Deputeti i Vetëvendosjes tregon dy mënyrat për ta ndalur Thaçin

Politika

Deputeti i Vetëvendosjes tregon dy mënyrat për ta ndalur Thaçin

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 28 gusht 2018 Në ora: 15:47
Lëvizja Vetëvendosje

Para 7 shtatorit pritet të mbahet seancë e jashtëzakonshme, e thirrur nga partitë opozitare në Kuvend.

Dje këtë e bënë të ditur LDK dhe PSD, derisa për këtë po bashkëpunojnë dhe me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila është pro mbajtjes së seancës dhe ndaljes së presidentit Thaçi në shkëmbimin e territorit me Serbinë.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ismail Kurteshi, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se janë të vendosur për ta ndalur presidentin.

Image
Ismail Kurteshi

“Po edhe ne jemi për tu mbajtur seanca. Ne jemi të vendosur që ta ndalim presidentin”, është shprehur ai.

Sipas tij, ekzistojnë dy mënyra që ai të ndalet, njëra është me rezolutë, e nëse përmes saj nuk do të ndalet, atëherë thotë se do të ketë protesta.

“Është më mirë që ai të ndalet me një rezolutë që jam i sigurt që do të aprovohet në Kuvend. Nëse jo, atëherë qytetarët e Kosovës janë më të gatshëm se kurdoherë që ta ndalin presidentin dhe të kërkojnë llogari nga ai, nëse ai veç nuk ndalet me rezolutë”, ka deklaruar deputeti Ismail Kurteshi për gazetën “Bota sot”.

Në seancën e thirrur, opozita do të kërkojë që të miratohet rezoluta me vetëm një pikë, ku konfirmohet se territori i Kosovës është një dhe i pa ndashëm dhe se askush nuk ka mandat të negociojë për territorin e Kosovës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat