Mesazhi i rëndësishëm që la David L. Phillips

Politika

Mesazhi i rëndësishëm që la David L. Phillips

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 15 tetor 2018 Në ora: 15:54
David L. Phillips

Eksperti amerikan i politikës së jashtme David Phillips, që njëherit ishte i angazhuar nga presidenti Thaçi si këshilltar i marrëdhënieve me jashtë, dha dorëheqje nga kjo detyrë me arsyetimin se nuk donte të ishte pjesë e ndarjes së Kosovës.

Philips ka theksuar se korrigjimi i kufijve përfaqëson një tradhti historike të popullit të Kosovës, duke e quajtur këtë ide të rrezikshme, destabilizuese dhe që mund të çojë në dhunë dhe fragmentim të përtërirë.

David L. Phillips kishte punuar për pavarësinë e Kosovës më shumë se 30 vite, madje më shumë se presidenti aktual i Kosovës. Phillips e njihte në thelb politikën e Kosovës dhe e dinte se si ta mbronte atë, mirëpo nuk mundi ta mposhte presidentin Thaçi, i cili po shkelë çdo kë që po i del pengesë para kësaj ideje.

Por, Phillips si një njeri që ia donte të mirën Kosovës, para pak ditësh në një konferencë tregoi tri rreziqet që duhet të ketë kujdes Kosova. Ai tha se Rusia, Serbia dhe Turqia janë tri vendet që mund ta shkatërrojnë Kosovën në aspektin e sovranitetit përmes formave diplomatike dhe ekonomike.

Tani eksperti amerikan shtoi edhe një rrezik që i kanoset Kosovës, e ai është Hashim Thaçi. Me dorëheqjen e Phillips nën arsyetimin se “nuk mund të jetë pjesë e ndarjes së Kosovës”, ai e vërtetoi se duhet të kemi kujdes edhe Thaçi, që po radhitet në krah të Serbisë, Rusisë dhe Turqisë, si kërcënimet më të rrezikshme që mund të ketë Kosova në rrugën e proceseve të integrimeve Evropiane.

Thaçi në kulmin e vetmisë, po rrugëton i vetëm duke mbajtur mbi supe idenë e korrigjimit të kufijve. Atij ia kanë kthyer shpinën pothuajse i gjithë spektri politikë në Kosovë, si dhe miqtë e mëdhenj të Kosovës siç janë SHBA, Gjermania dhe Britania.

Pavarësisht se Thaçi pasi u kthye nga asambleja e përgjithshme e OKB-së, tentoi që me deklaratat dinake ta paraqiste SHBA-në si përkrahëse të idesë së tij për korrigjimin e kufijve me shtetin serb, atë mashtrim ia hodhi poshtë dorëheqja e David L. Phillips. Ky veprim i politikës amerikane jep të kupton faktin se Presidenca e Kosovës ka dalë nga kornizat politike të përkrahjes dhe orientimit politikë amerikanë duke iu bashkangjitur projekteve serbo-turko-ruse për ndarjen e Kosovës.

Por, spektri politik në Kosovë dhe populli sigurisht, nuk duhet ta lejojë në asnjë mënyrë që presidenti Thaçi të bëjë hapa para për idenë e tij, pasi një nënshkrim i një marrëveshjeje të bazuar pikërisht mbi atë ide, përveç që do ta dëmtonte vendin duket humbur pikat strategjike ekonomike, do të prishte edhe miqësinë shumëvjeçare me Amerikën.

Një njeri nuk duhet lejuar ta bëjë këtë marrëzi, që ndoshta për interesa personale po hedh në humnerë punën shumëvjeçare të ndërtuar nga politikat e udhëhequra që nga presidenti historik Ibrahim Rugova dhe miqtë ndërkombëtar të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat