“Kosova fiton politikisht ndaj Serbisë me vendimin për masën e 10%-shit”

Politika

“Kosova fiton politikisht ndaj Serbisë me vendimin për masën e 10%-shit”

Nga: D.RR Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 20:49
Ilustrim

Shumë shpejt të gjitha mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja në Kosovë tash e tutje do të paguajnë taksë shtesë prej 10%.

Ky vendim është miratuar sot nga kabineti qeveritar, kërkesë kjo që u bë nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadrijaj, e ka komentuar për gazetën “Bota sot” këtë vendim të qeverisë. Ai thotë se kjo vendosje e masës prej 10%, e faktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht ndaj Serbisë dhe i bëhet me dije kësaj të fundit që Kosova duhet të trajtohet si shtet.

Image
Mustafë Kadrijaj

“Vendosja e masës prej 10% ndaj Serbisë vetëm do të faktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht, sepse tani e tutje duhet të i behet me dije shtetit fqinjë që Kosova është shtet dhe duhet të trajtohet si shtet përndryshe do të pëson Serbia, sepse Kosova me zhvillimin e infrastrukturës rrugore çdo ditë e më shumë do të bëhet një arterie kryesor për lëvizjen e mallrave në nivel ballkanik dhe rajonal fal pozitës gjeostrategjike, pra vetëm duhet të dimë sesi te menaxhojmë me këtë përparësi krahasues ndaj vendeve të rajonit ku kjo barrë i bie qeverisë dhe ministrisë përkatëse”, ka thënë ai.

Kadrijaj më tutje shton se edhe nëse nuk ka efekte ekonomike ky vendim, politike do të ketë gjithsesi. Sipas tij, ky është një mesazh edhe për vendet tjera të rajonit që me Kosovën duhet të krijojnë një urë bashkëpunimi serioz.

“Tani e tutje duhet të kenë të qartë vendet e rajonit në këtë rast edhe Serbia që Kosova është një realitet dhe një shtet që duhet të krijohen ura bashkëpunimi ekonomik duke e bërë këtë me gjuhë të pranueshme ekonomike por siç janë sjellë deri më tani duke shfrytëzuar Kosovën për qarkullim të mallrave dhe njëherit si një treg për të eksportuar produkte nga vendet fqinje që njëherit duke shkelur parimet e CEFTA-së në raport me Kosovën. Është për tu përgëzuar vendosja e një mase të tille edhe nëse nuk arrin efekt ekonomik, besoj që politike do të ketë pozitivisht, sepse me këtë po i behet me dije që Serbia duhet të lirohet nga mentaliteti shovinist, por të shikoj nga e ardhme duke u sjellë sipas ligjeve të ekonomisë së tregut me qëllim që të integrohet në familjen evropiane”, ka shtuar tutje Kadrijaj për “Bota sot”.

Në anën tjetër, pas këtij vendimi Bashkimi Evropian i ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që urgjentisht të shpjegojnë vendimin e tyre për të rritur tarifat me 10 për qind në importin e mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat