“Kështu detyrohet Hashimi të ikë me vrap e të kërkojë azil në Rusi”, mesazh Mustafës, Kurtit, Ahmetit...

Politika

“Kështu detyrohet Hashimi të ikë me vrap e të kërkojë azil në Rusi”, mesazh Mustafës, Kurtit, Ahmetit...

Nga: P.R Më: 21 nëntor 2018 Në ora: 10:36
Isa Mustafa, Albin Kurti, Shpend Ahmeti dhe Hashim Thaçi / Foto ilustrim Bota sot

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ditë më parë deklaroi se Kosova do ta paguaj shtrenjtë takimin Thaçi- Putin, takim ky i realizuar në Paris.

“Ajo çfarë Thaçi tha që gjoja ka kërkuar nga Putini për Kosovën, la të kuptohet që Putini është i gatshëm të diskutojë më Thaçin për çështjen e Kosovës. La të kuptohet që nëse palët pajtohen për një marrëveshje, ajo marrëveshje do të jetë e pranuar edhe për Putinin. Thaçi e ka sjellë Kosovën në atë pozicion sa që nëse Kosova bën një marrëveshje të pranuar për Serbinë, ajo marrëveshje do të jetë e pranuar edhe për Rusinë. Është i vetmi që ka diskutuar tema me Serbinë pa praninë e bashkësisë ndërkombëtare. Ka takuar Vuçiqin vetëm, dhe kjo s’ka ndodhur më parë. E dyta, Thaçi është lideri i vetëm që ka takuar një president rus. Dhe ka takuar presidentin më antishqiptar që ka pasur Rusia. Këtë takim Kosova do ta paguaj shtrenjtë. Se si do ta paguaj mbetet për t’u parë. Do të paguajmë në raport me Serbinë. Ne kemi pasur regres në pozicionin tone kundër Serbisë”, deklaroi deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.

E lidhur me pasojat e takimit Thaçi-Vuçiq që do t’i bartë Kosova, gazeta “Bota sot”, ka biseduar me profesorin ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

Ai këtë takim e quan ogurzi për Kosovës dhe një shans për Serbinë e madhe.

“Është shumë e qartë se takimi Thaçi-Putin është një takim ogurzi për Kosovën dhe shans për Serbinë e Madhe. Sepse ai takim u zhvillua në kuadër të fushatës serbo-ruse të ndarjes së Kosovës, ndërkohë që Hashim Vuçiq dhe Aleksandër Thaçi janë marrë vesh për këtë gjëmë që po ia përgatisin asaj”, deklaron Bytyçi.

Ai më tej, shton se Rexhep Selimi, Albin Kurti, Isa Mustafa e shumë politikanë të tjerë e kanë për detyrë që ta ndalin Thaçin më të gjitha mjetet institucionale.

Image
Enver Bytyçi

“Por Rexhep Selimi, vetë Albin Kurti, Isa Mustafa e të tjerë politikanë nuk kanë detyrën e analistëve që të parashikojnë cili është çmimi që do të paguajë Kosova nga ai takim. Detyra e tyre është që me të gjitha mjetet institucionale dhe demokratike të bashkojnë të gjitha forcat progresive dhe patriotike në mbrojtje të Kosovës dhe territorit të saj. Retorika e këtyre politikanëve si edhe e politikanëve të tjerë në opozitë ose në mazhorancë vetëm se e ndihmon Hashim Putinin në veprimtarinë e tij antikosovare e proserbe në Kosovë e jashtë saj. Ka nga ata opozitarë që më kanë kritikuar pse kam mbështetur kryeministrin Haradinaj ose kryeparlamentarin Veseli në qëndrimet e tyre pozitive në mbrojtje të territorit të Kosovës. Unë i jam lutur zotit kur këta të dy i janë kundërvënë idesë së çmendur të Hashim Qosiqit për ndarjen e Kosovës, sepse nëse presidenti i Kosovës do të kishte mbështetjen e qeverisë, do ta kishte mbaruar me kohë zbatimin e projektit të Vuçiqit dhe Putinit. Vërtet duket sikur Haradinaj ka bërë dhe bën retorikë kundër idesë së Thaçit për ndarjen e Kosovës. Por retorika kundër e Haradinajt është garanci se qeveria e tij nuk merr vendime në dëm të integritetit territorial të vendit”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

Profesori ndërkombëtar ka kritikuar opozitën në Kosovë, për të cilën thotë se retorika e saj vetëm po i jep kohë Thaçit.

“Kurse retorika e opozitës dhe opozitarëve, si Rexhep Selimi, nuk prodhon asgjë. Përkundrazi, i jep kohë destruktivit Hashim Thaçi që të manovrojë dhe të përfitojë mbështetje më të madhe në aventurën antishqiptare të tij. Takimi me Vladimir Putin në Paris ishte një hallkë e këtij avantazhi që ia jep opozita. Prej muajsh është ndezur debati pro dhe kundër idesë së Thacit për ndryshimin e kufijve të Kosovës.  Nëse do kishim një opozitë aktive dhe patriotike Hashimi do t’i kishte patur ditët e numëruara dhe nuk do të kishte mbërrit ta takonte Vladimir Putinin. Kështu që Rexhep Selimi nuk do ta kishte rastin të bëjë llogari sa shtrenjtë do ta paguajë atë Kosova”.

Bytyçi shton se opozita duhet t’i bashkojë forcat dhe ta dërgojë Thaçin në Gjykatën Kushtetuese.

“Opozita e retorikës është lubrifikim i idesë së ndarjes së Kosovës. Prandaj Kurti, Mustafa, Ahmetaj duhen bashkuar me qëllim që të udhëheqin popullin opozitar në mbrojtje të territorit të Kosovës. Nëse deputetët e mazhorancës nuk bashkojnë votat me opozitën për ta shkarkuar nga detyra e presidentit Hashim Vuçiqin, ata duhet t’i drejtohen protestave të pandalshme deri në rrëzimin e tij. Kështu detyrohet Hashimi të ikë me vrap e të kërkojë azil në Rusi, jo me retorikën e zotit Kurti, që ia tregon rrugën e azilit atij. Së paku deri tani opozita duhej të kishte mbledh të gjitha faktet e shkeljes kushtetuese nga presidenti i vendit dhe t’i kishte kërkuar Gjykatës Kushtetuese konfirmimin e këtyre shkeljeve, me qëllim shkarkimin e tij nga detyra. Tridhjetë firma i ka opozita që ta bënte këtë. Por nuk ka dashur e mesa duket thjesht dëshiron të bëjë retorikë për të mashtruar opinionin publik”, thekson Bytyçi.

“Por edhe nëse presidenti i vendit çmendet dhe i shkakton një kosto me humbje territoresh vendit, opozita dhe politikanët opozitarë nuk mund të justifikohen me paralajmërime dhe llogaritjen e kësaj kostoje.  Ata kanë po aq përgjegjësi sa institucionet e shtetit për mbrojtjen e territorit. Ata duhet ta bëjnë këtë, nëse institucionet nuk e bëjnë. Dhe nëse opozita nuk e bën këtë, atëherë do ta bëjnë qytetarët, ndërkohë që politikanët aktualë duhet të llogarisin në daljen nga skena politike. Një lëvizje e re popullore e politike po përgatitet në Kosovë. Kjo lëvizje e re dhe e fuqishme me projekt mbrojtjen e territorit të saj do t’i sfidojë të gjithë ata politikanë që do të qëndrojnë në pozitat e retorikës, duke i lënë hapësirë Hashim Thaçit të bashkëpunojë me Aleksandër Vuçiqin dhe Vladimir Putinin për zhbërjen e shtetit dhe të vetë territorit të Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat