Profesori i shkencave të sigurisë: Forcat e Armatosura kanë kompetenca ushtarake, u mungon vetëm emri

Politika

Profesori i shkencave të sigurisë: Forcat e Armatosura kanë kompetenca ushtarake, u mungon vetëm emri

Nga: G.B Më: 19 tetor 2018 Në ora: 15:00
Pjesëtarë të FSK-së

Dje deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro ndryshimeve të projektligjit për FSK-në. Këto ndryshimeve janë votuar nga të gjithë deputetët shqiptarë, ndërsa që Lista Serbe e ka lëshuar seancën sapo ka filluar debati për projektligjin.

Lidhur me këtë, profesori i çështjeve të sigurisë, Avni Islami, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se që nga viti 2014 institucionet e Kosovës janë përpjekur që ta bëjnë transformimin e FSK-në në Forca të Armatosura por kjo gjë nuk ka qenë e mundur të bëhet me ndryshime kushtetuese dhe tani është bërë me ndryshim të projektligjit.

Image
Avni Islami

“Dihet se që nga viti 2014 institucionet e Kosovës janë përpjekur që ta bëjnë transformimin e FSK-në në Forca të Armatosura përmes ndryshimeve kushtetuese. Por që të bëhet ajo janë dashur 2/3 e minoriteteve dhe që ka qenë dhe mbetet e pamundur, pasi Lista Serbe ka qenë kundër dhe ka qenë e pamundshme. Pastaj edhe vetë bashkësia ndërkombëtare është bindur se është e pamundur që të bëhet transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura dhe kësisoj është parë e udhës, pra me miratimin e NATO-s, me bekimin e SHBA-së, NATO-s dhe BE-së që me ndryshimet e tri projektligjeve t’i jepet mandat të plotë FSK-së që të kryejë funksionin e Forcave të Armatosura të Kosovës”, është shprehur ai,

Sipas Islamit, Forcat e Armatosura kanë kompetenca të karakterit ushtarak dhe që i mungon vetëm emri ushtri.

“Pra në rastin konkret vetëm emri i mungon. Përndryshe me miratimin e këtyre projektligjeve, FSK-ja merr kompetencat e plota dhe objektivat e saj janë të karakterit të plotë ushtarak të Forcave të Armatosura të Kosovës. Dhe kësisoj ajo i kryen detyrat e saj konform ligjit, i cili parasheh që Forca e Sigurisë së Kosovës të jetë e armatosur me të gjitha armët që janë të nevojshme për mbrojtjen e vendit, pra një ushtri defanzive me 3-5 mijë trupa aktivë dhe 3 mijë trupa rezervë”, ka vlerësuar ai.

Në lidhje me reagimin e NATO-s, Islami thotë se derisa tani Forcat e Armatosura kanë kompetenca ushtarake, NATO edhe mund të zvogëlojë numrin e ushtarëve dhe që bashkë me ushtarët e FSK-së të kryejë misionin e mbrojtjes së paqes dhe të sigurisë në Kosovë.

“Reagimi i parë dje erdhi nga NATO që thoshte se do ta rishqyrtojë pozicionin e vet në Kosovë, për shkak se tani Forca e Armatosur e Kosovës ka kompetenca dhe tani NATO mund ta zvogëlojë numrin e ushtarëve të vet dhe bashkarisht me ushtarët e FSK-së ta kryejë misionin e saj të mbrojtjes së paqes dhe sigurisë në Kosovë, kësisoj FSK-ja me marrjen e këtij mandati dhe me ndryshimet e projektligjeve, FSK tani është prodhues i paqes dhe sigurisë në Kosovë, rajon dhe me gjerë”, ka deklaruar Avni Islami për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat