Abdullahu flet për mesazhet e Kurz, tregon se çka duhet të bëjë opozita

Politika

Abdullahu flet për mesazhet e Kurz, tregon se çka duhet të bëjë opozita

Nga: G.B Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 21:30
Faton Abdullahu

Kancelari austriak dje gjatë vizitës në Kosovë tha se Austria mbështet çdo marrëveshje me Serbinë, qoftë edhe për korrigjim të kufijve, derisa për liberalizimin e vizave tha se ka shumë vende që nuk e njohin Kosovën dhe se ka ende kohë për këtë derisa të bëhet votimi në Këshillin e Ministrave. E sa i përket ushtrisë, ai tha se janë skeptikë për këtë çështje.

Lidhur me këto deklarata, njohësi i çështjeve aktuale në vend, Faton Abdullahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se dikush ka pritur që kancelari austriak ta kundërshtojë propozimin e presidentit e dikujt ky kundërshtim i është dukur si përkrahje ndaj korrigjimit.

“Duke e pasur parasysh qëndrimin tradicional pozitiv të Austrisë ndaj Kosovës dikush mund të ketë pritur që Kancelari austriak Kurz duhet të kundërshtojë shumë propozimin e Presidentit aktual për korrigjimin e kufijve. Dikush tjetër si duket ky lloj mos kundërshtim i është dukur dhe e ka interpretuar si përkrahje të tërthortë ndaj korrigjimit të kufijve”, është shprehur ai.

Sipas Abdullahut, Kurz dhe shumë miq të Kosovës janë pro dialogut dhe një marrëveshje normale mes dyja shteteve.

“Por të kuptohemi Kurz ashtu si edhe shumë miq të tjerë të Kosovës është për dialog me Serbinë dhe nëse ka marrëveshje dypalëshe është normale pala tjetër në rastin tonë aleatët tanë, konkretisht Austria të mos kundërshtojë me dron se mund të prishë pajtimin aq shumë të aspiruar”, ka theksuar Abdullahu.

Ai vlerëson se kjo qasje duhet që t’i shtyjë opozitën që të jetë edhe më e zëshme në kundërshtimin e idesë së presidentit për korrigjim të kufijve.

“Kjo qasje e aleatëve tanë duhet ta shtyjë opozitën të jetë edhe më e zëshme dhe më e drejtpërdrejtë me kundërshtimin e saj kundër idesë së Thaçit për t’i bindur të gjithë pra edhe aleatët tanë se korrigjimi i kufijve as nuk ka përkrahje nga shoqëria e jonë as nuk është demokratike dhe as nuk determinon stabilitet dhe paqe në rajon”, ka deklaruar Faton Abdullahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat