Selmanaj e godet rëndë Krasniqin: Politika nuk bëhet me vargjet e “Ritmit të Rrugës”

Politika

Selmanaj e godet rëndë Krasniqin: Politika nuk bëhet me vargjet e “Ritmit të Rrugës”

Nga: N.H Më: 19 nëntor 2018 Në ora: 10:34
Memli Krasniqi dhe Driton Selmanaj

Partia Demokratike e Kosovës, vazhdon të jetë në një linjë duke e mbrojtur kështu qëndrimin e saj se është kundër zgjedhjeve të parakohshme. Në të njëjtën kohë ky subjekt po vazhdon të mos i marrë seriozisht përpjekjet e krahut tjetër për ta quar deri në fund nismën për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

Është deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ai i cili ka deklaruar se LDK e Isa Mustafës ka probleme të brendshme, prandaj, sipas tij kjo e fundit edhe i frikësohet zgjedhjeve në këtë kohë.

Mirëpo, partia më e madhe opozitare, LDK, konsideron se partia e tyre tashmë e ka bërë të qartë se janë të gatshëm dhe nuk frikësohen nga asgjë për ta rrëzuar qeverinë aktuale.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se partia e tij është shumë e qartë, se sa më shumë të vazhdojë të qeverisë me vendin kjo qeveri, pasojat do jenë më të mëdha.

Selmanaj mendon se Kosova nuk ka pasur qeveri më të dobët që nga paslufta në Kosovë, prandaj, siç ka thënë ai, ata janë të gatshëm që ta rrëzojnë këtë qeveri.

Memli Krasniqi është duke menduar se politika mund të bëhet në të njëjtën mënyrë, më të njëjtin diskurs dhe më të njëjtat vargje sikur në kohën kur ka qenë pjesë e “Ritmi Rrugës”. Mendoj se është plotësisht e pakuptimit pasi që tashmë LDK është shumë e qartë se në këtë drejtim ne jemi të sigurt se kjo qeveri sa më shumë të vazhdojë të qeverisë me vendin pasojat për vendin janë më të mëdha, si në kontekstin e brendshëm si në të jashtmin. Mendoj se Kosova nuk ka pasur qeveri më të dobët që nga paslufta në Kosovë, prandaj ne jemi të gatshëm që ta rrëzojmë këtë qeveri jo vetëm sot, por problemi është sepse nuk i kemi numrat e mjaftueshëm për ta rrëzuar qeverinë, prandaj edhe ka zgjatur deri tash”, ka thënë Selmanaj.

Sipas deputetit të LDK-së, edhe partia e Kadri Veselit është e interesuar që ta rrëzojë ketë qeveri, mirëpo ka frikën se më pas humbet të gjithë partnerët.

Mendoj se shumë shpejt do ta kuptojnë të gjithë, madje edhe vet koalicioni se duhet të rrëzohet kjo qeveri. Kam përshtypjen se edhe PDK është e interesuar që ta rrëzoj këtë qeveri, mirëpo kanë frikë se më pas se humbin të gjithë partnerët, sepse të gjithë qeveritë i rrëzuan vet, dhe nëse rrëzojnë edhe këtë nuk do të mbesë kush nga partnerët që do t’i besojë kësaj partie, e cila tradhtinë e ka model se si duhet të udhëheqë me një partner. Këta dinë vetëm të tradhtojnë, nuk dinë të ndërtojnë partneritet me askënd. Duke e parë nga ky kontekst ata janë të interesuar ta rrëzojnë kryeministrin Haradinaj, por nuk dëshirojnë që ta rrëzojnë vet, por dëshirojnë që LDK-ja dhe partitë të tjerë të jenë vendimtarë”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Në fund, deputeti i subjektit më të madh opozitar ka theksuar se Lidhja Demokratike e Kosovës është duke diskutuar më shumë deputetë për të ardhur te numri i domosdoshëm për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

Ne jemi në negociata me shumë parti politike, jemi duke diskutuar më shumë deputetë dhe për të ardhur te numri i domosdoshëm për ta rrëzuar ketë qeveri, te numri 61. Jemi të bindur që kjo qeveri nuk ka jetëgjatësi. Jemi të bindur se do të shkojmë në zgjedhje të parakohshme shumë shpejt, sepse abuzimi publik që kjo qeveri po i bënë vendit kam përshtypjen se ka kaluar çdo nivel të tolerancës”, ka përfunduar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat