Vrasja e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut, njollë e zezë e drejtësisë së Kosovës

Politika

Vrasja e Bekim Kastratit dhe Besim Dajakut, njollë e zezë e drejtësisë së Kosovës

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 19 tetor 2018 Në ora: 10:30
Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku

“Heshtja e Drejtësisë nuk do koment: Ajo është e kapur nga kriminelët prandaj, vrasjet nuk kanë mundur të zbulohen! Por, krimet nuk vjetrohen, dhe, vrasësit kot e mashtrojnë veten, sepse vonesa ua rëndon dënimin!”, thotë analisti Skender Zogaj për gazetën “Bota sot”.

Shtatëmbëdhjetë vjet më parë, pas një atentati të organizuar mirë nga grupet kriminale, kanë mbetur të vrarë Bekim Kastrati, gazetar i gazetës kombëtare “Bota Sot” dhe  Besim Dajaku, pjesëtar i sigurisë së Presidentit Ibrahim Rugova.

Në këtë atentat, kishte mbetur i plagosur rëndë edhe Gani Geci, ish-deputet i LDK-së dhe pjesëtar i UÇK-së, që gjithnjë kishte deklaruar se, për komandant ka pasur vetëm Adem Jasharin.

Misioni për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, kishte hetuar këtë vrasje makabre, por pas një kohe kishte pushuar hetimet.

EULEX-i kishte bërë të ditur se Agron Sylejmani, ishte personi i identifikuar për atentatin e 19 tetorit të vitit 2001.

Hetimet e EULEX-it

Sipas konkludimit të hetuesve të EULEX-it këtë vepër të ndyrë e ka kryer Agron Sylejmani, i ndihmuar nga Ruzhdi Shaqiri, që të dy të vrarë.

Sipas një dokumenti të EULEX-it, del se dorasi i atentatit të 19 tetorit të vitit 2001 është Agron Sylejmani, por mendohet se ai këtë atentat e kreu me ndihmën e Ruzhdi Shaqirit.

Agron Sylejmani së bashku me Shkumbin Mehmetin në vitin 2004 kanë vrarë edhe një policë të Kosovës dhe një policë të UNMIK-ut. Në shkëmbim armë zjarri me policinë është vrarë është plagosur Shkumbin Mehmeti, i cili gjendet në burg i dënuar me 30 (tridhjetë) vjet, ndërkaq Agron Sylejmani është vrarë.

Sipas prokurorisë së EULEX-it, Agron Sylejmani dhe të tjerë të panjohur kanë vrarë Bekim Kastratin, Besim Dajakun dhe kanë plagosur rëndë Gani Gecin.

Prokurori i EULEX-it Robert Kucharski i ka dërguar një shkresë zyrtare z. Hajriz Kastratit, babait të Bekim Kastratit të vrarë, me anë të së cilës, e njofton se Prokuroria Speciale ka pushuar hetimet për këtë rast duke konstatuar se personi i identifikuar si doras, Agron Sylejmani ka vdekur.

Megjithatë, ajo që nuk është zbuluar kurrë, është se kush dha urdhër për organizimin e këtij atentati.

Lidhur me këtë rast, më i zëshmi ka qenë Gani Geci, një prej viktimave të këtij atentati, i cili mbeti i plagosur.

Ai disa herë është intervistuar nga organet e drejtësisë.

Gani Geci fajëson Thaçin

Image
Gani Geci

Ish deputeti, Gani Geci, i cili ka mbetur rëndë i plagosur gjatë këtij sulmi, kur dy shokët iu vranë, gjatë rivarrimit të kolonel Ahmet Krasniqit, ka hedhur akuza të rënda ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ai ka akuzuar Thaçin se ka dhënë urdhër për vrasjen e ish gazetarit të gazetës  “Bota sot”, Bekim Kastrati dhe truprojës së Presidentit Ibrahim Rugova, Besim Dajaku.

“Unë po i kërkoj Thaçit, sepse fal Zotit s’jam vrarë, e dy shokët e mi janë vrarë. Hashim Thaçi po din si e ka shpall Haki Imerin, le t’i shpall Besim Dajakun e Bekim Kastratin, që i ka vrarë me urdhër të tij, sepse parat i ka dhënë Gani Thaçi, vëllai i tij, e i kanë ndarë paratë me disa kriminelë”, ka thënë Geci.

Sipas tij, Thaçi është duke u munduar që të ikë nga Gjykata Speciale.

Më tej, Gani Geci ka thënë se, me Hashim Thaçin do të takohet në Gjykatën Speciale, duke i bërë kërkesë që të dorëzohet në Hagë.

“Thaçi me mua do të takohet në Gjykatën Speciale, do të ballafaqohem drejtpërdrejt me të në lidhje me komunikatën e 59 sepse aty ai e ka shkruar sikur për mua edhe shumë anëtarë të tjerë të LDK-së vrasje politike që gjithë bashkësia ndërkombëtare i ka hetuar si vrasje të tilla. Kërkoj prej Thaçit të dorëzohet para Tribunalit të Hagës, t`i lë shkëmbimet e territoreve, këto përralla sepse një ditë do të bëhet boll dhe nuk duam ta kallim këtë vend, ne duam ta ruajmë këtë vend. Ata me argatë e tyre, me dhjetëra herë tentuan të më vrasin mua, un jam gjallë falë zotit. Unë po tutem që kam me vdek, por po tutem që kam me vdek para se me u përball me Thaçin. Do të jem dëshmitar në Specialen, do të dëshmoj për krimet politike që i ka bërë Thaçi në Kosovë edhe pas luftës. Ai nuk i ka parë asnjëherë serbët, ai ka luftuar vetëm me shqiptarë, ka vrarë vetëm familjet më të mëdha në Kosovë. Të gjitha familjet patriotike i ka vrarë, unë jam gjallë pahiri, vetëm për t’iu treguar juve sot këtu”, ka deklarua ish deputeti i LDK-së dhe ushtari i UÇK-së, Gani Geci.

Rugova: Nuk ka pajtim të shoqërisë pa u zbardhur këto vrasje

Image
Naser Rugova

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova thotë se është alarm për drejtësinë që këto vrasje të zbardhen.

“Ky ishte një atentat tipik me motive politike, është alarm për drejtësinë që këto vrasje politike të zbardhen, nuk do ketë pajtim në shoqërinë e Kosovës pa u zbardhur këto vrasje makabre dhe pa i parë kriminelët që kryen këto vrasje prapa grilave”, thotë Rugova për gazetën “Bota sot”.

Millaku: Vrasja e gazetarit Bekim Kastrati dhe Besim Dajakut është njollë e zezë e gjyqësisë

Image
Drita Millaku

Ndërkaq, për deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, vrasja e gazetarit Bekim Kastrati dhe e Besim Dajakut, përbëjnë një njollë të zezë në drejtësinë e Kosovës.

“Vrasja e gazetarit Bekim Kastrati dhe e Besim Dajakut është njollë e zezë e gjyqësisë kosovare por jo vetëm pasi që nuk ka pasur presion dhe vullnet politik që të bëhet më shumë nga organet e rendit dhe prokuroria e shtetit. Unë mendoj se vrasjet politike në Kosovë rëndojnë ndërgjegjen e shtetit tonë dhe derisa nuk zbulohen vrasësit dhe urdhërdhënësit nuk do të këtë shtet juridik në Kosovë”, ka thënë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Zogaj: Drejtësia është kapur nga kriminelët

Image
Skënder Zogaj

Kurse, analisti politik Skënder Zogaj pohon se, këto janë vrasjet e zeza që i kanë ndodhur bijve dhe bijave më të mira të Kosovës.

Sipas tij, drejtësia është e kapur nga kriminelët, prandaj vrasjet nuk kanë mundur të zbardhen.

“Paslufta në kuadër periudhës të tranzicionit kalimtar nga robëria në liri dhe në pavarësi, doli të jetë vazhdim i luftës sepse, vazhduan vrasjet e zeza të bijve dhe bijave më të mira të Kosovës, të gjithë urtarë të shquar të LDK-s, si: Xhemail Mustafa, Enver Maloku, Smajl Hajdaraj, Ismet Raci, Shaban Manaj, Sevahate Tolaj e shumë të tjerë deri te Bekim Kastrati e Besim Dajaku! Të gjithë këta ishin figura të shquara të emblemës demokratike të LDK-së dhe ky fakt tregon se vrasjet ishin të pastra politike dhe nënkupton “zoo-kopshtin” e  vrasësve! Në këtë vlerësim qëndron përgjigjja pse, as pas dy dekadash, nuk janë zbardhur vrasjet dhe autorët e krimit! Heshtja e Drejtësisë nuk do koment: Ajo është e kapur nga kriminelët prandaj, vrasjet nuk kanë mundur të zbulohen! Por, krimet nuk vjetrohen, dhe, vrasësit kot e mashtrojnë veten, sepse vonesa ua rëndon dënimin!”, thotë Zogaj për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat