Ideja e Thaçit për territoret bllokon njohjet

Politika

Ideja e Thaçit për territoret bllokon njohjet

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 shtator 2018 Në ora: 22:13
Foto ilustrim

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi edhe më tej konsideron se ideja për korrigjimin e kufijve është e vetmja zgjidhje për të përfunduar konfliktin në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai deklaron se me këtë proces nuk do të ketë ndarje e as shkëputje të pjesës veriore, ndërsa sipas tij do të shënojë vetëm fundin e konfliktit të gjatë në mes të dy vendeve.

Mirëpo, janë të tjerët që po e mendojnë dhe po shprehën ndryshe. Si pasojë e kësaj ideje, “korrigjim të kufijve”, partitë opozitare po vlerësojnë se me rihapjen e çështjes së kufijve janë bërë hapa mbrapa sa u përket njohjeve të Kosovës.

Kështu mendon shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili shprehet se në vend është shkaktuar pasiguri për shkak të kësaj, duke ndikuar kështu direkt edhe në njohjet e pavarësisë së Kosovës.

Edhe një anëtar i kësaj partie mendon njëjtë si shefi i tij. Ai ndër tjerash thekson se ideja presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, jo vetëm që ka bllokuar njohjet e Kosovës, por, ka paralizuar edhe tërë jetën politike në vend.

E, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, konsiderojnë se klasa politike në pushtet nuk ka pasur strategji të qartë për prioritetet rreth konsolidimit të Kosovës ndërkombëtarisht.

Hoti: Thaçi ka bllokuar njohjet e Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti i ka quajtur të papranueshme veprimet e fundit të presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh me Serbinë. Thotë se në vend është shkaktuar pasiguri për shkak të kësaj duke ndikuar edhe në njohjet e pavarësisë së Kosovës.

Deputeti i LDK-së ka kujtuar veprimtarinë e ish-kryetarit të PDK-së duke mos gjetur Luginën e Preshevës si pjesë të punës së tij primare në të kaluarën.

“Me veprimet e tij gjatë këtij viti është shpërfaqë një politikë e cekët që nuk është në dëm të Kosovës”, ka thënë Hoti.

Shefi i GP LDK-së në Kuvendin e Kosovës thotë se me rihapjen e çështjes së kufijve në 10 vjetorin e pavarësisë së vendit janë bërë hapa mbrapa sa u përket njohjeve të Kosovës.

“Njohjet janë blloku nga Thaçi. Ka krijuar pasiguri që nuk ka qenë më parë”, deklaroi Hoti.

“Ideja e Thaçit ka paralizuar tërë jetën politike”

Image
Bajram Gecaj

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka dhënë kritika të mëdha për kreun e Kosovës.

Gecaj tha se ideja për “Korrigjim të Kufijve”, jo vetëm që ka bllokuar njohjet e Kosovës, por, ka paralizuar tërë jetën politike në vend.

“Ideja e Hashim Thaçit ka bllokuar jo vetëm njohjet, por ka paralizuar tërë jetën politike në vend. Ka futur një të qarë në murin i cili ka qenë i padepërtueshëm dhe vijë e kuqe për kosovarët - pra, ndarja, shkëmbimi apo "korrigjimi" i kufijve”, tha Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai thotë se ideja e Thaçit, do të ketë pasoja të dëmshme për shumë procese të cilat e presin Kosovën drejt integrimeve euro-atlantike.

“Kjo, besoj unë, do të ketë pasoja të dëmshme për të ardhmen tonë dhe për shumë procese të cilat na presin në rrugën tonë drejt integrimeve euro-atlantike”, ka përfunduar, anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, për gazetën “Bota sot”.

“Klasa politike në pushtet pa strategji”

Image
Adrian Prenkaj

Ndërkaq, Adrian Prenkaj, njohës i çështjeve ndërkombëtare, ka konsideruar se njohjet nuk janë bllokuar për shkak të dialogut e as ideve të ndryshme në atë dialog, por, siç thotë, ai për shkak të zhvillimeve gjeopolitike.

“Njohjet nuk janë bllokuar për shkak te dialogut e as ideve te ndryshme ne ate dialog, por per shkak te zhvillimeve gjeopolitike jashtë kontrollit te Kosovës”, thotë Prenkaj.

Prenkaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, me tej është shprehur se në përgjithësi klasa politike në pushtet nuk ka pasë strategji.

“Në përgjithësi klasa politike në pushtet nuk ka pasë strategji të qartë për prioritetet rreth konsolidimit të Kosovës ndërkombëtarisht”, ka përfunduar Adrian Prenkaj, njohës i çështjeve ndërkombëtare për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: Të gjitha trazimet brenda Kosovës ndikojnë në planin ndërkombëtar

Image
Skender Zogaj

E, njohësi i zhvillimeve politike, Skender Zogaj, ka folur lidhur me idenë e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për korrigjim të kufijve.

Zogaj thotë se kjo është adut i mjaftueshëm që të themi se nuk i konvenon Kosovës kjo pasi që ndodhi në kohën kur Kosova është e preokupuar me çështje shumë më të rëndësishme dhe më prioritare.

“Deklaratat e Presidentit Thaçi rreth korrigjimit të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka shkaktuar debate të shumta dhe të shumëllojshme, sa brenda dhe jashtë Kosovës. Vetëm kjo është adut i mjaftueshëm që të themi se nuk i konvenon Kosovës sepse kjo ndodhi në kohën kur Kosova është e preokupuar me çështje shumë më të rëndësishme dhe më prioritare”, tha Zogaj.

Në fund, analisti politik Zogaj thekson se kjo çështje tashmë është akt që ka ndodhur dhe duhet bërë përpjekje që të tejkalohet sa më shpejtë e sa me më pak pasoja.

“Mirëpo, tashmë është akt që ka ndodhur dhe duhet bërë përpjekje që të tejkalohet sa më shpejtë e sa me më pak pasoja. Jo vetëm kjo, por të gjitha trazimet brenda Kosovës ndikojnë në planin ndërkombëtar dhe do të ketë hezitime ndaj prosperitetit të vendit”, ka përfunduar analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike, Skender Zogaj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat