Kosova nën mëshirën e Gjermanisë, takimi Thaçi-Putin moment i ri në politikën e jashtme

Politika

Kosova nën mëshirën e Gjermanisë, takimi Thaçi-Putin moment i ri në politikën e jashtme

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 14 nëntor 2018 Në ora: 10:45
Vladimir Putin dhe Hashim Thaçi

“Sa i përket proceseve dhe eventualisht ndonjë marrëveshje mes dy presidentëve  Vuçiq dhe Thaçi. Ne s’jemi e as nuk kemi forcë ti parandalojmë, ngase fragmentarizmi i opozitës shihet, OJQ dhe shoqëri civile janë këmbëza mbështetëse të politikës. Kështu që jemi aktualisht nën mëshirën e Gjermanisë si besnike historike e politikës së vet në Evropë dhe rrjedhimisht po mbron copëzimin e Kosovës”, përfundon Haziri.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka paralajmëruar presidentin e vendit, Hashim Thaçi, se rrezikon të shkarkohet nga posti i tij, nëse nënshkruan diçka që cenon integritetin territorial të vendit.

Haradinaj ka thënë se edhe partia që ai udhëheqë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, do të votonte për rrëzimin e Thaçit nga posti i tij, “nëse ai nënshkruan diçka që cenon territorin e Kosovës”.

Kryeministri ka treguar se ka pasur ftesë nga Serbia që të bëhet pjesë e këtij skenari për ndarjen e Kosovës, të cilin e quan skenar të Beogradit.

Image
Ehat Miftaraj

Por, si mund të shkarkohet presidenti i Kosovës?

Për këtë çështje, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se, Kushtetuta e Kosovës hyn në kuadër të Kushtetutave që mbron Presidentin nga shkarkimi për arsye politike.

“Në këtë drejtim, Presidenti i Republikës mund të shkarkohet vetëm nëse janë plotësuar kriteret e përcaktuara në Kushtetute dhe duke ndjekur procedurat. Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, thotë Miftaraj për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim.

“Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë mendimin e konsiliumit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Presidentit. Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga marrja e peticionit. Po ashtu Kushtetuta, përcakton se Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse Kuvendi, në pajtim me këtë nen, konstaton që Presidenti nuk është i aftë të ushtrojë - përgjegjësitë e tij/saj për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij”, potencon Ehat Miftaraj.

Image
Avni Zogiani

Takimi Thaçi-Putin moment i ri në politikën e jashtme

Ndërsa, Avni Zogiani nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se, së pari, kryeministri me këtë deklaratë ka treguar se nuk e njeh Kushtetutën.

“Presidenti në asnjë rrethanë nuk mund të shkarkohet nga Kuvendi, por Kuvendi mund të krijojë një rast për Gjykatën Kushtetuese, e nëse kjo e fundit gjenë shkelje, presidenti jep dorëheqje. Kurse sa i përket asaj që presidenti po bën, është shumë e qartë se tashmë ka kaluar të gjithë kufijtë e tolerancës”, thotë Avni Zogiani për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, është për të ardhur keq si po pranohen këto manovrime të presidentit Hashim Thaçi, kur nga Kosova e përzë ministrin e Gjermanisë, kurse takon në mënyrë pompoze Putinin, duke pretenduar se po ia ndryshon atij mendjen rreth Kosovës.

“Vet takimi me Putin është shprehje e dëshpërimit të Thaçit. Atë nuk e takoi kush tjetër në Paris dhe na doli sikur suksesi i këtij udhëtimi është takimi me Putin. Kjo paraqet një moment tërësisht të ri dhe të paparapare ndonjëherë në politiken e jashtme të Kosovës dhe duhet të merret seriozisht, gjë që nuk ka ndodhur”, pohon Zogiani.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Shkarkimi i presidentit Hashim Thaçi, do të ishte fundi i tij politik

Kurse, njohësi i çështjeve politike dhe juridike Blerim Burjani thotë se, kryeministri Ramush Haradinaj është i dobët dhe jo profesional si dhe aspak politik, por entuziast për tu marr me aktivitet publike për mendje të madhe dhe për poste publike.

“Këtë njeri e ka kap panika se nuk shkon larg dhe ky do të shkarkohet, frika se do të mbetet në gjysmë përfitimi. Qeveria më e dobët e mundshme dhe glomoze dhe pa e dobishme fare, të gjithë e din që kjo qeveri nuk është asgjë përveç përfitimi afat shkurtër. Thaçi dhe PDK nuk merren me Ramush Haradinaj, por me LDK-në që është faktori kryesor politik për momentin. Thaçi nuk mund të rrëzohet nga një kryeministër me post të falur që e ka kap paniku. Thaçi ka bërë koalicion me tipe të këtyre njerëzve si AAK-ja dhe Nisma. PDK-ja nuk frikohet nga argatët e tij që punojnë për Hashimin, andaj ka edhe jo seriozitet në këtë çështje”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Thaçi po luan me ta për shkak se koha është e hershme për ndonjë marrëveshje me Serbinë, andaj, deri tash nuk ka kurrfarë marrëveshje, por vetëm debate që nuk iu dihet epilogu.

“Shkarkimi i presidentit Hashim Thaçi, do të ishte fundi i tij politik. Thaçi është inatçor dhe injorant i botës inteligjente sikurse edhe Ramush Haradinaj. Këta njerëz janë aksidentalisht në politik dhe po mbajnë peng zhvillimin e shtetit”, potencon ai.

Image
Ismet Haziri

Kosova nën mëshirën e Gjermanisë

Ndërsa, analisti politik Ismet Haziri pohon se, nëse nisemi nga këndvështrimi politik dhe elementi i koherencës për të mirën e Kosovës dhe të proceseve politike do të ishte mirë që të shkojnë nga politika edhe njeri edhe tjetri, ngase Kosova ka nevojë që proceseve të ju prinë energji të reja që kanë njohuri, kredibilitet dhe vizion modern politike me aftësi e guxim të duhur për të u përballur me sfidat e shekullit XXI që pas proceseve politike do të futemi ne agjenda politike me prioritet të teknologjisë informatike dhe që janë goxha sfiduese për këta lider të shek. XX.

“Ishte ky një elaborim që i përket votuesit të i bëjë ndryshimet e duhura, ngase koha është e duhur, e te këta mbetet morali politik se a janë të gatshëm të hapin rrugën e zhvillimit të proceseve normale politike dhe ekonomike, ngase në politikë kush udhëhiqet nga forca e jo nga dituria e vizioni herët a vone është i humbur. Si do që të jetë në kemi realitetin aktual që fatkeqësisht Kosova po e vuan nga një kast politike të papërgjegjshme,  Kupola e tyre padyshim janë Presidenti dhe Kryeministri të cilët me veprimet e veta jashtkushtetuese po neglizhojnë Kosovën”, thotë Haziri për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, njeri merr kompetenca që si garanton Kushtetuta, e tjetri delegon ose i braktisë kompetenca që i ka barrë me përgjegjësi nga populli e Kushtetuta, e këtu ngatërrohet edhe sistemi se a jemi presidencial apo parlamentar.

“Prandaj duke patur këtë vakum përgjegjësie nga ekzekutivi dhe duke patur një ekzekutiv të brishtë dhe pa numra. Presidenti -Thaçi po shpërfaq dominimin e vet politik dhe aftësitë e veta për të ecur me agjenda sipas mentorëve të vetë evropian që e kanë investuar e ndërtuar Thaçin lider dhe politikan në të gjitha periudhat. Pra është shumë minore thënia e Kryeministrit që do ta rrezojë Presidentin dhe unë e vlerësojë vetëm retorik popullsite, ngase Presidenti ditë më parë ja bëri të qartë se e dërgon këtë qeveri në shtëpi. Pra ne po thellohemi realisht në forca dhe ndikim. Sa i përket proceseve dhe eventualisht ndonjë marrëveshje mes dy presidentëve  Vuçiq dhe Thaçi. Ne s’jemi e as nuk kemi forcë ti parandalojmë, ngase fragmentarizmi i opozitës shihet, OJQ dhe shoqëri civile janë këmbëza mbështetëse të politikës. Kështu që jemi aktualisht nën mëshirën e Gjermanisë si besnike historike e politikës së vet në Evropë dhe rrjedhimisht po mbron copëzimin e Kosovës”, përfundon Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat