Shteti i kapur, shpëton familjarët e shefave

Politika

Shteti i kapur, shpëton familjarët e shefave

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 22 tetor 2018 Në ora: 11:15
Drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Shpend Maxhuni

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet dhe ka ngritur kallëzim penal, ndaj djalit të drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Shpend Maxhuni.

Djali i Shpend Maxhunit, Sh.M., sipas Prokurorisë dyshohet për posedim të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.

Policia e Kosovës, në orët e vona të datës 13 tetor, kishte ndaluar veturën në të cilën gjendej djali i Shpend Maxhunit, bashkë me dy persona të tjerë. Vetura ishte e babait të Shpend Maxhunit, përkatësisht gjyshit të Sh.M.

Ata bartnin narkotikë dhe armë pa leje me vete.

Vetëm të premten, më 19 tetor është lajmëruar Prokuroria Themelore e Prishtinës, e cila tashmë ka nisur hetimet ndaj të dyshuarve.

E kjo vonesë në ngritjen e kallximit penal, ka  ngritur dyshime mbi ndikimin e “të mëdhenjve”, nëpër institucionet e Kosovës.

Quni: Rinia po bie pre e rrjeteve që trafikojnë narkotikë

Image
Anton Quni

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, i cili është anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, ka treguar për “Bota sot” se në komisionin që ai është anëtar, ata mbikëqyrin vetëm zbatimin e ligjeve nga ana e AKI-së dhe nuk merren me familjarët e zyrtarëve të AKI-së.

“Unë jam anëtar i Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së dhe siç e dini ne jemi të mandatuar të mbikëqyrim zbatimin e ligjeve nga ana e AKI-së. Si Komision në asnjë rast nuk i mbikëqyrim familjarët e zyrtarëve të AKI-së. Sidoqoftë, unë shpresoj e për më tepër dua të besoj që organet e drejtësisë do ta trajtojnë këtë rast konform ligjeve të Kosovës që janë në fuqi”, është shprehur ai.

Quni ka shprehur shqetësimin e dukurisë së përdorimit të substancave narkotike, dukuri kjo që sipas tij ka prekur më së shumti rininë e Kosovës. Ai mendon se kjo dukuri duhet të luftohet nga institucionet e drejtësisë.

“Ndërkaq, si prind dhe deputet dua të shprehi shqetësimin tim të thellë që rinia e jonë çdo ditë e më shumë po bien pre e rrjeteve që po i nxisin në përdorim apo trafikim të substancave të ndryshme narkotike si dhe po shfaqen edhe prirje të dhunshme nga ta. Nga kjo dukuri devijante nuk janë imun as fëmijët e zyrtarëve të lartë shtetëror. Prandaj, kjo dukuri do të duhej të trajtohej nga të gjitha dimensionet duke u siguruar që organet e drejtësisë të veprojnë të pandikuara nga autoritetet zyrtare edhe kur kemi të bëjmë me raste si ky që ju po i referoheni”, ka deklaruar deputeti Anton Quni për gazetën “Bota sot”.

Zeka: Është më se i nevojshëm Vettingu në sistemin e drejtësisë

Image
Milaim Zeka

Deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës, por nga radhët e koalicionit qeverisës, Milaim Zeka, ka komentuar këtë rast për “Bota sot”, duke thënë se, vettingu është shumë i nevojshëm në sistemin e drejtësisë, madje edhe për çdo politikanë e njeri që mban post publik.

“Është më se i nevojshëm Vettingu në sistemin e drejtësisë. Gjithashtu, duhet vetting për çdo deputet, për çdo politikanë dhe për çdo person që mban post publik”, është shprehur shkurt Zeka.

Ai thotë se Maxhuni nuk është dashur të shkojë në atë post, madje thotë se presidenti e ka dërguar të punojë aty për të.

“Maxhuni nuk është dashur të shkojë në atë post. Presidenti e ka qu aty me punu për të, jo për shtetin. Njësojë e kemi punën me Kryeprokurorë”, ka potencuar Zeka.

Tërnava: Të mëdhenjtë e shtetit bëjnë çfarë të donë me këtë shtet

Image
Hajrullah Tërnava

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, ka thënë për “Bota sot” se, ky rast është pjesë e asaj që shteti ka stagnuar në proceset drejt BE-së, e përgjigjet i kanë “të mëdhenjtë” e shtetit. Ai shprehet se lidhjet e pushtetarëve me institucionet e drejtësisë, bëjnë që ata dhe lidhjet e tjera të tyre, të mos hetohen apo dënohen.

“Nga lufta e deri me tani ka pasur akuza të rënda në drejtim të drejtësisë të Kosovës, ndaj te mëdhenjve të shtetit që e kanë ndërtuar një sistem te varur nga ta, prandaj është e kuptueshme pse asnjeri deri më tani( të mëdhenjtë) nuk është dënuar me burgje meritore. Të vetmit që dënohen janë disa vepër kryes të veprave kriminale të lehta. Të mëdhenjtë e shtetit bëjnë çfarë të donë me këtë shtet, dhe askush as që merret me ta, sepse ata qe e kane marrë pushtetin në duar të veta, kanë krijuar sistem juridik të tillë , që kurrsesi drejtësia nuk duhet të merret me veprat e të mëdhenjve te shtetit, edhe ne qofte se ato vepra janë vepra kriminale të rënda e që bëjnë pjesë në krim të organizuar”, është shprehur ai.

Tërnava përmend disa afera tjera sikur kjo e djalit të shefit të AKI-së, e thotë se pikërisht këto afera na ngjallin dyshime se a jemi të gatshëm ta udhëheqim shtetin të vetëm.

 “Nga një vështrim nga analizat e deri tashme, del se te mëdhenjtë e shtetit tani janë të gjithë multimilionerë, dhe nuk brengosen për asgjë. Tani ballafaqohemi me shumë afera të ndryshme si para disa muajve, kur dy shefa te policisë e rrahin një drejtor te PTK, punësimet e familjarëve që i bëjnë te mëdhenjtë e shtetit, keqpërdorimet e dënimeve ne komunikacion nga ana e policisë, rritja e rrogave ne mënyrë enorme nga qeveria e Kosovës qeveritarëve si rroga me te mëdha ne regjion, vrasja e policit Enver Zymberit (hero) pa dhanë llogari askush se në çfarë rrethana është vra, dhe kush ka urdhëruar qe te intervenohet ne atë pjesë të veriut, dhe pse nuk është zbuluar ende kjo vepër, rasti me i ri tani djali i shefit te AKI i zënë me mjete narkotike etj, këto e shume raste te tjera deri me tani, po na bëjnë skeptik dhe të dyshimtë si shtet i Kosovës, se a jemi ne gjendje ta udhëheqim këtë shtet të Kosovës, apo me këtë jo efikasitet armiqve tonë po ju japim argumente se në pavarësimin e Kosovës është bërë gabim, sepse kosovarët nuk janë të afte te krijojnë shtet, dhe ta qeverisin atë. Tani jo rrallë herë edhe shtete që na e kanë njohur Pavarësinë tonë, janë në rishqyrtim te këtyre njohjeve”, ka potencuar Tërnava.

Policia: Revolja nuk ishte e djalit të Shpend Maxhunit

Për më tepër, ai ka thënë se, qeveria duhet të bëjë ndryshime në sistemin e drejtësisë.

E Policia e Kosovës të shtunën ka dërguar për media një sqarim, në të cilin thotë se revolja e gjetur në veturën e të atit të shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni, nuk është e djalit të këtij fundit, por se “si rezultat i vazhdimit të hetimeve, nga njësitet policore është intervistuar edhe personi i katërt i dyshuari (R. M.), i cili ka deklaruar se arma është e tij dhe se i njëjti e ka harruar në veturën e apostrofuar dhe se nuk i përket të dyshuarit (Sh. M)”.

Në sqarimin për media, Policia nuk e përmend faktin që revolja është gjetur në xhaketën e Sh. Maxhunit, djalit të shefit të AKI-së.

Haziri: Shteti është kapur nga kriminel me petk politikani

Image
Nexhat Haziri

Analisti politik Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se, ky rast nuk duhet ta habisë askënd, pasi sipas tij, duke parë nga kush udhëhiqet shteti, nuk duhet pritur që AKI duhet të ishte siç duhej.

“Rasti i kapjes së djalit të kreut të AKI-së, Shpend Ahmetit, me narkotik dhe armë pa leje nuk duhet të na habisë askënd pasi në mes të moçalit nuk mund të kërkosh perlën. Pra duke marrë parasysh se si dhe nga kush udhëhiqen institucionet më të larta të shtetit, e që janë njerëz të profile kriminelësh, nuk mund të presësh një AKI, ashtu siç do të duhet të ishte, më njerëz kredibil e profesional, me paanshmëri politike dhe me pastërti ashtu siç kërkohet edhe sipas ligjit”, shprehet Haziri.

Ai mendon se një rast i tillë do ta dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave.

“Pra pse AKI-duhet të ishte më ndryshe se Presidenca, Qeveria, Kuvendi, prokuroria policia, e institucione të tjera të cilat udhëhiqen nga njerëz të inkriminuar. Pra, nuk është më në pyetje se është kapur vetëm sistemi i drejtësisë, por tek ne është kapur i tërë shteti nga një kastë kriminelësh të veshur apo të mbështjellë me kostum politikani, e që po vazhdojnë ti shkaktojnë Kosovës shumë dëme coftë në aspektin e brendshëm të zhvillimit dhe funksionimit të sajë por edhe në rrafshin ndërkombëtar imazhi i vendit është shumë negativ, dhe ngjarje me djalin e shefit të AKI-së do të këtë pasoja të mëdha për vendin sidomos në procesin e liberalizimit të vizave”, ka përfunduar Haziri për “Bota sot”.

Nuk është hera e parë që dikush nga zyrtarët e AKI është në qendër të vëmendjes. Pikërisht Shpend Maxhuni erdhi në krye të kësaj agjencie, pas një skandali nga ish shefi i mëhershëm. Para disa jave, brenda zyrave të AKI-së, u vra një person.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat