Prapavija e duelit Thaçi - Haradinaj

Politika

Prapavija e duelit Thaçi - Haradinaj

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 10 tetor 2018 Në ora: 21:17
Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj

Se presidenti Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë qëndruar afër njëri tjetrit më shumë se një vit për shkak të interesave personale e jo shtetërore, po e vërteton përplasja e të dyve kohëve të fundit.

Durimi 1 vjeçar i presidentit dhe kryeministrit, po del tani në pah kur njërit prej tyre iu kërcënua pozita e vet. Prej kohësh Thaçi dhe Haradinaj janë në konflikt të fshehur me njëri tjetrin. Thaçi i cili në vazhdimësi promovon idenë e tij për korrigjim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, në anën tjetër kryeministrit Haradinaj po e kundërshton ashpër këtë ide.

Pasi që presidenti Thaçi është zënë ngushtë duke mbetur i vetmuar me idenë e tij pa përkrahjen e askujt nga skena politike e Kosovës dhe kështu duke u afruar në përqafim te Vuçiqi, ka lansuar hovin e kërcënimeve për prishje të qeverisë. Ai e kërcënoi publikisht Haradinajn se mund të prishet qeveria nëse kryeministri nuk i korrigjon fjalët e tij për idenë e korrigjimit të kufijve.

Hashim Thaçi sa herë ka dashur e ka çuar Kosovën në zgjedhje të parakohshme! Kjo lojë politike e presidentit të sotëm duket se frymëzohet nga të njëjtat motive, si edhe më parë.

Nëse Haradinaj shkarkohet nga presidenti Thaçi, ai nuk do bëhet i pari që bie në kurthin e Thaçit dhe intrigave të tij, pasi pjesë e kësaj loje të Thaçit në të kaluarën ishte edhe ish kryeministri Isa Mustafa.

E deklaratat e presidentit siç duket nuk po e shqetësojnë shumë kryeministrin Haradinaj, i cili po i kundërpërgjigjet në çdo situatë Thaçit. Ndonëse as vet Haradinaj nuk ishte i suksesshëm në këtë mandat si kryeministër, ai ka hedhur një sërë kritikash ndaj Thaçit, duke zgjedhur gjuhën e një kapadaiu politik.

Kjo i ngjan pak a shumë filmave të zhanrit aksion, ku dy bosë të drogës lidhin marrëdhëniet e tyre për shkak të biznesit dhe më pas i prishin ato pikërisht për shkak të atij biznesi. Kështu po ngjan edhe në politikën e vendit tonë, ku për shkak të përplasjes së Thaçit dhe Haradinajt, po pëson qytetari i Kosovës.

Për shkak të mosmarrëveshjeve, Kuvendi i Kosovës ka më shumë se një muaj që nuk ka mbajtur seancë. Problemet brenda shtetit për shkak të konflikteve personale të krerëve të shtetit, mund ta shtyjnë liberalizimin e shumëpritur të vizave edhe për një kohë të gjatë.

Ani pse presidenti Thaçi nuk ka të drejtë ta shkarkojë kryeministrin pasi që kushtetuta nuk e lejon këtë, ai mund të shfrytëzoj piunët e tij politik të PDK-së, që janë deputetë të Kuvendit të Kosovës. Përmes mocionit të mosbesimit dhe përkrahja absolute e atyre deputetëve, sigurisht që Haradinaj do të rrëzohej, mirëpo, me një qeveri të re që me siguri do ishte LDK-VV, Thaçi do të ishte vetëm formalisht president, duke mos pasur akces të shfrenuar si në mandatin Haradinaj.

Me një parë zgjedhje të jashtëzakonshme, do të humbte shumë edhe ish partia e Thaçit, PDK-ja, e cila nuk është duke e marrë veten që nga disfata e madhe që pësoi në zgjedhjet lokale. Kësisoj, presidenti Thaçi do bëhej një kamikaz i vetvetes dhe ish partisë së tij, ndonëse fundi i tij do të vije shpejt, pa marrë parasysh mënyrën se si do vije ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat