SHIK-u i veshur me petkun e pushtetit, nuk ka kush ta hetojë

Politika

SHIK-u i veshur me petkun e pushtetit, nuk ka kush ta hetojë

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 20 nëntor 2018 Në ora: 08:10
Foto ilustruese

“Nëse hetohet SHIK-u do të dalin në shesh edhe vrasjet politike të pasluftës edhe uzurpimet edhe zhvatja e shumë qytetarëve të Kosovës. Unë mendoj se Kosova dhe qytetarët e saj do të ndiheshin të çliruar dhe do të prosperonin vetëm kur do të hetohej dhe do të përgjigjeshin para ligjit SHIK-asit”, thekson deputetja Millaku.

Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK), për vite me radhë është përfolur si organizata më kriminale në vend, e cila ka funksionuar me fonde të dyshimta.

Organizata e SHIK-ut, e cila kishte për detyrë ruajtjen e qetësisë dhe sigurinë për qytetarët e Kosovës, morri kahje tjetër.

Kjo organizatë dyshohet se ka kryer krime nga më të tmerrshmet në Kosovë, si vrasje, atentate e shumë vepra kriminale të tjera.

Organizata e quajtur SHIK, ishte udhëhequr nga Kadri Veseli, i cili tashmë është kryetar i PDK-së dhe njëkohësisht edhe i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Për SHIK-un, është kërkuar edhe një hetim Parlamentar, nga Lëvizja Vetëvendosje, por që deri më tani nuk ka ndodhur ky hetim.

Për shumë vrasje dhe atentate është akuzuar SHIK-u, si urdhërdhënës i tyre.

Akuza të shpeshta për këto raste kemi pasur nga Kuvendi i Kosovës, kur deputetët kanë bërë me gisht në drejtim të kreut të Kuvendit, Kadri Veselit.

Lëvizja Vetëvendosje ishte iniciatorë për formimin e një grupi hetimor në Parlamentin e Kosovës për hetimin e SHIK-ut, por kjo iniciativë nuk shkoi deri në fund.

Akuza për veprat kriminale të SHIK-ut i kemi dëgjuar edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.  LDK gishtin në drejtim të PDK-së dhe SHIK-ut e drejtonte për vrasjen e anëtarëve të saj, veprimtarëve të devotshëm të çështjes kombëtare, dhe atentateve të ndryshme përfshirë këtu edhe atë ndaj presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.

LDK këto vrasje i quan politike dhe të kryera apo të urdhëruara nga Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK).

Konsiderohet se në Kosovë, qindra vrasje janë të pazbuluara. Ato janë kryer mirë nga shërbimet tona apo edhe të huaja.

Hetimi i këtyre vrasjeve, falë mosangazhimit të politikës, Prokurorisë dhe Gjykatave nuk ka shënuar përparim. Në këtë mënyrë pasi kryerësit e tyre dhe urdhërdhënësit nuk janë arrestuar për të vuajtur dënimin e merituar.

Megjithatë, një hetim i detajuar për SHIK-un, do të zbulonte të vërtetën lidhur me këto vrasje dhe do të zbulonte nëse kjo organizatë është përgjegjëse.

Millaku: Kjo organizatë ka bërë veprime makabre si vrasje, zhvatje, kërcënime dhe vepra tjera antiligjore

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, thotë se, SHIK-u ka vepruar si organizatë ilegale e cila ka bërë veprime makabre si vrasje, zhvatje kërcënime. Ajo ka thënë se SHIK-u tashmë vepron me petkun e pushtetit.

“Së pari SHIK-u është një organizatë e cila ka vepruar në Kosovë pa bazë juridike nga kjo rrjedhë se ajo është organizatë ilegale. Si e tillë kjo organizatë ka bërë veprime makabre si vrasje, zhvatje, kërcënime dhe vepra tjera antiligjore. Edhe pse është proklamuar shuarja e saj, kjo organizate tani më vepron e veshur me petkun e pushtetit, pra tani detyrë bazë e kanë që të pengojnë hetimin e veprimtarisë së tyre dhe t`i mbulojnë gjurmët e veprave kriminale të kryera më parë”, thotë Millaku për gazetën “Bota sot”.

Sipas saj, nëse hetohet SHIK-u, do të dalin në shesh vrasjet politike, kurse Kosova dhe qytetarët do të ndiheshin të çliruar.

“Opinioni i gjerë është në dijeni se këta assesi nuk guxojnë të largohen nga pushteti pasi që janë të vetëdijshëm se me këtë rast do të përgjigjen pra  këta do të përdorin çdo formë  që të mbeten në pushtet. Nëse hetohet SHIK-u do të dalin në shesh edhe vrasjet politike të pasluftës edhe uzurpimet edhe zhvatja e shumë qytetarëve të Kosovës. Unë mendoj se Kosova dhe qytetarët e saj do të ndiheshin të çliruar dhe do të prosperonin vetëm kur do të hetohej dhe do të përgjigjeshin para ligjit SHIK-asit”, thekson deputetja Millaku.

Gecaj: Hetimi nga Kuvendi do ta amnistonte SHIK-un

Image
Bajram Gecaj

Mirëpo, Bajram Gecaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mendon se, SHIK-u duhet të hetohet nga organet hetuese dhe jo nga Kuvendi duke shtuar se hetimi nga kuvendi është humbje kohe dhe do të amnistonte SHIK-un.

“Nëse do të hetohej SHIK, këtë do të duhej ta bëjnë organet hetuese, jo Kuvendi. Hetimi i Kuvendit është humbje kohe, hetim që në fund do të amnistonte SHIK-un”, thotë Gecaj për gazetën “Bota sot”.

Tali: Njerëzit kyç të SHIK udhëheqin me shtetin

Image
Driton Tali

Kurse, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Tali, pohon se, kjo iniciativë e hetimit të SHIK, nuk mund të jetë serioze derisa ish shefi i saj të jetë njeri kryesor i Kuvendit, si dhe shumë oficerë të lartë të ish-SHIK-ut të jenë deputetë.

“Për ta hetuar SHIK-un, apo cilën do organizatë institucionale i cili e heton duhet të jetë më i fuqishëm sesa organizata e cila hetohet, në këtë rast, shteti është i pafuqishëm, aq më pak Kuvendi për ta hetuar SHIK-un, sepse njerëzit kyç të SHIK udhëheqin me shtetit. Pra edhe nëse hetohet ajo nuk do të jetë serioze. Për të mos thënë pastaj edhe shantazhet të cilat mund të ia bëjnë me dyshime të bazuara personave të caktuar të cilët e dimë se kanë krijuar pasuri enorme nga asgjë, flas për ata që nuk janë kanë në SHIK, por që i takojnë partive të tjera kundërshtare. Prandaj iniciativa për ta hetuar SHIK-un, në këto rrethana do të dështojë ose do të bëhet një sa për sy e faqe”, thotë Driton Tali për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: (SHIK-SIA) e kanë kryer kursin bashkë në Francë

Image
Sefedin Krasniqi

Opinionisti dhe njohësi i çështjeve politike Sefedin Krasniqi, thotë se, SHIK-u nuk do të hetohet kurrë derisa udhëheqësit e këtij shërbimi do ta udhëheqin Kosovën.

“Kush ka llogari ta hetojë vetveten se si ka organizuar kërcënime, shantazhe dhe vrasje. Madje edhe nëse nuk ia ka bërë SHIK, e ka pranuar fajin duke heshtur! Si ta hetojë vetveten SHIK kur gjithçka që ka bërë ka qenë në funksion që me mashtrime, rrena, sajime ta sjellë në pushtet PDK-n (krahun e rrenës)!  Si ta hetoj veten SHIK-u, kur udhëheqësit e saj e dinë mirë që SIA ishte degë e saj, por që i përshkruhej LDK-së. E keqja është se disa pjesëtar të LDK-së besuan se është shërbim i tyre! Nëse hetohet ndonjëherë, do të dëshmohet se të gjithë (SHIK-SIA) e kanë kryer kursin bashkë në Francë...”, thotë Krasniqi për gazetën “Bota sot”.

Miftari: Sot nuk ka as kush e heton SHIK-un

Image
Naim Miftari

Ndërsa, ish-agjenti i SHIK-ut, dhe ish-eprori i lartë i UÇK-së, Naim Miftari, thotë se, hezitimi dhe frika e Parlamentit për hetim të SHIK-ut është e kuptueshme pasi edhe anët tjera nuk dalin edhe vet të pastër sa i përket veprimtarive jo ligjore dhe negative.

“Pastaj janë frika individuale kushtëzimet e klaneve politike, sot për sot nuk ka as kush e heton SHIK-un e PDK-në apo SIA e LDK-së e shumë organizata sekrete tjera si “Syri i Shqiponjës”, Kanuni, AKSH... e shumë tjera që nuk ju dihet mirë as kush ka qëndruar prapa tyre. Edhe te vrasjet politike është e njëjta gjë, përmenden vetëm kur afrohen zgjedhjet dhe kur ju epen vrasjeve drejtime dhe etiketime pa marr parasysh se nuk u dënua akoma askush për ta ditur saktë”, thotë Miftari për gazetën “Bota sot”.

Ai shprehet se për vrasjet politike askush nuk dëshiron që t’i zbuloj, pasi, sipas tij, nuk iu del llogaria mirë asnjërës palë.

“Tash pas 20 vjetësh kur janë vra shumica e “killerave”, e që nuk ka edhe shumë dëshmitar, plus tjetra që nuk i beson askush sistemit të drejtësisë në Kosovë, përveç të verbërve. Sipas mendimit tim, për mos hetimin e SHIK-ut, këtë pyetje duhet me ia shtruar LDK-së, Isa Mustafës, Ismet Beqirit, Lutfi Hazirit, Agim Veliut, Skëdner Hyseni etj., pasi ata e dinë përgjigjen pse nuk hetohet SHIK-u dhe çdo organizatë sekrete politike në Kosovë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat