Çdo i pesti fëmijë në shkollat e Prishtinës është me mbipeshë

Prishtina

Çdo i pesti fëmijë në shkollat e Prishtinës është me mbipeshë

Më: 13 tetor 2016 Në ora: 15:04
Ilustrim

Vajzat po del se janë më të pastra se sa djemtë sa i përket përkujdesjes së dhëmbëve.

Ky rezultat ka dalë nga një hulumtim i komunës së Prishtinës dhe ambasadës së Çekisë në Kosovë.

Sipas këtij rezultati higjienën orale e kanë më të lartë nxënësit e shkollave të qytetit se sa ato nëpër fshatra.

Sipas këtyre rezultateve është evidentuar se çdo i pesti fëmijë nëpër shkollat e Prishtinës vuan nga ndonjë formë e deformitetit.

Më shqetësuese nga ky hulumtim del se  çdo i pesti fëmijë është i evidentuar me mbipeshë ndërsa çdo i shtati fëmijë është me ndryshime në të pamur.

Nga ky hulumtim që është bërë me nxënësit e klasave të para, të pesta dhe të nënta të shkollave të Prishtinës mbi 5 përqind e tyre janë evidentuar me shtrembërim të boshtit kurrizor (skolioza).

Publikimi i rezultateve është bërë sot nga kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, ambasadori i ambasadës çeke në Kosovë Ivo Shilhavy, drejtori i Shëndetësisë në komunën e Prishtinës Arben Vitia,  dhe përfaqësues të qendrave familjare të kryeqytetit.

Kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, tha se është i shqetësuar me rezultatin e këtyre statistikave, pasi që, sipas tij statistikat për problemet shëndetësore si ajo e deformimit të boshtit kurrizor  dhe mbipesha, i cili vjen nga kequshqyerja.

Ahmeti: Jam i shqetësuar për mbipeshën e nxënësve

“Unë veçse i kam dëgjuar disa të gjetura, për disa gjana jam i lumtur që janë përmirësuar, por po na shfaqen edhe disa probleme tjera,  të cilat nuk i kemi pas më herët,përkatësisht obezitetin e fëmijëve që po shihet që tash...Kjo vjen shumë shpesh nga kequshqyeshmëria. Edhe në aspektin e mjekisë së përgjithshme edhe në aspektin e stomatologjisë kemi një përmirësim të shëndetit oral në përgjithësi”, tha Ahmeti.

Gjatë kësaj konference Ahmeti ka falënderuar Republikën e Çekisë për kontributin e dhënë gjatë këtij projekti.

 Ata të dhënat e vizitave sistematike i kanë bërë në mënyrë digjitale, të cilat ruhen në databazë në vazhdimësi.

Ndërsa ambasadori i Çekisë Ivo Shilhavy, tha se investimi për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve është shumë i duhur dhe se sipas tij, shëndeti dhe ambienti janë dy gjëra që e shqetësojnë më së shumti gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, prandaj, edhe rëndësia e mbështetjes financiare për këtë  projekt është më e rëndësishme sesa roli i Republikës çeke në Kosovë.

Shilhavy:  Duhet të investojmë në shëndet dhe mirëqenie

“Ne besojmë se secili investim për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve veçanërisht për fëmijët është shume i rëndësishëm dhe ia vlen të bëhet për të ardhmen. Roli i Republikës çeke nuk është aq i rëndësishëm, ne jemi duke e mbështetur këtë projekt vetëm financiarisht. Sepse unë jetoj këtu në Prishtinë kështu që ndjej se jam pjesë e Prishtinës dhe qytetar i saj. Dhe shëndeti dhe ambienti janë gjëra që më shqetësojnë”, tha Shilhavy.

Për drejtorin e Qendrës kryesore të Mjekësisë Familjare shëndeti i fëmijëve është primar andaj komuna e Prishtinës ka angazhuar një ekipin  prej 77 personave apo punëtorëve mjekësorë për zhvillimin e këtij projekti.  

Hoti: 77 persona nga QKMF-së kanë qenë të angazhuar nw hulumtim

“Punëtorët shëndetësor të QKMF-së, kanë qenë të angazhuar në 15 ekipe të cilët kanë bërë implementim e këtij projekti, ekipet kanë qene të formuara nga një mjek familjarë ose edhe në zëvendësim edhe mjek pediatër, dy infermiere të mjekësisë familjare si dhe doktor i stomatologjisë me asistente të stomatologjisë”, tha Nexhmedin Hoti.

Ndër të tjera në hulumtim kanë dalë edhe se 53 raste të nxënësve janë me dëgjim të dobësuar, me gjëndrën tiroide të rritur u identifikuan 8 raste, në organet e frymëmarrjes janë evidentuar këto ndryshime: me astma janë 106 raste, me pneumoni 87 raste.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat