Haziri: Pushteti gjithnjë flet për të gënjyer

Politika

Haziri: Pushteti gjithnjë flet për të gënjyer

Nga: D. B. Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 19:15
Ismet Haziri

Dorëheqjet e fundit të Petrit Gashit nga AKP dhe Gent Begollit nga PTK, kanë zgjuar debate dhe replika të ndryshme tek njohësit e çështjeve politike në vend. Kjo për faktin se me ndërrimet e njerëzve të emëruar herë pas herë nga pushtetarët, vendi vetëm sa është duke shkuar drejt një krize të re.

Njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri ka thënë për “Bota sot” se periudha e tranzicionit në Kosovë ka krijuar një sistem politik të kapur tërësisht nga korrupsioni.

“Pavarësisht se kush është në pushtet nuk është mbetur për ti besuar, por për ta vëzhguar e monitoruar se çfarë bën dhe jo se çfarë thotë. Një gjë tashmë dihet se pushteti gjithnjë flet për të gënjyer, për të fshehur korrupsionin dhe dështimet e veta, kurse nga ana tjetër shpenzon kohë e para për reklamë duke bërë kështu korrupsion në të gjitha anët dhe duke krijuar imazhin se është duke punuar në shërbim të popullit. Në vazhdimin e këtij aktiviteti kriminal pasuria, vlerat materiale, morale e shpirtërore te Kosovës u përvetësuan, u kapen nga grupet e caktuar për të u pasuruar klane e individ, që rrjedhimisht u ulen vlerat e pasurisë së popullit me qëllim që Kosovën dhe ketë popull ta bëjnë të varfër, vasal, duke krijuar kështu grupe të pasura me sjellje feudesh”, është shprehur ai.

Sipas Hazirit, problemi i pasurisë së Kosovës nuk është i sotëm, e as i djeshëm, pasi ky problem ka filluar që nga mbarimi i luftës me instalimin e UNMIK-ut dhe Qeverisë së përkohshme atëherë, për të vazhduar më pas me të gjitha Qeveritë e legjislacionet.

Ai ka theksuar, se në Kosovë gjithçka u privatizua pa asnjë kriter dhe ligjshmëri ekonomike dhe njëkohësisht rrugët e Kosovës të stërmbushura me armatën e të papunëve për tu përballur me stuhinë e varfërisë.

“Dorëheqja e Petrit Gashit nga AKP-ja  dhe Gent Begollit nga PTK-ja është vetëm një konfirmim i kësaj gjendje, të cilët, sigurisht se edhe përkundër dëshirës për rimëkëmbje të këtyre institucioneve me peshë ekonomike, pas studimit, e kanë hetuar se në këto rrethana, nuk e kanë shansin për të bërë gjënë e duhur, kështu që askush në karrierë nuk e ka motivin për dështim”, ka thënë Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat