Frika nga Gjykata Speciale, motivi më i fortë për “përrallat” rreth kufijve

Politika

Frika nga Gjykata Speciale, motivi më i fortë për “përrallat” rreth kufijve

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 16 tetor 2018 Në ora: 14:51
Selia e Gjykatës Speciale

“Gjykata speciale kemi menduar se do ta dridhe shtetësinë e Kosovës, por ja qe ishim gabim, themelet e shtetit të Kosovës jemi duke i lëkundur vet, ngase një pjesë më lartë e udhëheqësve shtetëror të Kosovës janë duke i kontestuar vet kufijtë e shtetit të Kosovës. Ata kufij në të cilët është shpallur pavarësia e Kosovës me 17.02.208”, ka deklaruar avokati Tomë Gashi për “Bota sot”.

Në gushtë të vitit 2015, 82 deputetë të Kuvendit të Kosovës miratuan themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte, kurse kundër saj dolën vetëm 5 prej tyre, ndërsa kishte vetëm një që abstenoi.

Këtë e kundërshtuan edhe partitë politike opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën pasi që  e shihnin si cenim të rendit kushtetues që krijon sistem paralel të drejtësisë.

Gjatë kësaj kohe, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte zëvendës-kryeministër dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, pati kërkuar nga deputetët që ta votojnë Gjykatën Speciale.

Edhe pse tashmë kanë kaluar tri vite që nga themelimi i kësaj Gjykate, ende nuk ka ngritje të aktakuzave të para, siç flitej se do të ketë për 10 raste të dyshuara për krime lufte.

Për këto vite, gjykata ka pasur dy Prokuror të Specializuar. Prokurori i parë ishte, David Schvendiman, i cili u tërheq nga kjo detyrë në mars, pas përfundimit të mandatit të tij si zyrtar i Shërbimit të Jashtëm të Shteteve të Bashkuara, ndërsa, në vend të tij erdhi Prokurori i Specializuar Jack  Smith.

Bennett: Nuk ndikohemi nga politika

Por, në gjithë këtë “heshtje” të kësaj Gjykate  a ndikon situata politike në Kosovë?

Lidhur me këtë, Chris Bennett nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, i ka thënë gazteës “Bota sot”, se janë amendamenti kushtetues dhe Ligji të cilat tregojnë drejtimin e jo politikat në Prishtinë, Beograd, ose gjetiu.

“Përgjegjësitë e Prokurorit të Specializuar janë të përcaktuar në amendamenti kushtetues dhe në Ligjin të cilin Kuvendi i Kosovës miratoi në gusht të vitit 2015. Janë amendamenti kushtetuese dhe Ligji të cilat tregojnë drejtimin e jo politikat në Prishtinë, Beograd, ose gjetiu. ZPS-ja qeveriset nga ligji dhe nga faktet”, thuhet në përgjigjen e Bennett për “Bota sot”.

Për gjatë këtyre viteve Kosova ka kaluar nëpër faza të ndryshme dhe të vështira për Republikën si Demarkacioni me Malin e  zi, por kohëve të fundit Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë edhe idenë për korrigjimin e kufirit me Serbinë. Kjo temë pritet të bëhet pjesë e dialogut të Kosovës me Serbinë .
Gashi: Gjykata speciale kemi menduar se do ta dridhe shtetësinë e Kosovës

Image
Tomë Gashi

Avokati Tomë Gashi, ka thënë se është menduar se Gjykata speciale do ta dridh shtetësinë e Kosovës, por ishte një mendim i gabuar, pasi që një gjë e tillë po ndodh nga udhëheqësit shtetëror të vendit.

“Ide të reja janë duke u shpikur për ti hy në hatër Serbisë e cila është e vetmja që ka interes konkret dhe madhore për gjykatën speciale. Gjykata speciale kemi menduar se do ta dridhe shtetësinë e Kosovës, por ja qe ishim gabim, themelet e shtetit të Kosovës jemi duke i lëkundur vet, ngase një pjesë më lartë e udhëheqësve shtetëror të Kosovës janë duke i kontestuar vet kufijtë e shtetit të Kosovës. Ata kufij në të cilët është shpallur pavarësia e Kosovës me 17.02.208”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai ka shtuar se nuk do të ndodh asnjë ndryshim i  kufijve të Kosovës pasi që nuk do ta lejojnë SHBA-të dhe shtete e tjera që ndihmuan çlirimin e vendit nga Serbia.

“Dhe tani kontestimi i Kufijve të Kosovës nga udhëheqësit e Kosovës mund të kontestojnë thuaj se çdo njohje e pavarësisë së Kosovës si shtet. Është e qartë se në fund nuk do të ndodhë asnjë ndryshim i kufijve të Kosovës sepse nuk do të lejojnë shtetet që ndihmuan në çlirimin e Kosovës nga Serbia. Siç janë ShBA dhe shtete tjera, dihet haptas se Kosova shtet i pavarur është edhe Projekt amerikan”, ka potencuar Gashi për “Bota sot”.

Kufijtë për specialen

Për më tepër ka shtuar se, frika nga gjykata speciale është motivi më i fortë për përrallat rreth kufijve të Kosovës.

“Dhe tani amerikanet duhet të na shpëtojnë nga vetvetja që mos të zhbëjmë shtetin e Kosovës ne vet duke ja kontestuar kufijtë shtetëror me gjithfarë përralla e halucinacione vetëm e vetëm. Që mos të akuzohen disa “të fortë” në mesin e të cilëve edhe ai që e quan vetën “Më i forti në Kosovë”. Por Kosova do ta tejkaloj edhe këtë periudhë të rëndë të konsolidimit të shtetësisë falë kujdesit të ShBA dhe aleteve të tjerë. Frika nga gjykata speciale është motivi më i fortë për përrallat rreth kufijve të Kosovës ndërkombëtarësh të pranuar nga mbi 115 shtete”, ka përfunduar Gashi për “Bota sot”

Ahmeti: Funksionalizimi i gjykatës speciale ka stërzgjatur

Image
Hidajet Ahmeti

Lidhur më këtë, analisti politik Hidajet Ahmeti, ka vlerësuar se me eksperimente të tilla politike nuk duhet të humbet kohë pasi që vendi në vazhdimësi është dëmtuar.

“Lojëra të tilla politike nuk janë në dobi të shtetit të brishtë të Kosovës, e aq më pak qytetarëve të saj, të cilët janë lodhur nga ky mjerim socio-ekonomik. Eksperimente të tilla politike  nuk janë të udhës të bëhen, por as të humbet kohë me to, pasi që Kosova mjaft ka eksperimentuar me çështje të ndjeshme të shtetësisë dhe në vazhdimësi ka dëmtuar substancën e Republikës”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Për më tepër, ai është shprehur se ide të reja po krijohen për qëllime të caktuar politike.

“Gjykoj se, sajimi i temave të reja është me qëllime të caktuara politike, në njërën për të shpërqendruar opinionin publik nga problemet reale që ballafaqohet, kurse në anën tjetër për tu fuqizuar vetën në raport ndërkombëtar”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, ai është shprehur se stërzgjatja e funksionalizimit të gjykatës speciale  ka krijuar perceptim negativ në opinion publik.

“Funksionalizimi i gjykatës speciale ka stërzgjatur dhe si pasoj ka krijuar perceptim negativ në opinion publik potencialisht për të dështuar dhe nuk besoj se asociacioni me çështjen e korrigjimit të kufijve”, ka thënë Ahmeti për “Bota sot”.

Krasniqi: Gjykata Speciale nuk është themeluar kot së koti

Image
Faik Krasniqi

Kurse, analisti tjetër, politik, Faik Krasniqi ka deklaruar se edhe presidenti i Kosovës, Thaçi është i vetëdijshëm se nuk mund t`i ikë Gjykatës Speciale.

“Askush nuk mund t'i ik ngritjes së aktakuzave të Gjykatës Speciale nëse janë në listë. As shpikja e korrigjimit të kufijve e as çështje të tjera. Për këtë janë të vetëdijshëm të gjithë. Edhe Presidenti Thaçi”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Krasniqi shprehet i habitur pse ende nuk është ngritur asnjë akuzë pas zhurmës së madhe për themelimin e saj.

“Gjykata Speciale nuk është themeluar kot së koti. Por mua çfarë më habit është fakti se u bë aq shumë zhurmë e madhe për themelimin e saj nga ana e Bashkisë Ndërkombëtare dhe akterët kryesorë politikë në Kosovë, dhe në anën tjetër kaluan më shumë se 3 vite dhe akoma nuk është ngritur asnjë aktakuzë”, ka shtuar ai.

Krasniqi ka dyshime se kjo Gjykatë është themeluar për shkak të dialogut me Serbinë në mënyrë që në fazën finale të nënshkruajnë gjithçka çfarë ju serohet në dëm të Kosovës.

“Kam dyshimin që kjo Gjykatë Speciale është themeluar më shumë për t'u bërë shantazh atyre që e kanë mizën pas veshit, për shkak të dialogut me Serbinë në mënyrë që në fazën finale të nënshkruajnë gjithçka çfarë ju serohet në dëm të Kosovës se sa që ka diçka në realitet. Prandaj, Presidenti Thaçi nuk bën t'i udhëheq këto bisedime në fazën finale të saj!”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat