“Në mars aktakuzat e para të Speciales”

Politika

“Në mars aktakuzat e para të Speciales”

Nga: D.B Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 13:09
Selia e Gjykatës Speciale

Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, parashikon mbrojtjen e viktimave dhe të dëshmitarëve në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë penale ndërkombëtare.

Opinionisti Nexhat Haziri, konsideron se nga përvoja e mëparshme kur janë vrarë e kërcënuar dëshmitarët, kësaj radhë sikur janë nxjerrë mësime të mira.

“Nga ajo që unë kam informacione Gjykata Speciale ka një program të mirë sa i përket trajtimit dhe sigurimit të dëshmitarëve dhe sigurinë e plotë se të gjithë dëshmitarët relevant që kanë dëshmuar për Gjykatën Speciale në rastet e caktuar janë të siguruar dhe janë vendosur në shtet e sigurta të BE-së. Ndërsa, sa i përket aktakuzave ato priten të ngritën në janarin e vitit 2019, apo më së largu në mars të këtij viti dhe do të jenë aktakuza të profilit të lartë”, ka thënë analisti politik Nexhat Haziri.

Ai nuk pret ndonjë destabilizim të gjendjes në Kosovë me rastin e ngritjes së këtyre aktakuzave, për arsyen se tashmë të gjithë qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm se drejtësia duhet të ndodhë në këtë vend.

“Për njerëz të tillë nuk duhet të protestohet përkundrazi do të jetë fillimi i çlirimit të vendit nga një kastë politikanësh të inkriminuar që po e mbajnë peng jo vetëm të tashmen por edhe të ardhmen e Kosovës si shtet i zhvilluar, demokratik ku sundon rendi dhe ligji dhe i mirëqenë për qytetarët e vet”, ka thënë opinionisti Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

Kurse zëdhënësi i Gjykatës Speciale, Chriss Bennet, ka thënë për “Bota sot” se Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, parashikon mbrojtjen e viktimave dhe të dëshmitarëve në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë penale ndërkombëtare.

“Për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve është ngritur një zyrë e posaçme për t’iu dhënë ndihmën e përshtatshme dëshmitarëve që mund të jenë të rrezikuar për shkak të dëshmisë së tyre, madje edhe personave që mund të jenë të rrezikuar prej dëshmisë së dhënë nga dëshmitarët. Ndër masat për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve përfshihen masa dhe marrëveshje sigurie që parashikohen në legjislacionin e Kosovës, mbajtja e seancave gjyqësore në kamera me dyer të mbyllura ose private, dhënia e dëshmisë nëpërmjet mjeteve elektronike ose mjeteve të tjera të posaçme dhe mbrojtja e identitetit”, ka thënë ai.

Sipas tij, në ligj kërkohet shprehimisht që Dhomat e Specializuara të Kosovës të garantojnë mbrojtjen e dëshmitarëve të cenueshëm, ndër të cilët viktimat e dhunës seksuale, gjinore dhe fëmijët.

“Ndër masat mbrojtëse gjyqësore që urdhërojnë gjykatësit janë caktimi i pseudonimeve, ndryshimi i pamjes dhe i zërit, nxjerrja e vonuar e të dhënave identifikuese, dhënia e dëshmisë nëpërmjet video konferencës dhe të tjera. Kjo temë trajtohet me hollësi në nenin 23 të Ligjit dhe gjithashtu në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave” ka shtuar Bennet.

Ai potencon se, Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre në përputhje me Ligjin e miratuar për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe amendamentin kushtetues përkatës.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre në përputhje me Ligjin e miratuar për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar si dhe amendamentin kushtetues përkatës. Nuk kemi kurrfarë komenti në lidhje me zhvillimet politike” ka përfunduar Chriss Bennet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat