Qytetarët të mllefosur me mbylljen e “Xhorxh Bush”, kërkojnë hapjen e saj

Prishtina

Qytetarët të mllefosur me mbylljen e “Xhorxh Bush”, kërkojnë hapjen e saj

Më: 14 janar 2024 Në ora: 15:02

Qytetarët e Prishtinës kanë protestuar sot kundër mbylljes së rrugës “George Bush” nga Komuna e Prishtinës, e cila momentalisht po përdoret si shesh. Ata u shprehën të mllefosur ndaj kryetarit Përparim Rama duke u ankuar për bllokim dhe kërkuan që kjo rrugë të lirohet për qarkullim.

Asllan Bajrami, qytetar, thotë se mbyllja e kësaj rruge është e pavend nga ana e kreut të komunës, i cili me profesion është arkitekt.

Bajrami: Një “budallallëk” që ka krijuar një kryetar me profesion arkitekt

“Kam dalë për t’iu treguar bashkëkombësve të mi për një “budallallëk” që ka krijuar një kryetar me profesion arkitekt. Kur një arkitekt e krijon një gjendje të tillë kaotike këtu, nuk kemi të bëjmë me çlirimin e qytetit nga ngarkesa e trafikut, por me përfitimin për para. Ky zotëria duhet sa më parë të heqë këto baraka, nuk vendosen në ambientin e hapur. Barakat kanë vendin te “Zahir Pajaziti”, deri tek “Ibrahim Rugova”. Aty ka një marrëdhënie komunikimi më intim, e këtu është si me të futë në një livadh. Me këtë bllokadë njerëzit humbasin mijëra orë, njerëzit vonohen në punë... dhe ne na “shet mend” në një ekran një ditë para kësaj proteste me një grafik shumë të bukur, mashtrim,” tha Bajrami.

Ramize Curri thotë se kryetari Rama duhet të merr mendimin e qytetarëve për këtë vendim, sepse qyteti është i të gjithëve.

Curri: Qytetarët nuk hanë bar

“Prishtina është i krejt qytetarëve të Prishtinës, nuk është vetëm i Përparim Ramës. Le ta di Përparim Rama se për këtë qytet ne paguajmë tatime, qytetarët nuk hanë bar. Le t’i pyet qytetarët, se a janë të kënaqur me këtë vendim dhe ne përgjigjemi. Askush sot nuk ka dalë prej komune. Ku është Përparim Rama? Pse i mbyll sytë Përparim Rama?,” u shpreh Curri.

Po ashtu Hamit Hoti, u ankua se qytetarët nuk mund të shfrytëzojnë rrugën që të hynë në banesat e tyre, madje as ambulanca nuk mund të hyjë në lagje kur është nevoja.

Hoti: Sot lagjja po më përngjan me ditët e pasluftës

"Jam banor i rrugës “Xhorxh Bush”. Sot, lagjja po më përngjan me ditët e pas luftës, si duket e parregulluar, e papastër. Është mirë që qytetarët të konsultohen për ndryshimet dhe masën që do të ndërmerret...  Shumë banorë në këtë lagje këtyre ditëve kanë qenë të mbyllur, nuk kanë mund dhe nuk kanë pasur qasje të afrohen te banesat e tyre, nuk kanë qenë në gjendje të bëjë furnizimin as për festa, nuk ka mund të vijë as ndihma e shpejtë për rastet, të cilat kanë ndodhur... Kryetari i komunës po më përngjan sikur të jetë një drejtor i lagjes “Xhorxh Bush,” tha ai.

Ndërsa Ibrahim Arsa thotë për KosovaPress, se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm në momentin kur flitet për ndryshimet në kryeqytet.

Arsa: Rama merr vendime që bllokojnë jetën e qytetarëve

“Qytetarët e Prishtinës në këto raste janë shumë të butë, sepse kur është puna për ndryshimet për qytetin, me të vërtetë duhet të pyeten qytetarët që të jenë të vetëdijshëm dhe duhet ta përcjellin përmes përfaqësuesve që kanë delegatë në Kuvendin Komunal. Nga ana tjetër, në Kuvendin Komunal dhe kryetari i Prishtinës pa konsultuar me popullin, merr disa vendime, të cilat bllokojnë jetën,” tha ai.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama dje ka prezantuar projektin për transformimin e sheshit “George Bush” dhe ndërlidhjen e tij me hapësirat e tjera publike, ku tha se do të duhen rreth tetë vjet për t’u bërë transformimi total i kryeqytetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat