4 vota përcaktojnë fatin e Qeverisë Haradinaj

Politika

4 vota përcaktojnë fatin e Qeverisë Haradinaj

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 17 tetor 2018 Në ora: 08:05
Qeveria PANA-Lista serbe

Opozita, konkretisht dy partitë më të mëdha në Kosovë nga radhët e opozitës, Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë një pajtim unifikimi për rrëzimin e Qeverisë. Mirëpo qasja e dyshimtë e Partisë Socialdemokrate po pengon rrëzimin e Qeverisë së Ramush Haradinajt, e cila po cilësohet si njëra prej qeverive më të dobëta që Kosova ka pasur ndonjëherë.

Unifikimin e përgjithshëm të opozitës po e zbehë PSD-ja, e cila kur po i duhet Qeverisë po ia bënë kuorumin në Parlament.

Rugova: Sa më parë të bie kjo qeveri është më mirë për Kosovën

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova thotë se, ekziston një pajtim për rrëzimin e Qeverisë, por atyre u duhen edhe katër vota nga koalicioni.

Image
Naser Rugova

“Konsideroj që ky pajtim për rrëzimin e kësaj qeveria ekziston, jemi në kontakte permanente si parti opozitare, por ne duhen edhe 4 vota nga spektri politik në koalicion, sa më parë të bie kjo qeveri është më mirë për Kosovën”, thotë Rugova për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, thekson se, largimi i krahut të luftës, e sidomos PDK-ja nga qeverisa është i domosdoshëm.

Millaku: Një pjesë e LDK-së dhe PSD po pengojnë unitetin

Ajo thotë se, krahu i luftës e ka rrënuar imazhin e luftëtarit të lirisë, por sipas saj, PSD-ja dhe një pjesë e LDK-së po punojnë për pengimin një fronti të përbashkët opozitar.

Image
Drita Millaku

“Tashmë është domosdoshmëri largimi i krahut të luftës nga qeverisja e sidomos i PDK-së pasi që kjo thënë shkurt e ka keqpërdorur pushtetin deri në skajshmëri duke kaluar edhe në kriminalitet. Partitë e krahut të luftës e kanë rrënuar imazhin e luftëtarit të lirisë pa të drejtë. Për sa i përket bashkimit opozitar kjo nga VV-ja është kërkuar dhe punuar fort për një front të përbashkët opozitar por është rezistenca absurde e PSD-së dhe e një pjese të LDK-së që punojnë aktivisht për të penguar këtë bashkim pasi që i prishen pazaret dhe interesat personale”, thotë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Ajo thekson se, e keqja e krejt kësaj është se dikush është mësuar që të jetë patericë dhe mburojë e krimit e dikush krijohet që të bëhet patericë e krimit pra të dyja janë destinuar dhe të paguar që kjo të ndodhë.

“Kjo është e papranueshme pasi që edhe njëra edhe tjetra palë e kanë marrë mandatin për të ndjekur një linjë politike parimore e cila është për të hequr nga pushteti PDK-në si parti e cila i ka kushtuar dhe po i kushton shtrenjtë shtetit dhe popullit të Kosovës ndërsa veprojnë ndryshe”, potencon Millaku.

Tali: Për Haradinajn karrigia e Kryeministrit është mbi të gjitha

Ish-deputeti i Kosovës, Driton Tali thekson se, qeveria është me e dobëta që e kemi pasur, e cila udhëhiqet nga një kryeministër i skandaleve të shumta, e cila duhet shkarkuar sa më shpejt.

Image
Driton Tali

“Qeveria akuale është qeveria më e dobët që kemi pasur ndonjëherë. Me një kryeministër të skandaleve të shumta dhe megalomane, ku as shefi i saj (pra kryeministri) nuk i njeh të gjithë ministrat se lëre më zëvendësministrat. Kulmi i saj është se kryeministri i ka 36 këshilltarë. Turpi botës. Kushdo që i dëgjon këto marrina qeshë me neve. Andaj duhet shkarkuar sa më shpejtë që është e mundur”, thotë Tali për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, me këtë Qeveri në nuk mund t'i shtyjmë asnjë proces në aspektin ndërkombëtar sepse nuk merremi seriozisht.

“Pra fare pa hyre në "luftën opozitën pozitë", kushdo që pak ja donë të mirën Kosovës, kushdo që e qet interesin e Kosovës para interesit të vet personal, do të duhet t'i bashkohet opozitës për ta rrëzuar këtë Qeveri të turpit. Pra jo vetëm që opozita duhet të unifikohet por edhe deputetët e pozitës duhet t'i bashkohen opozitën. Sepse siç na dokumentoi tashti z. Haradinaj, për të karrigia e Kryeministrit është mbi të gjitha”, potencon Driton Tali.

Zogaj: Kosova mbi të gjitha ka nevojë të ndryshoj kualitetin qeverisës

Image
Skënder Zogaj

Analisti politik, Skënder Zogaj pohon se, skena politike e Kosovës assesi nuk po mund të normalizohet dhe të funksionalizohet partiakisht, në mënyrën që të prodhojë efekte cilësore politike dhe të mirëfillta demokratike, të nevojshme për Kosovën e shpallur të lirë e të pavarur, por që ende nuk po mund të jetë as e lirë dhe as e pavarur!

“Kosova ende nuk ka parti të mirëfillta politike, prandaj nuk ka as pozitë as opozitë, por ka parti të mllefshme që agresivisht luftojnë për pushtet! E këtillë është edhe gjendja aktuale, që është ngatërruar dhe që zor se mund të ofrojë dalje nga kriza! Opozita para se të rrëzojë qeverinë, duhet të tregojë se çka ka ndërmend të bëje pastaj?!? Sa unë po shoh partitë opozitare nuk i kanë ende të zgjidhura problemet e brendshme dhe nuk kanë asnjë ide të re qeverisëse, kështu që para se të shkojnë në zgjedhje duhet të reformohen, të ristrukturohen, të qartësojnë konceptet dhe vizionet qeverisëse, në mënyrë që votuesi të kuptoj paraprakisht se ka arsye të votojë dhe të dijë çka të votoj! Kosova mbi të gjitha ka nevojë të ndryshoj kualitetin qeverisës”, potencon Zogaj.

Hertica: Tani koha po troket në dyert e opozitës

Image
Ali Hertica

Ndërsa, analisti Ali Hertica pohon se, ndonëse vazhdimisht deklarojnë se janë për një bashkëpunim të mirëfilltë për rrëzimin e Qeverisë dhe për ndaljen e presidentit Hashim Thaçi në planin e tij për korrigjim të kufijve dhe të pazareve me territore, partitë opozitare duhet të kenë një pajtueshmëri duhet ta krijojnë një plan për t’i realizuar këto dy objektiva.

“LDK-ja, Lëvizja Vetëvendosje dhe PSD-ja duhet ti lajnë inatet apo teket e tyre personale apo partiake dhe të fillojnë bashkëpunimin për ketë platformë jo parimore të Thaçit dhe të fillojnë planin për mocionit për rrëzimin e Qeverisë, ndonëse LDK-ja çdo herë deklarohet decidivisht se tërë kohës është duke punuar për ngritjen e mocionit. Është tragjike sepse këto forca opozitare në institucionin më të lartë të vendit nuk po jenë një trup i përbashkët të një force brenda institucionit më të lartë të Kosovës por lejojnë edhe ndarjen e Kosovës. Ky është një precedent tepër i rrezikshëm për shtetin tonë. Por, është edhe manipuluese sepse nëse kemi ardhur në ditë që integriteti territorial i Kosovës të mbrohet veç me rezolutë, kur flitet për bashkimin kombëtar, atëherë kjo është shumë manipuluese dhe jo e sinqertë nga ana e opozitës”, thotë Hertica për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, tani koha po troket në dyert e opozitës të janë të vëmendshëm mos të bëjnë gafe për inate, por të shtyjnë procese përpara në drejtimin e bërjes së shtetit ligjor dhe funksional, po të kishim një Qeveri të qytetarëve, këtë marrëveshje tash do të duhej ta kthente në pikën zero.

“Ne kundërshtojmë fuqishëm zërat që flasin për rikthim të kësaj marrëveshjeje. Madje, Qeveria duhet ta dijë se çfarëdo tendence e rikthimit, do të tensionojë situatën në vend, sepse ne do të vazhdojmë konsistencën tonë në kundërshtim të kësaj marrëveshjeje, brenda dhe jashtë Kuvendit dhe për gjithçka që mund të ndodhë, do të mbahet përgjegjëse Qeveria. Opozita në Kosovë duhet bashkuar në kundërshtimin e marrëveshjes së Thaçit, por ajo që i ndanë janë mjetet se si të kundërshtohen këto marrëveshje, të cilat eksponentët opozitarë i cilësojnë si të dëmshme, dhe kjo do të ndodh shumë shpejt”, pohon Hertica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat