Kur u bë temë dite çështja e Kosovës Lindore dhe si po manipulon Presidenti me “korrigjimin e kufijve”

Politika

Kur u bë temë dite çështja e Kosovës Lindore dhe si po manipulon Presidenti me “korrigjimin e kufijve”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 22 tetor 2018 Në ora: 08:13
Hashim Thaçi

Presidenti i vendit Hashim Thaçi deri sa ishte kryeministër asnjëherë nuk e përmendi çështjen e Kosovës Lindore, ndërsa tani për pazare dhe interesa personale, po e përdorë këtë pjesë në raport me Serbinë.

Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike, ku sipas tyre Thaçi përveç që manipuloi me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës, Thaçi “tradhtoi” edhe qytetaret e Kosovës Lindore. 

Profesor Enver Bytyçi, ka thënë për “Bota sot” se Presidenti Hashim Thaçi jo vetëm që e ka tradhtuar Kosovën Lindore apo Luginën e Preshevës, por ai edhe e ka lënduar atë. Sipas tij, Thaçi e ka përdorur në dobi të propagandës dhe lobimit të vet në dobi interesave serbe për ndarjen e Kosovës.

"Thaçi ka përdorur moralisht edhe shërbëtorin e tij, preshevasin Nexhat Daci, madje Hashim Thaçi e ka tradhtuar në kuptimin moral të fjalës miqtë e tij të lirë të luftës. Tani është shfaqur edhe si shërbëtor i Beogradit kundër integritetit territorial të Kosovës. Ai vrapoi drejt Armenisë para pak ditësh së bashku me përkthyesin e tij në frëngjisht, kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, që ti lutet presidentit francez Emanuel Macron të “ndërhyjë” te Merkel, që kjo e fundit të pajtohet me ndarjen e Kosovës. Pra, që presidenti i Kosovës t’ia falë më ndihmën e ndërkombëtarëve pjesën më vitale e më të pasur të vendit Beogradit. Presidenti i Kosovës i ka tradhtuar viktimat e luftës në Kosovës. Madje kjo ka ndodhur sepse ai kurrë nuk i kërkoi Beogradit që ta njohë gjenocidin që ushtria dhe policia serbe kanë bërë kundër shqiptarëve në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të kaluar”, ka thënë profesor Bytyçi.

Bytyqi: Kosova Lindore është për Thaçin një lodër

Image
Enver Bytyçi

Në këtë mënyrë sipas tij, presidenti Thaçi i ka tradhtuar familjet e të pagjeturve, sepse në vend të kërkojë varret dhe eshtrat e viktimave, ai kërkoi dhe insistoi që ta shpërblejë Serbinë me territore për t’ia realizuar asaj ambicien e krijimit të Serbisë së Madhe.

“Presidentit të Kosovës nuk ia ndjen për 20 mijë gra dhe vajza të përdhunuara nga ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë, madje si shpërblim për këto përdhunime këmbëngul e lobon për t’i falë Serbisë territoret e vendit të vet. Nuk ka dhe nuk besoj se do të ketë shembull tjetër në botë, kur kryetari i një shteti vullnetarisht kërkon dhe insiston ti dhurojë territore shtetit fqinjë dhunues, pushtues, grabitës e përdhunues, shkatërrues. Kosova Lindore është për Thaçin një lodër në duart e tij. Ai e përdor atë njësoj siç një fëmijë i vogël përdor lodrat që ia blejnë prindërit e tij”, ka thënë profesor Bytyçi.

Ai po ashtu ka theksuar se Thaçit, asnjëherë nuk i ka shkuar ndërmend të mbrojë shqiptarët në Luginën e Preshevës, madje as nuk i ka përmendur ata.

“Thaçi asnjëherë nuk i ka përmendur ata njerëz të harruar atje, edhe pse liderët politikë në Luginë e kanë kërkuar me insistim një gjë të tillë. Lugina u bë temë e ditës vetë kur Thaçi u gjend në pozitë të vështirë, kur përkrahu publikisht idenë e Vuçiq dhe Edi Ramës për ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe humbjen prej saj të ¼ të territorit të vendit. Kjo është e vërteta sepse të presësh që Hashim Thaçi të mbrojë Kosovën Lindore, është sikur të presësh që ujku ta ruajë tufën e deleve nga çakalli”, ka thënë profesor Enver Bytyçi. 

Ahmeti: Kosovës Lindore po i jepet shpresë e rreme

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti politik Hidajet Ahmeti ka thënë për “ Bota sot”, se presidenti Hashim Thaçi po manipulon me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës Lindore, pasi në vazhdimësi po bën lojëra politike, të cilat në intencë kanë manipulimin e opinionit e aspak nuk kanë  të bëjnë më substancën e asaj çka deklarohet.

“Është turp për një president  shteti  të vazhdohet më një logjikë të njëjtë të deklaratave të pamatura, të pa analizuara dhe me tendenca të këqija politike, të cilat në potencë kanë mashtrimin e qytetarëve të Kosovës lindore dhe mbajnë shpresë të rreme për  normalitetin e gjendjes ekzistuese në atë pjesë”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Sipas tij, veprime të tilla politike, pa objektiva  të qarta e deklarata manipulative, kanë tendenca  për të shpërqendruar qytetarët nga problemet reale, si  në Kosovë, ashtu edhe në Kosovën lindore, ku kemi një  diskriminim të pashembullt që bën Serbia karshi shqiptarëve.

“Kosova lindore është transformuar në një  “tokë të askujt”, pasi në njërën anë po diskriminohet në vazhdimësi nga shteti serb, kurse në anën tjetër përveç diskriminimit nga shtetet shqiptare, po manipulohet në vazhdimësi me deklarata politike,  të cilat  nuk kanë asgjë substanciale, përveç shpresës së rreme që ju jepet qytetarëve shqiptarë të Kosovës lindore”, ka thënë analisti politik Ahmeti.

Maxharraj: Thaçi në Ujman shkoi në stilin e Don Kishotit

Image
Binak Maxharraj

Kurse, analisti politik, prof. dr. Binak Maxharraj,  ka thënë se, Thaçi në bisedimet në Bruksel, nuk e shtroi çështjen e separacioneve të luftës, për të pagjeturit, për krimet dhe masakrat e bëra nga Serbia, për përdhunimet masive që u bënë në Kosovë gjatë luftës.

Sipas tij, i njëjti njeri na e solli edhe Marrëveshjen tjetër edhe më të dëmshme të nënshkruar më 2013 në Bruksel për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Me këtë marrëveshje Thaçi u kishte lejuar disa kompetenca ekzekutive, që i bie se de facto nëse kjo ndodhë do të kemi një rrafsh të tretë të drejtësisë me të cilën Kosova do të ngujohej dhe ngatërrohej dhe në fund të zihet në këtë rrjetë deri në shkëputjen e veriut sepse kjo rrugë qon direkt deri atje. Dhe shprehimisht sot Veriu i Kosovës gati së është i humbur dhe atje më asgjë nuk frymon shqip, më dhunë është kënga dhe vallet shqipe, nuk ka mbishkrime në shqip, nuk ka asnjë rrugë me emra shqip, nuk valon flamuri i Kosovës. Thjesht sot në veriun e Kosovës është njësoj si ne Kralevë, Nish apo Kragujevc. Atje shkoi Presidenti në stilin e Don Kishotit, me një armatë policësh veç sa për tu fotografuar në Liqenin e Ujmanit dhe turr e vrap u kthye pas. Por, ajo se çka ishte dashtë të ndodhë në këto biseda, apo dialog ishte deshtë që veriu të këtë një simetri me Luginën e Preshevës”, ka thënë profesor Maxharraj.

Presidenti asnjëherë nuk tregoi si do ta merr Luginën

Sipas tij, çështja  e Luginës është dashur të hapet në këto biseda, sepse më këtë edhe vete Serbia do të zihej ngushtë.

“Por ndodhi çudia më madhja që mund të ndodhë. Kryeministri Hashim Thaçi as zë me gojë nuk bëri  për Luginën, madje as që e hapi këtë çështje asnjëherë, ani pse vazhdimisht krerët e shqiptareve kërkonin qe çështja e Lugine të bëhej si baraspeshë në këto biseda. Qele gur gojën, siç thotë populli. Le që nuk e hapi atje çështjen e Luginës por as që i pranonte as nuk donte të dëgjonte e as tek bisedonte me krerët e Luginës së Preshevës për këtë çështje madhore për kombin. Thjeshtë i injoronte deri në skajshmëri, madje ai shkoi edhe aq larg saqë kur Serbia e rrëzoi Lapidarin në Preshevë më 20 janar 2013 edhe i shau qytetaret e Luginës deri në tradhti sepse nuk e mbrojtën Lapidarin. E tani kur filluan bisedat për një Marrëveshje përfundimtare pa i realizuar asnjë nga ato të mëparshmet me Serbinë dhe për fushë dolën strategjitë e ndryshme për një marrëveshje dhe kompromise të dëmshme përfundimtarë më Serbinë, kur në horizonte po hidhen teza e ç’teza për ndarje, copitim dhe bile korrigjim të kufijve, duke e pa se Veriu është plotësisht në duar të Serbisë dhe se Serbia po synon edhe ta çkapë ndoshta edhe më ndonjë Marrëveshje tinëzarë të fshehtë neper qendrat e Evropës për të cilën Serbia është e interesuar që ta marrë veriun e praruar në  argjent, zing, plumb etj. Dhe duke e parë si në ëndërr po i ikë Veriu që e çpiku çështjen e retorikës së Luginës së Preshevës për të cilën nuk la konferencë në mëngjes e në mbrëmje pa theksuar se do ta marrim Luginën e Preshevës, do t’ia bashkojmë Kosovës. Sa mirë, sa e këndshme do të ishte, ata janë tanët, andej mbeten me zor. Por, çuditërisht sa herë që thoshte se do ta marrë Luginën, asnjëherë nuk thoshte si do ta merrte ata”, ka thënë Maxharraj.

“Veriu është Koka e Kosovës”

Sipas tij, Thaçi atëkohë thoshte do ta marrim Luginën e Preshevës dhe se nuk e lëshojmë Veriun e Kosovës sepse ai është i yni.

“Por lind pyetja se si do ta marr vallë Presidenti Luginën kur ajo është në një shtet tjetër në Serbi, apo do ta vjedhë disi natën. Po si është e mundshme që të marrësh Luginën e Preshevës pa dhanë asgjë Kjo Serbia qe deri dje, na ka vrarë dhe sakatosr dhe na ka bërë piskamë në të gjitha anët, dhe tani po na jap si dhuratë falas Luginën e Preshevës? Këtë nuk mund të imagjinoj askush, sepse ajo e do atë për çka është e interesuar me dekada me na e marr Veriun për Trepçën e Ujmanin me pasuri përrallorë të pa imagjinueshme. Por, nuk duhet lejuar me asnjë çmim që të humbim Veriun e Kosovës, sepse Veriu është Koka e Kosovës, aty është jeta dhe ardhmëria e Kosovës, po si mund te jetoi trupi pa kokë, edhe Kosova nuk mund të jetoj pa veriun. Këtu Presidenti i jonë ka rënë në kurthe në këto lojërat e tij me kufijtë për të relaksuar sado pak opinionin e Luginës së Preshevës por edhe atë Kosova deklaron se do ta marrim Preshevën”, ka thënë profesor Maxharraj.

Sipas tij, presidenti Thaçi deri dje nuk donte të dëgjonte fare për kërkesat e krerëve të Luginës së Preshevës, bilë edhe i injoronte deri në skajshmërisë po ju lëpihet, po mundohet ti mashtroi me ato flokulat e tij politike të pa kripta.

“Këtë imagjinatë të Presidentit tanimë e kanë kuptua edhe qytetaret e Luginës së Preshevës të cilët në një anketë të u deklaruan se mbi 72% nuk i besojnë Presidentit Hashim Thaçit dhe se ky është një mashtrim ordinar. Andaj  me këtë dua të them se kësaj radhe edhe u tradhtu Lugina e Preshevës me këto retorika, floskula politike dhe folklorizma te Presidentit tonë Hashim Thaçit të cilat po i përdor vetëm për pazare të tij politike pa kurrfarë mbulese “ka thënë analisti politik profesor Binak Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat