Vetëvendosje e vetme në protestën e 29 shtatorit

Politika

Vetëvendosje e vetme në protestën e 29 shtatorit

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 24 shtator 2018 Në ora: 18:18
Takimet mobilizuese të Vetëvendosjes për protestën e 29 shtatorit

“Opozita, LDK-ja në veçanti nuk duhet ta përjashtoj edhe protestat si forme e kundërshtimit të presidentit Thaçi për aventurat e tija në dëm të Kosovës, por edhe për ta detyruar qeverinë Haradinaj të dorëhiqet. Vetëm veprimet brenda Kuvendit nuk do të jenë të mjaftueshme për rezistencë politike ndaj keqqeverisjes dhe ndaj planeve anti-shtetërore të presidentit Thaçi”, ka thënë analisti Nexhat Haziri për “Bota sot”.

Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar qytetarët e Kosovës që të  protestojnë me 29 shtator, derisa lideri i kësaj partie Albin Kurti, ka deklaruar se arsyet e organizimit të protestës janë  gjendja politike në vend, si dhe për kundërshtimi i idesë për korrigjimin e kufijve, e hedhur nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Por, kjo ftesë e Kurtit për protestë gjithë popullore nuk ka gjetur mbështetje nga partitë opozitare. Nga dy partitë opozitare ajo  e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate, kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në këtë protestë.

Image
Naser Rugova

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike në vend, vlerësojnë se vendi ka nevojë për një opozitë të bashkuar, pasi që mos-koordinimi i tyre shkon në favor që pozitës.

Rugova: Nuk është momenti i përshtatshëm për protesta

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova ka thënë për “Bota sot” se kryesia e partisë të cilës i takon ka marr vendim që nuk është momenti i përshtatshëm për protesta.

“Tanimë është vendim i kryesisë së LDK-së se nuk është momenti i përshtatshëm për protesta dhe ne si grup parlamentar i subordinohemi vendimeve që i merr lidershipi i partisë”, ka deklarua ai për “Bota sot”.

Image
Natyra Kuçi

Kuçi: Nuk morëm ftesë për protestë

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate-së, Natyra Kuçi, për “Bota sot” ka konfirmuar se partia e saj nuk ka marrë ftesë për organizim ose pjesëmarrje në protestë dhe se Kosova ka nevojë për opozitë të bashkuar ndërpartiake dhe shoqërore. 

“Partia Socialdemokrate nuk ka marrë ftesë për organizim ose pjesëmarrje të ndonjë proteste nga ndonjë subjekt politik. Ne konsiderojmë që çështje si kjo e dialogut meritojnë një trajtim më serioz të opozitës drejt bashkimit të saj përmes hartimit të një strategjie të përbashkët edhe për qëndrimet dhe veprimet politike, që duhen ndjekur ndaj pushtetit. Kosova ka nevojë për opozitë të bashkuar ndërpartiake dhe shoqërore”, ka thënë Zëdhënësja e PSD-së për “Bota sot”. 

Gjithashtu, ajo ka shtuar se mospjesëmarrja e PSD-së në protestë është pasojë e mungesës së vullnetit për bashkëpunim nga ana e organizatorit.

“Mospjesëmarrja jonë në protestë është pasojë e mungesës së vullnetit për bashkëpunim dhe bashkërendim nga ana e organizatorit”, ka potencuar Kuçi për “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

Haziri: Partitë duhet të koordinohen

Kurse, analisti politik Nexhat Haziri  thotë për “Bota sot” se mos koordinim ndërmjet partive politike shkon në favor të pozitës dhe në dëm të vendit.

 “Kjo tregon për dallimet dhe për një mos koordinim brenda kampit opozitar, e që e tëra kjo shkon në favor të pozitës dhe në dëm të Kosovës, pasi çdo ditë qeverisje nga koalicion PAN është një ditë e humbur për Kosovën dhe qytetarët e sajë. Është momenti ndoshta i fundit ku partitë opozitare duhet të reflektojnë për të ndërtuar një strategji të përbashkët jo vetëm për ta ndaluar presidentin Thaçi për të negociuar tërësinë territoriale të vendit në dialog me Serbinë, por edhe një strategji për largimin sa me të shpejtë të koalicionit PAN nga qeverisja e vendit”, thekson Haziri për “Bota sot”.

Për më tepër, ai shtoi se për të pasur ndikim më të madh do të duhet të ishin pjesë e protestës edhe dy partitë tjera opozitare, LDK-ja dhe PSD-ja, pasi që veprimet  brenda Kuvendit nuk do të ishin të mjaftueshme për rezistencë politike ndaj pushtetit.

“Ndërsa nëse po flasim për protestën e thirrur nga LV -ja për 29 shtator është e drejtë e kësaj partie politike, por nëse do të mendonim që kjo protestë të ketë ndikimin e saj më të madh dhe të ishte një lloj presion ndaj qeverisë aktuale të drejtuar nga kryeministri Haradinaj, do të duhej të ishin edhe dy partitë tjera opozitare LDK-ja dhe PSD-ja. Pra opozita, LDK-ja në veçanti nuk duhet ta përjashtoj edhe protestat si forme e kundërshtimit të presidentit Thaçi për aventurat e tija në dëm të Kosovës, por edhe për ta detyruar qeverinë Haradinaj të dorëhiqet. Vetëm veprimet brenda Kuvendit nuk do të jenë të mjaftueshme për rezistencë politike ndaj keqqeverisjes dhe ndaj planeve anti-shtetërore të presidentit Thaçi”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

Image
Ali Hertica

Hertica: VV dhe PSD iniciatorë potencial për rrëzimin e qeverisë Mustafa

Kurse,  analisti politik Ali Hertica, ka deklaruar se janë ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestë  pasi që gjendja e tyre e jetesës  dhe sigurisë po përkeqësohet dhe se janë të zhgënjyer me situatën e tyre ekonomike  madje edhe me atë politike të geotizimin nga Bashkim Evropian.

Për më tepër, ai ka shtuar se arsyeja pse LDK-ja nuk do të marrë pjesë në protestë është se subjekti i ndarë në dy PSD dhe VV ishin iniciatorë potencial për rrëzimin e qeverisë Mustafa dhe se LDK dëshiron rrëzimin e qeveris në Kuvend e jo në rrugë.

“Në këtë formë qytetarët po ndihemi të pashpresë si pasoj e një faktori politik vendor të korruptuar. Mirëpo LDK-ja nuk  ti bashkëngjitet këtij marshi demonstrues ,sepse subjekti i ndarë në dy PSD dhe VV ishin iniciator potencial për rrëzimin e qeveris Mustafa dhe tani ndihma kryesore e LDK-së  nuk do ju bashkëngjiten këtyre dy subjekteve politike duke u thirr se LDK dëshiron rrëzim të qeveris në kuvend e jo në rrugë. Tani  pjesa e madhe e elektoratit të LDK-së  do ta dëgjoj subjektin e tij politik  dhe nuk do marshon fare në demonstratën më 29 shtator ku do ishe një hap i drejt një sinjali të kësaj qeverie  më shumë keqpërdorim dhe abuzime me vlerën e qytetarit duke e degraduar në gjithë mënyrat për  të jetuar.. Tashmë po presim nga institucionet tona ndryshim, institucione këto të krijuar me mund e shumë sakrificë por pa asnjë ndryshim esencial”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Sipas tij,  protesta që do të organizohet nga Lëvizja Vetëvendosje është për t`i bërë presion presidentit Thaçi që të heqë dorë nga plani për korrigjimin e kufirit me Serbinë.

“Opozita në bëri thirrje të përgjithshme një ditore që pritet të mbahet  me 29 shtator, duke shpresuar t’i bëjë presion presidentit Thaçi që të heqë nga planet e tij për korrigjimin e kufirit me Serbinë dhe largimin e kësaj qeverisë të pa aftë politikisht”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka shtuar se kjo kastë politike duhet të largohet nga skena politike me anën e demonstratave.

 “Ku deri më tani as një proces të brendshëm nuk shtyri drejt shpresë së qytetarëve por vetëm për egot e veta dhe rritjen e pagave, ndërsa qytetari mbetet i uritur nga kjo kast politikë e pa dëgjueshme e cila gjithësi duhet të largohet nga skena politike me anën e demonstratave sepse qytetari është zëri i vetvetes kur qeveria bie në dashuri me korrupsionin dhe krimin ekonomik të oligarkëve”, ka përfunduar Hertica për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat