi ne kemi edhe shembull ish gazetarin Veli Bytyqin që po ashtu ka qenë i burgosur nga UÇK-ja, e raste te tjera. Pra me një fjalë këtyre njerëzve presidenti Thaçi po ua blenë heshtjen e tyre nga frika, se këta mund ta flasin një ditë, sidomos tani në prag të fillimit të punës së Gjykatës Speciale, ku një nga të akuzuarit e sajë pritet të jetë edhe vet presidenti Thaçi”, ka thënë opinionisti Haziri.

Image
Ismet Haziri

“Ndarja e ‘karameleve’ për Dedën e Krasniqin e kotë”

Kurse njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri, thotë se beteja për akomodimin e liderëve dhe personaliteteve të caktuara, nuk do të thotë se të njëjtit e kanë fituar luftën me drejtësinë.

“Ballkani perëndimor dhe shtetet e dala nga ish RSFJ janë në një proces qarkor eksperimental, ku fuqitë që i menaxhojnë këto procese, shkëputin segmente nga qarku dhe i futin në shërbim për konsum aktual, sikur që është rasti i tanishëm rreth bisedimeve te Brukselit. Prandaj, ndarja e ‘karameleve’ për Dedën e Krasniqin është sa e kotë, ngase vaji i tyre është dëgjuar tek fqinjtë në mëhallë, dhe tani me të gjithë e dimë se kanë qarë. Kështu që, Evropa nuk e besojë se e sakrifikon drejtësinë për pozitat e Gjergj Dedës e Agim Krasniqit, nëse kanë fakte, gjithnjë duke mos paragjykuar se për cilin person bëhet fjalë se mund të ngritët aktakuza. Por, e çuditshme është propozimi dhe emërimi i Dedës Ambasador në Maqedoni, kur ai këtyre ditëve u bë edhe shkaktar i fyerjes së komunitetit Turk, e veçanërisht është e habitshme heshtja e përfaqësuesve të komunitetit Turk, pasi ngritën këtë çështje me kushtëzime për Qeverinë Haradinaj”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat