Ndërtimi i murit konfirmon ndarjen e Mitrovicës, ende s’ka datë për hapjen e urës

Politika

Ndërtimi i murit konfirmon ndarjen e Mitrovicës, ende s’ka datë për hapjen e urës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 17 tetor 2018 Në ora: 10:25
Pamje ajrore nga Mitrovica

Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy vite nga fillimi i punimeve për rivitalizimin e Urës kryesore mbi lumin Ibër në bazë të marrëveshjes së arritur më 25 gusht 2015, edhe më  tej qarkullimi në ketë urë vazhdon të jetë i mbyllur për qytetarët. Përderisa nuk ka të ndalur as dhënia e datave të ndryshme për hapjen dhe lëvizjen mbi të.

Nga ministria e Punëve të Brendshme deklarojnë se çështja e urës së Ibrit, më shumë po përdoret për marketing dhe promovime politike nga disa politikan se sa punë efektive që po bëhet për atë pjesë.

E deputetja e Kuvendit të Kosovës është e mendimit se hapja e urës mbi lumin Ibër është produkt i bisedimeve me Serbinë, si shumë nga temat tjera të rrahura më ta, dhe sipas saj, edhe kjo ka mbetur vetëm në letër.

Ndërsa, shoqëria civile konsideron se kjo çështje është  puro politike, dhe se udhëheqësit aktual e dinë mirë se si është puna dhe çfarë do të bëhet me atë pjesë.

Gazeta “Bota sot”, ka dërguar pyetje me shkrim në drejtim të Qeverisë Haradinaj si dhe në drejtim të Komunës së Mitrovicës, mirëpo deri më tani nga asnjëra palë gazeta nuk ka marrë përgjigje.

Zëvendësministri: Çështja e urës, më shumë po përdoret për marketing

Image
Isa Xhemajlaj

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe anëtari i Nismës Socialdemokrate, Isa Xhemajlaj, ka komentuar zërat lidhur me hapjen e Urës mbi Lumin Ibër.

Xhemajlaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se ani pse është shënuar progres duhet ende punë në përmirësimin e raporteve ndëretnike.

“Edhe pse është shënuar progres, ende ka punë për përmirësimin e raporteve ndëretnike në Mitrovicë”, ka thënë zëvendësministri Xhamajlaj.

Tutje, Xhemajlaj ka thënë se çështja e Urës së Ibrit më shumë po përdoret për marketing dhe promovime politike, se sa punë efektive në zgjidhjen e problemeve.

“Çështja e urës, më shumë po përdoret për marketing dhe promovime politike nga disa politikan për promovime personale, se sa punë efektive në drejtim të zgjidhjes së problemeve atje”, ka përfunduar zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj për gazetën “Bota sot”.

Deputetja e Vetëvendosjes: Hapja e urës, produkt i bisedimeve me Serbinë!

Image
Drita Millaku

E, në anën tjetër deputetja e opozitës, Drita Millaku bën me dije se hapja e urës mbi lumin Ibër është produkt i bisedimeve me Serbinë.

Deputetja e Vetëvendosjes në një prononcim për gazetën “Bota sot”, shprehet se nuk duhet biseduar me Serbinë për shtrirjen e sovranitetit dhe autoritetit të shtetit, për ketë, ajo thotë se një gjë e tillë duhet të bëhet vetëm me banorët e veriut dhe jo me Serbinë.

“Hapja e urës mbi lumin Ibër është produkt i bisedimeve me Serbinë dhe si edhe shumë tema tjera të rrahura më ta edhe kjo temë ka mbetur vetëm në letër. Pra, unë mendoj se ne nuk duhet të bisedojmë me Serbinë për shtrirjen e sovranitetit dhe autoritetit të shtetit në tërë vendin, por duhet vepruar e nëse duhet biseduar kjo duhet të bëhet me banorët e veriut e jo me Serbinë”, ka thënë deputetja e Vetëvendosjes.

Ndër tjerash, Millaku bën edhe një krahasim, duke thënë se koncerti i paralajmëruar me Shakiren do të përfundojë njëjtë si historia e ish-ministrit Çollaku me hapjen e shampanjës për liberalizimin e vizave.

“Edhe e fundit që po bëhen se gjoja do të lirohet ura me një koncert të madh të Shakires, janë si ajo historia e ish-ministrit Çollaku me hapjen e shampanjës për liberalizimin e vizave para tri viteve”, ka përfunduar deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku për gazetën “Bota sot”.

“Politikanët tanë me premtime të kota”

Image
Faik Krasniqi

Ndërkaq, analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Faik Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka deklaruar se klasa politike me premtime të kota çdo ditë e kanë ribashkuar atë pjesë.

Sipas Krasniqit, kjo është çështje puro politike, dhe udhëheqësit aktual e dinë mirë se si është puna dhe çfarë do të bëhet me atë pjesë.

“Politikanët tanë me premtime të kota çdo ditë e kanë ribashkuar atë pjesë. Ndërsa, realiteti flet krejt ndryshe. Shqiptarët akoma nuk guxojnë të lëvizin lirshëm, meqë ura vazhdon të jetë e mbyllur. Ne nuk e dimë se çfarë është nënshkruar në Marrëveshjen e Kumanovës rreth pjesës veriore të Kosovës. Konsideroj që kjo është çështje puro politike, dhe udhëheqësit tanë e dinë fare mirë se si është puna dhe çfarë do të bëhet me atë pjesë”.

Me tej, ai ka thënë se ndërtimi i murit veçse se e konfirmon ndarjen e Mitrovicës, pavarësisht deklaratave të Bashkimit Evropian.

“Nuk e kuptoj se për çfarë bashkëjetese mes shqiptarëve dhe serbëve mund të flitet në atë pjesë të Kosovës kur ndërtohen mure, dhe muret nuk bashkojnë por ndajnë njerëz. Ndërtimi i murit veçse se e konfirmon ndarjen e Mitrovicës, pavarësisht deklaratave të BE-së se punimet janë në përputhje me marrëveshjen në Bruksel dhe nuk është mur por kjo do të lidhë projektin e BE-së për revitalizimin e urës në Mitrovicë dhe objekteve përreth”, ka thënë me tej ai.

Analisti politik në fund ka shtuar se qytetarëve të asaj pjese duhet t’u tregohet e vërteta.

“Deri sa duhet të pyetet Beogradi kur Presidenti apo Kryeministri i Kosovës dëshiron ta vizitojë atë pjesë të Kosovës, atëherë kjo tregon që Veriu i Kosovës është e ndarë. Udhëheqësit tanë politikë duhet t'ua tregojnë të vërtetën qytetarëve shqiptarë të Kosovës lidhur me Mitrovicën”, ka shtuar Krasniqi.

Bahtiri: Së shpejti do të hapet ura në Mitrovicë

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, gjatë një takimi me shefin e UNMIK-ut për Kosovë, Zahir Tanin, ka thënë se në vitin 2014, në Bruksel, kanë filluar negociatat për hapjen e urës për lëvizje dhe qarkullim të lirë të njerëzve dhe të automjeteve.

Ai në vazhdim tha se gjatë bisedave janë mbështetur pothuajse të gjitha kërkesat e palës serbe që kishin të bëjnë me hapjen e urës, ndërkohë që Bashkësia Evropiane financoi një projekt për rivitalizimin e urës, në mënyrë që më pas ajo të jetë e lirë për lëvizje dhe qarkullim të njerëzve dhe automjeteve, projekt ky që ka përfunduar në tërësi dhe ura tani është e gatshme për përurim.

“Fatkeqësisht është pala serbe ajo që po e pengon përurimin e urës, edhe përkundër interesimit dhe kërkesës së qytetarëve të të gjitha përkatësive etnike dhe të të dyja komunave që ajo të hapet sa më parë. Kjo është e papranueshme dhe nuk do të duhet të ndodhë”, tha kryetari Bahtiri.

Kryetari Bahtiri u tha përfaqësuesve të UNMIK-ut se Bashkësia Ndërkombëtare nuk duhet të tolerojë më sjelljet e këtilla të kryetarit të komunës veriore Goran Rakiq, pasi që nuk ka as më të voglin arsye që ai të nxjerrë pengesa.

“Unë jam i përkushtuar dhe i vendosur që hapjen e urës ta bëjmë me marrëveshje dhe në bashkëpunim me kryetarin e komunës veriore Goran Rakiq, sepse kjo është mënyra më e mirë dhe më e duhura për zgjidhjen e kësaj çështje, e cila është në interes vital të të gjithë qytetarëve. Por, nëse do të vazhdojë akoma sjellja refuzuese e kryetarit Rakiq dhe mos reagimi i ndërkombëtarëve, atëherë organet e Republikës së Kosovës duhet të funksionojnë dhe të kryejnë detyrën e tyre për hapjen e urës. Çështja e hapjes së urës nuk bën dhe nuk guxon në asnjë mënyrë të ndërlidhet me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ndër të tjera kryetari ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat