“Me kohë FSK do ta ketë emrin ushtri, nuk mund ta ndalojë as Lista Serbe e as Serbia”

Politika

“Me kohë FSK do ta ketë emrin ushtri, nuk mund ta ndalojë as Lista Serbe e as Serbia”

Nga: G.B Më: 18 tetor 2018 Në ora: 15:13
Pjesëtarë të FSK-së

Sot deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro të  gjithave ligjeve për FSK-në.

Në seancë ishte e pranishme Lista Serbe por që kur filloi debati për ushtrinë, ajo e lëshoi sallën.

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani ka thënë për gazetën “Bota sot” se sot në Kuvend është shprehur vullneti i popullit që të ketë ushtrinë e saj dhe tani mbetet që të pranohet nga NATO, SHBA e BE.

Image
Blerim Burjani

“Shteti i Kosovës përmes përfaqësuesve të popullit ka shfaqur vullnetin për ndërtimin e shtetit me të gjitha kompetencat dhe faktorin e mbrojtjes së sovranitetit të shtetit, normal se Kosova do të ketë sfida përgjatë rrugës së ndërtimit të ushtrisë, aprovimi i ligjeve është akt politik i përfaqësuesve të popullit apo vullnet i qytetarëve që nuk mund të ndalohet nga askush dhe nuk do të ndalet as bashkësia ndërkombëtare dhe shtetet që kanë njohur Kosovën. Tash pranueshmëria nga NATO është element kyç dhe vendimtar dhe pranueshmëria nga SHBA dhe BE, të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare e kanë ditur se një ditë Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj”, është shprehur ai.

Sipas Burjanit, ky është një proces pasi për ta pasur ushtrinë normale duhen 15 vite dhe një gjë e tillë nuk mund të stopohet nga Lista Serbe dhe Serbia dhe se me kohë ta ketë dhe emrin ushtri.

“Ky është proces por nuk është akt përfundimtar, Kosova për të ndërtuar një ushtri normale i duhet se 15 vjet nga sot. Transformimi i misionit të FSK i bërë me ligj është vullnet politik dhe arsyeja më vendimtare se vullneti i qytetarëve nuk mund të stopohet nga Lista Serbe dhe Serbia. Kjo forcë me kalimin e kohës me ndryshim të Kushtetutës do t’i ndërrohet emri në Ushtri, kjo do të ndodhë pashmnagshëm në kohën e ardhme”, ka vlerësuar ai.

Ai thotë se sot Kosova ka hapur debatin me NATO-n, SHBA-në dhe BE-në për një temë të rëndësishme që mund të ketë hezitim por përkrahja do të jetë e sigurt dhe e ngadalshme.

“Kosova duhet të ketë 8000 ushtar dhe se 5000 trupa rezervë që është maksimumi i standardeve ndërkombëtare, ushtria prej 5000 ushtarëve është e vogël, sidoqoftë totaliteti i forcës mbrojtëse të një shteti përfshin efektin e policisë numerikisht, policinë speciale, në disa shtete e kanë shtesë edhe gardën kombëtare dhe tjerët. Tash Kosova sot hapi debatin me NATO-n dhe SHBA-në dhe BE-në për një temë të tillë të rëndësishme për rrumbullakësimin institucional të Republikës së Kosovës. Hezitimi ndërkombëtar mund të vie por përkrahja do të jetë e ngadalshme dhe e sigurt”, ka deklaruar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat